Ballina Personazh Kolinda puth për Kroacinë

Kolinda puth për Kroacinë

Kroacia e humbi ndeshjen finale me Francën. Megjithatë njerëzit në Kroaci kanë një gjendje emocionale të një lloji të veçantë. Me në krye presidenten, Kolinda Grabar-Kitarovic.

Emanuel Macron nuk kishte asnjë shans. E pushtuar nga emocionet mbas ndeshjes mbresëlënëse të ekipit kroat të futbollit, presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitarovic përqafoi presidentin francez. Duke harruar distancën e figurave shtetërore. Ai, zotëri burrë, e lë të ndodhë. Më pas kjo do të përsëritet,poshtë në shesh, kur të dy do të përshëndesin ekipet e tyre, të bërë qull nga shiu.

Por kjo nuk mbaron me kaq. E pushtuar prej ndjenjës së suksesit mbas ndeshjes së zemrës së kroatëve të saj, ajo përqafon dhe puth këdo që ndodhet afër saj. Të parin trajnerin, pastaj 22 lojtarët kroatë përfshirë dhe trajnerin dhe në fund madje gjithë ekipin francez të futbollit. Kur përshëndet lojtarin më të mirë të kampionatit,  Luka Modricin asaj madje i dalin lotët.

Mbretëreshë e përzemërsisë

Brenda sekondës presidentja kroate u bë hit në mediat sociale, në të gjithë botën. Me bluzën e bardhë me të kuqe në vend të garderobës së përshtatshme me postin, ajo u kthye në yll të mediave. Presidentja kroate na mëson se njeriu duhet të jetë “i hapur dhe i thjeshtë”, ose “emocional dhe i ngrohtë”. Në twitter shtohet madje ky pohim: “Dy zbulimet më të mëdha të Kampionatit Botëror janë Kylian Mbappe dhe Kolinda Grabar-Kitarovic. Për shkak të këtyre golave dhe për shkak të këtyre përqafimeve ky Kampionat Botëror u kthye në ngjarje inspiruese.”

Madje mediat serbe, që janë kritike dhe refuzuese kur bëhet fjalë për Kroacinë, shkruajtën të çuditur që presidentja kroate ia vodhi shfaqjen të gjithëve në Moskë. Mediat gjermane lëshuan në twitter një citat: “Kur të rritem do martohem me presidenten kroate”. Kaq gjëra pozitive për Kroacinë nuk janë thënë prej kohësh.

apo vetëm e sikletshme?

Sidoqoftë jo të gjithë janë të entuziazmuar me prezantimin e presidentes, madje edhe në Kroaci. Shumë vetë i pritën shpërthimet emocionale të saj me ndjenjën e turpit. Ajo nuk duhet të bëhet qesharake dhe të vërtetojë edhe një herë të gjitha klishetë për ballkanezët si pa shije dhe pa distancë.

Sepse jo vetëm në ndeshjen finale, por edhe gjatë ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Botëror ra në sy Kolinda Grabar-Kitarovic me kërcimet e saj të gëzuara gjatë çdo goli të bërë prej kroatëve. Me tallje u fol pë “Cheerleader-en me postin më të lartë”. Të tjerët lëvduan me ironi mikpritësit rus “që e patën angazhuar atë si këngëtare, për të sjellë në qejf burrat që ndodheshin në lozhe”. Një komentator kroat sporti tha mbas orgjisë së puthjeve në ceremoninë përfundimtare, sa keq që filloi të bjerë shi. Përndryshe presidentja do kishte shkuar të puthte sportistët që ndodheshin aty përreth.

Taktikë e zgjuar

Vallëzimi si akti ku puqen kiçi nacionalist dhe patriotizmi i shëndoshë, politika serioze dhe populizmi është karakteristikë për Kolinda Grabar-Kitarovic. Asaj i pëlqen të ndodhet mes njerëzve, të inskenojë veten si “presidente gju më gju me popullin”, që kritikon punën e qeverisë që ndodhet larg popullit.

Studiuesja e shkencave politike, që flet anglisht, spanjisht dhe gjermanisht dhe ka studiuar në disa vende evropiane dhe në SHBA, është që prej 2015 presidente e shtetit kroat. Para kësaj ajo ka qenë diplomate dhe zëvendës-sekretare e Përgjithshme e NATO-s në sektorin e diplomacisë publike.

Në Kroaci presidenti i shtetit zgjidhet në zgjedhje direkte, megjithatë zgjedhja e saj, në atë kohë politikane pak e njohur nga radhët e dyta të partisë kristiandemokrate HDZ, ishte fitore kundrejt socialdemokratit shumë popullor, mbajtës të postit, Ivo Josipovic. Që me zgjedhjen e saj Grabar-Kitarevic, mundohet të proflizohet si “nënë e kombit”, sepse posti i presidentit në Kroaci nuk është vetëm me detyra riprezantuese. Bashkë me qeverinë ajo duhet të jetë pjesë e bërjes së politikës së jashtme, të drejtojë shërbimin sekret dhe të jetë shefe e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura.

Zgjedhje të tjera shpejt

Kështu Grabar-Kitarevic përzihet edhe në politikën e përditshme dhe ajo i bie rregullisht këmbanave nacionaliste. Ajo prezantohet si mbrojtëse e kroatëve në Bosnjë dhe Heregovinë dhe kërkon forcimin e postit të saj në shtetin jo stabil. Ajo takohet në Argjentinë me migrantë kroatë, që vajtojnë ende regjimin fashist të ustashëve dhe i lëvdon ata për dashurinë për atdheun. Ose thotë pa iu dredhur qerpiku se duhet krijuar një komision për të zbuluar të vërtetën mbi ish-kampin e përqëndrimit në Jasenovc, duke injoruar faktin që biblioteka të tëra janë mbushur me libra për këtë temë dhe për 83 mijë viktimat e njohur me emra.

E fryrë nga një klimë populiste Kolinda Grabar-Kitarovic e kupton rolin e saj si një forcë të tretë, të pavarur midis qeverisë dhe parlamentit. Vitin e ardhshëm do zhvillohen zgjedhjet presidenciale në Kroaci. Kolinda Grabar-Kitarovic nuk ka thënë ende nëse do të kandidojë apo jo. Edhe një legjislacion i lejohet të mbajë. (Zoran Arbutina./ DW)