Ballina Bota Trump pranon përfundimin e zbulimit amerikan për ndërhyrjen ruse

Trump pranon përfundimin e zbulimit amerikan për ndërhyrjen ruse

Presidenti Donald Trump tha se ai kishte ndërmend të kundërtën kur deklaroi në Helsinki se ai nuk shihte se përse Rusia duhet të ndërhynte në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Presidenti u deklaroi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën se ai kishte ndërmend të thoshte se nuk shihte arsye se përse Rusia të mos ishte përgjegjëse.

Ai tha gjithashtu se e pranonte përfundimin e nxjerrë nga komuniteti amerikan i zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhje, por mohoi që fushata e tij të kishte bashkëpunuar fshehurazi në këtë përpjekje.

Presidenti Trump i bëri komentet një ditë pas kthimit në SHBA, ku u kritikua thuajse nga të gjithë lidhur me ato që tha në konferencën e shtypit të mbajtur në Helsinki në krah të Presidentit rus Vladimir Putin.

Vetë Presidenti Putin tha se kishte qenë dëshira e tij që zoti Trump ta fitonte garën kundër demokrates Hillary Clinton.

Në Helsinki, Presidenti Trump nuk e dënoi aspak ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje dhe nuk pranoi të thoshte se ai u besonte agjencive amerikane të inteligjencës dhe jo mohimeve të Rusisë për ndërhyrjen.

Kreu i Senatit vlerëson NATO-n

Ndërkohë, në komentet për gazetarët të martën, udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell e quajti NATO-n “aleancën më të rëndësishme ushtarake në histori”. Zoti McConnell tha: “vendet evropiane janë miqtë tanë, rusët nuk janë.”

Senatori McConnell tha gjithashtu se ekzistojnë “prova të padiskutueshme”, që Rusia u përpoq të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ai tha se Senati e kupton “kërcënimin e Rusisë” dhe kjo është “një pikëpamje e përhapur në Senatin e Shteteve të Bashkuara midis anëtarëve të të dyja partive.”

Komentet e zotit McConnell u bënë vetëm pak minuta para se presidenti Trump të fliste në Shtëpinë e Bardhë. Synimi i senatorit ishte mesa duket t’i dërgonte një mesazh të qartë si Presidentit Trump ashtu edhe evropianëve.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, duke iu referuar komenteve të zotit Trump në Helsinki, tha:

“Le të jemi shumë të qartë: Rusia ndërhyri në zgjedhjet tona”. “Ne e dimë se ata ndërhyjnë në zgjedhjet tona dhe ne kemi miratuar sanksione për Rusinë për t’i mbajtur ata përgjegjës”.

Në takimin e nivelit të lartë në Helsinki, Presidenti Trump u duk se favorizoi mohimin e bërë nga Presidenti Putin për ndërhyrjen ruse, në vend që të mbështeste vlerësimin e agjencive amerikane të zbulimit se Rusia në fakt u përpoq të ndërhyjë.

Trump përballë kritikave

Kritikët kanë akuzuar Presidentin amerikan Donald Trump për një veprim të paprecedent, duke i dhënë mbështetje presidentit rus, kundër agjencive amerikane të cilat kanë dalë në përfundimin se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Republikanët e Kongresit, me disa përjashtime, i shmangën kritikat e drejtpërdrejta ndaj zotit Trump.

Disa prej tyre i dolën në mbrojtje qëndrimit të tij kundër Prokurorit të Posaçëm që po heton nëse ndërhyrja e Rusisë ndihmoi zotin Trump të fitojë zgjedhjet.

Komentet e Presidentit Donald Trump që fajësonin të dy vendet për ndërhyrjen e Rusisë në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, shkaktuan reagimeve të ashpra, veçanërisht të demokratëve.

Është një veprim i pamenduar, i rrezikshëm dhe dobët që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të mbështesë Presidentin Putin kundër autoriteteve amerikane të zbatimit të ligjit, zyrtarëve të mbrojtjes, agjencive amerikane të zbulimit “, tha Chuck Schumer udhëheqësi i pakicës në Senat.

Sipas disa analistëve dhe komentuesve mediatik, presidenti Trump nuk ia doli të tregonte forcë.

Presidenti u tregua i përulur ndaj Vladimir Putinit, ai ishte i drojtur, ai nuk kritikoi asnjë prej veprimeve të Rusisë jashtë apo brenda vendit që kanë shkaktuar kaq shumë vështirësi në sytë e SHBA-së për shumë vite“, thotë Jeffrey Rathke i Qendrës për Studimeve Strategjike e Ndërkombëtare,

Me pak përjashtime, republikanët i shmangën kritikat e hapura ndaj zotit Trump. Disa i dolën në mbrojtje sulmeve të tij ndaj hetimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Dyshimi mbi diçka, deri në momentin e shqyrtimit dhe verifikimit të saj është i arsyeshëm. Por megjithë këtë, e përsëris: e shoh Putitin si dikë me të cilin duhet të përballemi, si dikë që padyshim është pjesë e një perandorie të vjetër, të ligë dhe që nuk i ka ndryshuar zakonet“, thotë ligjvënësi republikan Darrell Issa.

Një nga senatorët e rëndësishëm republikan John McCain e quajti daljen e presidentit Trump përkrah Vladimir Putinin një “gabim tragjik”. Në një deklaratë me shkrim, senatori nga Arizona shkruante se zoti Trump ka bërë një “zgjedhje të vetëdijshme për të mbështetur një tiran”.

Takimi i zotit Trump me homologun e tij rus me qëllim pajtimi, i dha fund një turi evropian gjatë të cilit presidenti amerikan kritikoi NATO-n dhe e quajti Bashkimin Evropian “armik”.

Ai ofendoi dhe kërcënoi aleatët tanë të NATO-s. Ai kërkoi të prishë një proces zgjedhor në pritje në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u pozicionua me rusët“, thotë Eric Swalwell, ligjvënës demokrat.

Senatori i Floridës Bill Nelson i bëri thirrje të dyja palëve në Kongres të bashkohen kundër rrezikut që paraqet për demokracinë amerikane Presidenti rus Vladimir Putin, një ish-spiun sovjetik.

Shpresoj të bashkohemi së shpejti, të dyja palët, për të mbrojtur veten dhe t’i bëjmë opozitë Putinit“.