Ballina ED/OP Presidenti Trump dhe mbështetja për aleatët e Amerikës

Presidenti Trump dhe mbështetja për aleatët e Amerikës

Presidenti Donald Trump shtangu shumë njerëz në botë, me refuzimin e tij për të kritikuar Presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa ishte pranë tij në Helsinki të hënën. Kjo pasoi kritikat e ashpra të Presidentit Trump ndaj aleatëve të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Kryeministren britanike Theresa May, kancelaren gjermane Angela Merkel, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Disa ekspertë të politikës së jashtme thonë se Presidenti ka përmbysur rendin botëror të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore dhe tani po ri-përcakton miqtë dhe armiqtë e Amerikës.

Mes reagimeve dhe kritikave rreth udhëtimit të tij në Evropë, Presidenti Trump lexoi të martën një deklaratë të përgatitur në përpjekje për të kontrolluar dëmin, duke thënë se kishte patur bisedime tepër të mira me udhëheqësit e NATO-s.

“Shtypi e mbuloi udhëtimin në mënyrë të pasaktë, ata thanë se unë kam fyer njerëzit. Nëse kërkesa që njerëzit të paguajnë paratë që duhet të paguajnë është fyese, atëherë ndoshta e i kam fyer. Por unë mund t’ju them se të gjithë ishin tepër të kënaqur pas takimeve”.

Po dje, zoti Trump fajësoi mediat në një postim në Twitter, ku ai theksonte se kishte patur “një takim madje më të mirë” me Putinin.

Gjatë udhëtimit të tij, Presidenti u pyet nga kanali CBS se “kush është armiku më i madh i SHBA-ve?”

“Unë mendoj se kemi shumë armiq. Unë mendoj se Bashkimi Evropian është një armik, shikoni se ë’po na bëjnë ata në fushën e tregtisë “.

Por në Uashington, sigurimi i aleatëve evropianë për mbështetjen amerikane i mbeti në dorë udhëheqësit të shumicës së në Senat, Mitch McConnell dhe senatorëve të tjerë republikanë.

“Dua t’u them miqve tanë evropianë, se ne e vlerësojmë Traktatin e NATO-s. Ajo ka qenë aleanca më e rëndësishme ushtarake në historinë botërore. Ne besojmë se vendet e Bashkimit Evropian janë miqtë tanë, ndërsa rusët nuk janë miqtë tanë. “

Disa analistë thanë se aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë janë të tronditur nga retorika e ndryshme e Presidentit Trump ndaj NATO-s dhe Putinit.

“Kam frikë se ata do të arrijnë në përfundimin se garancitë e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e rajonit nuk janë aq të forta si në të kaluarën. Dhe ky nuk është thjesht një reflektim i ngjarjes së sotme, por edhe i samitit të NATO-s dhe atij të BE-së, ku Trump vazhdimisht kritikoi aleatët 70 vjeçar që kanë qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 dhe krizave të tjera globale”.

Por disa ekspertë të tjerë nuk pajtohen me këtë vlerësim, duke thënë se pavarësisht optikës së tmerrshme, mbështetja e Shteteve të Bashkuara për NATO-n nuk ka ndryshuar.

“Ne po shohim një rritje të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e vendeve në krahun lindor të Evropës që janë më të pambrojtura ndaj aktiviteteve të Rusisë”, thotë Reva Goujon, eksperte në organizatën “Stratfor Global Analysis”.

Por disa vende do të vëzhdojnë nëse Pentagoni do të tërhiqet nga stërvitjet e përbashkëta të NATO-s, duke e cilësuar këtë si një provë nëse rendi botëror po ndryshon apo jo.