“Thaçi e ka futur veten dhe vendin në rrugë pa krye. Kjo është lojë e ndytë por fati është që nuk e ka përkrahjen e shumicës në Parlament dhe kjo është rruga për të përfunduar karrierën e tij politike ashtu siç e meriton si dështak. Nga takimet e radhës nuk pritet asgjë më shumë sesa një përkeqësim i raporteve për të krijuar përshtypjen se ka presion nga BE për Asociacionin dhe kompromiset ndaj Serbisë, siç është Trepça dhe demarkimi”, thotë Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.
Mëngjesin e së mërkurës në Bruksel, është mbajtur takimi i delegacionit të Kosovës, dhe Serbisë.
Takimi në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është mbajtur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe është ndërmjetësuar nga Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE-së.
Kosova për herë të parë në fazën e fundit të këtij dialogu është duke u përfaqësuar me një delegacion të gjerë, i përbërë nga Presidenti dhe liderët e partive të koalicionit.
Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, ka njoftuar se në takimin disa minutësh mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, u diskutua për hapat drejt arritjes së një marrëveshjeje të obligueshme, si dhe presidentët janë pajtuar për takimin e radhës pas disa javësh.
“Përfaqësuesja e Lartë dhe dy presidentët rishikuan progresin e bërë në diskutimet për kornizat e arritjes së një marrëveshje të obligueshme dhe legale për normalizim të raporteve mes dy vendeve. Ata u pajtuan që të ritakohen brenda disa javëve dhe të vazhdojnë punën e tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e Mogherinit.
Thaçi: Dialogu do të jetë i vështirë
Pas takimit, presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ishte një takim i vështirë pasi Serbia ende mashtrohet dhe gabon rënd, duke menduar se Kosova është pjesë e saj.
Presidenti Thaçi i bëri këto komente, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në prezencën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në Bruksel, ku fillimisht është mbajtur takimi në mes delegacionit të Kosovës me Mogherinin, pastaj u takuan dy presidentët.
“Ka qenë një takim i shkurt, jo i lehtë, mund të them shumë i vështirë, ndoshta më i shkurti dhe më i rëndi prej të gjitha takimeve që kemi zhvilluar në këto gjashtë vitet e fundit por përkushtimi i jonë për të ardhmen evropiane është serioz, i përgjegjshëm, prandaj do të punojmë maksimalisht për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Unë ende shoh dritë në fund të tunelit, megjithëse do të jetë jashtëzakonisht vështirë për arsye se Serbia ende mendon se Kosova është pjesë e saj, ende jeton me mentalitetin e së kaluarës, mashtrohen, gabohen rënd, ka qenë takim shumë i rënd me zotin Vuçiq, edhe ai duhet ta kuptoj, edhe vet Serbia se Kosova është vend sovran”, ka thënë Thaçi.
Ai tha se në ditën dhe muajit e ardhshëm pret takime shumë më të vështira, por se negociatat nuk kanë alternativë.
“Duhet të arrihet një marrëveshje për të dy vendet si vende sovrane, një marrëveshje që hap perspektivë euro-atlantike për Kosovën dhe për Serbinë, një marrëveshje që lehtëson të ardhmen e të dy vendeve dhe popujve tanë, që sjellë mirëkuptim dhe pajtim. E theksojë, të sjellë, nuk pres që procesi të jetë më i lehtë në ditët dhe javët më të mëdha, pres vështirësi, pengesa dhe proces edhe më të rënd, duke shkuar drejt kësaj maratone të dialogut….po mungon guximi për t’i liruar popullin serb nga barra historike e padrejtë në raport me Kosovën”, pohoi ai.
I pyetur nëse Kosova do të pranojë të rihapet çështja e statusit, presidenti Thaçi, tha se nuk ka rikthim prapa.
“Mos na rikthe sepse nuk ka rikthim mbrapa… Ne këtu jemi për të fituar, jo për të humbur, nuk jemi për ta mundur njëra tjetrën por për të gjetur zgjidhje që i lëviz të dy vendet përpara ose do të paguajmë çmim të madh dy vendet, veçanërisht pas arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, është një atmosferë e re në Ballkanin perëndimorë. Është shumë me rëndësi që Bashkimi Evropian është unik në mbështetje të arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregojnë interes të veçantë për këtë proces dhe bota nuk i kthe sytë dhe vëmendjen shpesh nga rajoni apo kur ne kemi dëshirë”, potencoi presidenti Thaçi.
Thaçi tha se marrëveshja përfundimtare do të ishte edhe interes strategjik për paqen në rajon.
Vuçiq: Po mundohemi për marrëveshje kompromisi
Ndërsa, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se është kërkuar një marrëveshje e përbashkët për kompromis dhe të ruhet stabiliteti.
“Jemi pajtuar për dy gjëra, që të vazhdohet dialogu dhe të kërkojmë marrëveshje të përbashkët kompromisi. Gjeja tjetër është që të ruhet stabiliteti”, ka thënë ai.
Tutje, sipas tij, janë shqiptarët, duke përmendur presidentin Thaçi, se është ai që dëshiron gjithçka për Kosovën, ndërsa pala serbe po mundohet në të mirë të përgjithshme.
“Me një fjalë mund të them se shqiptari Thaçi dëshirojnë të marrë gjithçka për shqiptaret e Kosovës, ndërsa ne po mundohemi për marrëveshje kompromisi që të mos humb gjithçka dhe që t’i mbrojmë interesat e Serbisë dhe serbëve”, deklaroi me pas presidenti serb.
Sipas tij, “nuk janë bisedime të lehta në pozitën që jemi tash, por dëshirojmë që ta ruajmë paqen për të ardhmen e fëmijëve tanë”.
E këtë që e tha presidenti Thaçi pas takimit në Bruksel, sipas anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani praktikisht ishte një pranim implicit se është duke folur për statusin e Kosovës.
Zogiani: Thaçi nuk e ka përmendur pavarësinë e Kosovës
Ai thotë se Serbia e ka Kosovën në Kushtetutën e saj dhe se do të ketë një kompromis që do të jetë i vështirë dhe i dhimbshëm për të dy palët.
“Pra, kjo nënkupton se ai është duke e hapur statusin që ne e konsiderojmë si çështje te mbyllur. Në anën tjetër insistimit të gazetarëve për të folur më direkt nëse ai po e negocion statusin e Kosovës në Bruksel ai iu përgjigj duke folur për sovranitet të Kosovës, por jo për pavarësinë e saj. Për dallim nga herë tjera Thaçi nuk ka përmendur asnjëherë pavarësinë dhe duke folur për mundësinë që Serbia të pranojë Kosovën ai dha shenja se tashmë po shihet një opsion tjetër i statusit që do të garantojë një sovranitet, por jo edhe pavarësi, të cilin term ai tashmë e ka braktisur në deklarimet e veta”, thotë Avni Zogiani për gazetën “Bota sot”.
Abazi: Thaçi e ka futur veten dhe vendin në rrugë pa krye
Për takimin në Bruksel analisti politik, Haki Abazi thotë se presidenti Thaçi është një dështak dhe se ky takim nuk ishte legjitim. Sipas tij, Thaçi e ka futur vendin në një rrugë pa krye, pasi as në takimet e radhës nuk pritet asgjë.
“Hashim Thaçi është një dështak, ai nuk e dinë ku e ka futur vendin. Ky nuk ka qenë takim i vështirë, është vështirë me arsyetua jo legjitimitetin e vet Thaçi dhe premtimet e kota që i ka bërë. Thaçi e ka futur veten dhe vendin në rrugë pa krye. Kjo është lojë e ndytë por fati është që nuk e ka përkrahjen e shumicës në Parlament dhe kjo është rruga për të përfunduar karrierën e tij politike ashtu siç e meriton si dështak. Nga takimet e radhës nuk pritet asgjë më shumë sesa një përkeqësim i raporteve për të krijuar përshtypjen se ka presion nga BE për Asociacionin dhe kompromiset ndaj Serbisë, siç është Trepça dhe demarkimi”, thotë Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.
Ndërsa, profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki përmes një shkrimi komentuar takimin në Bruksel. Sipas tij, u rihap zyrtarisht statusi i Kosovës.
“Vaki gjinore apo tragjedi politike? Sa çudi që fotoja nga takimi i sotëm i Brukselit analizohet veç si çështje gjinore. Delegacioni ynë burrnor përballë ekipit femëror te Mogherinit. uou çfarë tragjedie! O njerëz, ajo foto nuk është tragjike se aty s’ka gra. Ajo foto është tragjike se aty u rihap zyrtarisht statusi i Kosovës. Edhe më tragjike duket fotoja kur dihet që statusin e Kosovës po e rihapin ata që e asfiksuan ëndrrën tonë për shtet normal. E dështuan shtetin dhe tash shkojnë kokë ulur korridoreve evropiane për të gjetë rrugëdalje. Por mos harroni, rrugëdalja e tyre është RRUGËMBYLLJE për Kosovën”, shkruan Kraki, përcjellë gazeta “Bota sot”.
Burjani: Kosova dhe Serbia nuk do të kenë një marrëveshje përfundimtare
Se ky dialog ka marrë kahje të vështirë si rezultat i jo transparencës e konfirmon edhe njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Kosovë, Blerim Burjani.
Sipas ti, presidenti Thaçi, asnjëherë nuk ka bërë me dije saktë se çfarë po ndodhë me dialogun dhe si po ec, pra prej dialogut teknik në dialog politik.
“Tash ka ardhë faza më e rëndë politike e jo teknike, në vend që të jetë tërësisht dialog teknik tash është bërë politik të sjelluar nga presidenti Thaçi e që si dihet fundit”, shprehet Burjani për gazetën “Bota sot”.
Ai thotë se, Serbia po kërkon që Kosova të tregoj gatishmëri për kompromise të mëdha dhe për një marrëveshje që fiton Serbia.
“Strategjia serbe është afatgjate dhe përplot sfida. Kosova dhe Serbia nuk do të kenë një marrëveshje përfundimtare, por do të kenë sërish një marrëveshje politike e cila do të qëndrojë në mes luftës dhe paqes, të panjohurës. Përndryshe Serbia nuk do ta njehë Kosovën në asnjë mënyrë, sipas tyre kuptohet pa përfituar ata, e ata e duan Kosovën e ndarë me marrëveshje, por Kosova nuk duhet të bëjë kompromise kurrfarë me serbët”, potencon ai.
Sipas tij, nuk ka pasur mandat të qartë nga Kuvendi i Kosovës, dhe ky dialog është negociuar nga një njeri që gjithçka lidhet me të.
“Ai e sheh vetën si hero i luftës dhe paqes, pa marr parasysh se kjo kohë kaherë ka përfunduar në Kosovë që 10 vjet, e që ende një njeri sillet vërdallë dhe nuk e dallon politikën prej egoizmit të vet”, thotë Blerim Burjani.