Te dashur perfaqesues te medias:
Ju ishit vetë present në këtë mbledhje Komisioni, ku ndodhi një ngjarje e paprecedentë në pluralizmin shqiptar. Kur nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, sipas rregullores kërkon 1 minutë fiks fjalën për procedurë, kryetarja e Komisionit, me urdhër, me porosi, me qëllim, ndërpret mbledhjen pikërisht për të shpëtuar ministrin dhe për të shpëtuar qeverinë nga bataku ku ranë edhe sot nga të pavërtetat e mëdhaja që po thonin.
Fatkeqësisht Shqipëria pësoi një dështim të madh për shkak të kësaj qeverie dhe ne sot kërkuam dorëheqjen e qeverisë, sepse ra objektivi kryesor I kësaj qeverie që ishte Integrimi europian. Ministri kërkoi me llafollogji, me sofizma, me leksione teorike, të fshehë të vërtetën. Kryetarja e komisionit kërkoi ta ndihmojë dhe ta shpëtojë nga mbytja ku kishte rënë sot dhe ku po mbytej sot, në këtë mbledhje komisioni, krejt normale, aktive të Parlamentit shqiptar, ku diskutohet dhe ku flitet për procedurë, ku mund të bëhet dhe replikë sipas rregullores.
Pra kemi të bëjmë me një përpjekje për të tejkaluar këtë moment absolutisht tragjik për vendin, krijuar nga kjo qeveri, duke krijuar një terr informative. Këtë bëri sot kryetarja e komisionit me porosi të plotë. Menduan ta organizojnë vetë këtë mbledhje, sepse menduan ndoshta që nuk do të kishin ballafaqimin me opozitën dhe kur ky ballafaqim ndodhi, kur argumentat dolën e u shpalosën, jo vetëm që nuk u dha asnjë përgjigje reale nga ministri, por përkundrazi u vazhdua me mënyrën e tyre me batuta, sofizma dhe ironizma, gjë që nuk e shpëtoi ministrin.
Përkundrazi e nxori të qartë para opinionit publik shqiptar, situatën dhe gjendjen edhe pozicionin shkatërrues të kësaj qeverisjeje, kryetarja e komisionit ndërpreu mbledhjen në mënyrë absolutisht të paprecedentë dhe që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e komisioneve parlamentare. Aq më shumë në historine e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit shqiptar.
Prof. dr. Tritan Shehu – ish kryetar i PD të Shqipërisë/ Nënkryetar i Komisionit për Poliitkën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë.