Ballina Personazh Beqë Cufaj: Një shkrimtar si ambasador në Berlin

Beqë Cufaj: Një shkrimtar si ambasador në Berlin

Beqë Cufaj e ka zëvendësuar tryezën e shkrimtarit me atë të diplomatit. Shkrimtari dhe publicisti nga Kosova dorëzoi të enjten letrat kredenciale tek presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe ambasadori i ri i Kosovës në Berlin, Beqë Cufaj

Ka gati dy muaj që tryeza e shkrimit të Beqë Cufajt nuk është më në “kullën e fildishtë” të tij në Degerloch të Stuttgartit, por në Wallstrasse të Berlin. Veshjen sportive me bluzën me tre kopsa dhe xhaketë e ka këmbyer me veshjen zyrtare me këmishë e kravatë, në cepin e jakës së kostumit vezullon flamurka e kaltër me gjashtë yjet e verdhë të Kosovës.

Autori i romaneve “Shkëlqimi i Huaj” dhe “Projekt@Party” nuk ka qenë kurrë më parë kaq brenda politikës. Edhe pse rolin e përfaqësuesit të Kosovës në Gjermani ndien sikur e ka kryer tërë jetën. Sidomos te publiku i kultivuar i dy gazetave të rëndësishme të hapësirës gjermofone, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Neue Zürcher Zeitung”, Cufaj ka arritur të fitojë reputacionin e intelektualit që ftohet për të dhënë mendim sa herë që vijnë lajme të rëndësishme nga Kosova, Shqipëria dhe Ballkani.

Përgjegjësi institucionale

Por tani, sfida është e një lloji tjetër: “Shkrimtari është i vetëm me botën e tij fiktive, ndërsa shkrimtari-diplomat është i rrethuar edhe me botën reale dhe me përgjegjësinë institucionale. Ky është një dallim jo i vogël, por them që jo domosdoshmërisht këto dy botë, këto dy realitete bien ndesh me njëra-tjetrën”, thotë Cufaj në një intervistë për DW (shqip).

Ishte propozim i kryeministrit Ramush Haradinaj që të dërgonte në Berlin pikërisht Beqë Cufajn si ambasador. Falë përvojës së dikurshme si korrespondent i akredituar pranë qeverisë gjermane, Cufaj di të orientohet më së miri nëpër institucionet pushtetare të vendit mikpritës. Veç kësaj ai njeh personalisht shumë protagonistë të politikës dhe kulturës në Berlin, çka e bën të dallojë edhe nuancat e holla mes pushtetit formal e joformal.

Beqë Cufaj ka shkruar ndër të tjera edhe për Deutsche Wellen

Lidhje të veçanta

Cufaj është ambasadori i tretë i Kosovës në Berlin, pas Vilson Mirditës dhe Skënder Xhakaliut. Është misioni më i madh diplomatik i Kosovës dhe krahas Gjermanisë mbulon edhe Danimarkën. Se cilat do të jenë prioritetet në punën e tij, me këtë ai do të merret gjatë muajve të ardhshëm. Por që kultura do të zërë një vend të veçantë, kjo është diçka e vetëkuptueshme për shkrimtarin Cufaj: “Ne jemi një komb i vogël që nganjëherë harron faktin që vetëm me kulturë mund të përfaqësohemi në këtë vend”.

Në zyrën e tij sheh dy skulptura të vogla te këndi i pritjes. Ato quhen “Vertreibung” “Përndjekje” dhe “Versöhnung” (Pajtim), një dhuratë e skulptorit gjerman Armin Guther (1931-2017) për Ambasadën e Kosovës. Për Cufajn simbol i një lidhjeje edhe më të veçantë mes dy vendeve që i bashkon përjetimi i i luftës.

Janë lidhje të veçanta mes Gjermanisë dhe Kosovës, thotë Cufaj dhe ka parasysh në radhë të parë 400 mijë qytetarët me prejadhje nga Kosova që jetojnë në Gjermani. Por ka edhe shumë gjermanë që kanë qenë të angazhuar në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit në kuadër të KFOR-it, EULEX-it, UNMIK-ut e të ngjashme. Ai do t’i sistemojë dhe t’i kanalizojë të gjitha këto lidhje në mënyrë që shtetasit e tij të zënë një vend sa më të rëndësishëm në këtë shtet të fuqishëm. (Anila Shuka. DW).