Ballina Aktualitet Komisioni Evropian gjobë prej 5 miliardë dollarësh për Google

Komisioni Evropian gjobë prej 5 miliardë dollarësh për Google

Google është gjobitur me 4.3 miliardë euro (5 miliardë dollarë) nga autoritetet Evropiane.

Komisioni Evropian thotë se Google ka abuzuar me dominimin e Android në tre drejtime. Gjigandi i motorit të kërkimit ka integruar aplikacionet e kërkimit dhe shfletimit në sistemin operativ.

Gjithashtu ka ndaluar prodhuesit të ndërtojnë pajisje që funksionojnë me versione të tjera Android dhe paguar disa prodhues për të integruar Google Search në pajisjet e tyre.

Komisioni Evropian kërkon ti japë fund kësaj praktike në një mënyrë efektive, konkretisht 90 ditë nga vendimi.

Kjo do të thotë se Google nuk mund të detyrojë më prodhuesit të instalojnë aplikacionet e Chrome dhe Google Search nëse duan Google Play Store.

Gjithashtu prodhuesit mund të përdorin versione të tjera të Android. Sa i takon pagesave tek prodhuesit, kompania ndaloi këtë praktikë në 2014-ën kur u hapën hetimet e Bashkimit Evropian.

Google tha se do të apelojë vendimin.

Vitin e kaluar hetimi i Komisionit Evropian ndaj Android u thellua pas ankesave të prodhuesve.

Në 2013-ën një grup kompanish si Nokia, Microsoft, dhe Oracle e quanin Google monopol.

Gjoba prej 5 miliardë dollarësh lë në hije atë të 2.7 miliardë dollarëve vitin e kaluar.

Por gjigand i kërkimit online nuk është kompania e vetme që përballen me dorën e hekurt Evropiane. Apple duhet të paguajë 15.4 miliardë dollarë taksa të papaguara Bashkimit Evropian.

Edhe pse i konsideruar si Open Source, sistemi operativ Android me kalimin e kohës është pushtuar nga programet dhe shërbimet e Google për ata prodhues që dëshironin Play Store. /PCWorld Albanian