Ballina Bota BE dhe Japonia vulosin marrëveshjen e tregtisë së lirë

BE dhe Japonia vulosin marrëveshjen e tregtisë së lirë

Pesë vite me radhë u zhvilluan negociata. Tani BE dhe Japonia nënshkruan marrëveshjen e tregtisë së lirë që hyn në fuqi në vitin 2019 dhe mënjanon 99% të doganave mes dy vendeve.

Bëhet fjalë për marrëveshjen historikisht më të madhe të Bashkimit Europian, për nënshkrimin e saj shkuan vetë në Tokio si kreu i Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker ashtu edhe Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk. Nuk kishte moment më të përshtatshëm për takimin e përbashkët me kryeministrin japonez, Shinzo Abe. Në kulmin e grindjes tregtare me Donald Trump, BE dhe Japonia dërgojnë një sinjal kundër politikës së izolimit të Uashingtonit duke nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë që hyn në fuqi në vitin 2019.

Treg me 127 milionë banorë

“Marrëveshja Ekonomike e Partneritetit”, e njohur si Jefta në opinionin publik sjell avantazhe për të dyja palët.  Nga BE thuhet se eksportuesit europianë mund të kursejnë deri në 1 miliardë dollarë në vit në dogana, në të njëjtën kohë pritet një rritje e eksportit. Japonia ka një treg me 127 milionë banorë. Vetëm në vitin 2016, vëllimi tregtar mes BE dhe Japonisë kapi shifrën e 120 miliardë eurove.

Krahas kontratave tregtare, marrëveshja përmban edhe një kontratë për këmbimin e të dhënave. Kjo ujdi krijon hapësirën më të madhe ekonomike në botë, ku të dhënat personale duke ruajtur standarte të larta sigurie mund të shkëmbehen, bëri të ditur KE. Informacionet për europianët që përpunohen në Japoni i nënshtrohen standarteve që janë të barasvlershme me rregulloret e BE. Eurodeputeti i Gjelbër, Sven Giegold e kritikoi Jeftan. Sipas tij nuk duhet këmbëngulur vetëm tek liberalizimi i tregut por edhe tek standartet sociale dhe ekologjike. Ky shans humbi me marrëveshjen e Jeftas, tha Giegold.