Presidenti Donald Trump i shtoi kritikat ndaj kancelares gjermane Angela Merkel, duke thënë në një intervistë televizive se politikat e saj të emigracionit kanë qenë një fatkeqësi për Evropën.
“Angela dikur ishte një ‘superstar’ deri në momentin kur lejoi miliona njerëz të vinin në Gjermani,” tha ai. Komentet e tij pasojnë ato që ai bëri në takimin e nivelit të lartë javën e kaluar, ku ai kritikoi Gjermaninë se mbështetet në furnizmin me gaz të lirë nga Rusia, duke shpresuar që Amerika të vazhdojë të ndihmojë mbrojtjen e Evropës.
Kritikat e zotit Trump kanë shkaktuar habi në rritje në Berlin, por jo kudo në qarqet evropiane. Kritikat e presidentit amerikan kanë gjetur mbështetje tek disa nga fqinjët e afërt të Gjermanisë.
Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, e përshkroi të dielën administratën Trump si kundërshtare, duke thënë se Gjermania mund “të mos mbështetet më te Shtëpia e Bardhë”. Atlanticistët në Europë shqetësohen se ai mund të ketë të drejtë, duke pohuar se përçarja në rritje midis Berlinit dhe Uashingtonit është një kërcënim shtesë për marrëdhëniet e tensionuara transatlantike.
“Ajo kërcënon jo vetëm aleancën e Atlantikut, por vetë Perëndimin,” argumentonte komentatori britanik Daniel Johnson në gazetën Britain’s Times.
Nacionalistë populistë
Por ekziston një miratim i heshtur ndaj kritikave të presidentit Trump në adresë të Gjermanisë nga nacionalistët populistë të Evropës. Ata e shohin veten si kapitenët ideologjikë të zotit Trump, duke favorizuar një kufizim të multilateralizmit, siç bën ai, për të cilin ata thonë se po dëmton të drejtat sovrane të shteteve.
Ndërkohë që disa populistë – veçanërisht polakët – kanë dyshimet e tyre rreth sinjaleve të presidentit të SHBA ndaj Vladimir Putinit të Rusisë, ata gjithashtu kanë problemet e tyre me zonjën Merkel dhe nuk janë treguar veçanësisht të gatshëm për ta mbrojtur atë përballë kritikave amerikane. Ata po u bëjnë jehonë të njëjtave ankesa ndaj Gjermanisë.
Ndërsa pjesa më e madhe e mbulimit mediatik të samitit të NATO-s u përqëndrua te ndarjet amerikano-evropiane mbi nivelin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe gatishmërisë së dobët luftarake të forcave evropiane, disa diplomatë thonë se përçarja në rritje midis Gjermanisë dhe fqinjëve të saj të afërt është çdo po aq serioze sa ajo midis Presidentit Trump dhe Evropës si një e tërë.
Sipas analistëve, të dyja janë të lidhura me faktin që zoti Trump u shton guximin populistëve në Evropë dhe anasjelltas. Këtë javë, kreu i partisë Lega të Italisë, Matteo Salvini, vlerësoi takimin e nivelit të lartë Trump-Putin, duke thënë se samiti i Helsinkit ishte një “fillim i mrekullueshëm”.
Me përjashtim të qeverisë polake, udhëheqësit populistë të Evropës Qendrore favorizojnë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë të imponuara nga Perëndimi pas aneksimit të Krimesë nga Kremlini në vitin 2014. Kjo është vetëm njëra nga mosmarrëveshjet midis Gjermanisë dhe populistëve, të cilët janë duke u përpjekur të krijojnë një aleancë të re euroskeptike në Bruksel për të rritur fuqinë e tyre të kufizuar në bllok dhe për të kundërshtuar dominimin gjermano-francez.
Ata kanë mosmarrëveshje lidhur me të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe e akuzojnë Berlinin se po përdor peshën e tij ekonomike duke i margjinalizuar ata, kur bëhet fjalë për vendimmarrjen dhe administrimin ekonomik brenda Bashkimit Evropian. Mosmarrëveshjet i kanë çuar marrëdhëniet midis shteteve të Vishegradit: Polonisë, Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Hungarisë në një nivel edhe më të ulët. Ndërkaq, marrëdhëniet midis Gjermanisë së Merkelit dhe Austrisë, të udhëhequr nga populisti 32-vjeçar Sebastian Kurz, janë bërë gjithashtu të tendosura.
Ndarja ideologjike
Zyrtarët dhe analistët gjermanë asnjëherë nuk kanë pritur që Trump dhe Merkel të kenë marrëdhënie të mira mes tyre. Ajo është tepër e disiplinuar dhe e duruar, favorizon vazhdimësinë dhe parashikueshmërinë. Ajo duket qartë që është e zhgënjyer nga shpërfillja që zoti Trump u bën mirësjelljeve diplomatike. Por prapa konfrontimit qëndron një ndarje ideologjike.
Më shumë se një vit më parë, analistët Ulrike Esther Franke dhe Mark Leonard të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë parashikuan se Gjermania do të paraqitej një ditë si “armiku kryesor” nga administrata Trump për shkak të suficitit tregtar gjerman me SHBA-në, si dhe të fushatës së Merkelit për globalizimin dhe tregtinë e lirë apo të respektimit prej saj të multilateralizmit.
Ata vinin gjithashtu në dukje: “Ideologët e së djathtës alternative në qarqet e zotit Trump e urrejnë Gjermaninë për politikën e saj të refugjatëve”, të cilën ata e shohin si “tradhëti ndaj themelit judeo-kristian të Evropës”.
Kjo pikëpamje ndahet nga udhëheqësi hungarez Viktor Orban, i cili i ka cilësuar azilkërkuesit myslimanë si “pushtues muslimanë”.
Më parë këtë vit, ministri i tij i jashtëm, Peter Szijjarto, gjatë një vizite në Uashington, vuri në dukje në një intervistë se “Disa vende të Evropës Perëndimore do të donin të hynin në një fazë që mund të përshkruhet më mirë si ‘pas krishtere dhe paskombëtare’. Por ne nuk duam atë. … Ju e dini, Evropa duhet të jetë një kontinent i krishterë”.
Sfida populiste në Evropë ka marrë inkurajimin e hapur të administratës Trump – nga kritikat e shpeshta të presidentit të SHBA për politikat e migrimit të favorizuara nga kancelarja Merkel dhe Brukseli, e deri te një deklaratë e muajit qershor nga ambasadori i SHBA në Gjermani, Richard Grenell. Ai tha se e sheh misionin e tij si fuqizimin e populistëve në Evropë dhe fraksioneve politike që janë në harmoni me Uashingtonin e Presidentit Trump. (Zëri i Amerikës).