Nga Leonat Shehu – Zëri i Amerikës
Qeveria e Kosovës dhe kompania amerikane për prodhimin e mjeteve luftarake AM General kanë nënshkruar një marrëveshje për blerjen e automjeteve ushtarake të njohura si Humvee.
Sipas marrëveshjes, Kosova do të pajiset me 51 mjete të llojeve të ndryshme të markës Humvee, një pjesë nga të cilat pritet t’i dhurohen Kosovës.
Automjetet Humvee kanë hyrë në shërbim për rreth 30 vjet më parë si një nga automjetet më të mira taktike në botë ndërsa shihet si simbol i gjithanshëm i forcave tokësore amerikane.
Kryeministrii i Kosovës Ramush Haradinaj tha se pajisja e Forcës së Sigurisë me automjete ushtarake amerikane është një ngjarje e madhe për popullin e Kosovës.
“Ngritja e kapaciteteve teknike të FSK-së, dita ditës tregon që kjo forcë po ngritet sipas standardeve të NATO-s. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja, KFOR-i dhe Bondsteel-i janë sinonime të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe nuk është habi që populli i Kosovës është ndër popujt më pro amerikan dhe qëndron besnik përherë miqësisë me SHBA-në”,tha ai.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është rreshtuar me ushtritë e lirisë dhe paqes dhe se shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të bëhet në bashkërendim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve strategjikë të vendit.
“Kosova nga një vend që konsumon siguri po kthehet në një vend që prodhon dhe ofron siguri dhe është e gatshme të marr pjesë në misione paqeruajtëse, kudo që aleatët tanë e shohin të nevojshme”,tha kryeministri Haradinaj.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie tha se Humvee ka një histori të gjatë dhe krenare në shërbim të forcave amerikane dhe të NATO-s. Ai tha se ndjehet i kënaqur që Forca e Sigurisë së Kosovës e ka zgjedhur Humvee-n modern si automjetin e saj për të ardhmen.
“Por, më shumë sesa vet automjeti, kjo kontratë i dërgon një sinjal të qartë botës se Kosova synon të ndjek integrimin e saj euroatlantik, në mënyra të mëdha dhe të vogla. Kjo blerje do të forcojë partneritetin midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të ndihmojë në arritjen e ndërveprimit midis ushtrisë amerikane, NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”,tha ambasadori Delawie.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Nga shqiptarët ajo shihet si bërthama e Ushtrisë së Kosovës. Por, shndërrimi i saj në ushtri po pamundësohet për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre. Ata thonë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe rrezikon sigurinë e rajonit.