Presidenti Donald Trump parashikon një marrëdhënie të jashtëzakonshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë pas takimit dje në Helsinki me Presidentin rus Vladimir Putin. Në Evropë po shfaqet shqetësim në rritje nga dëshira që po shpreh Presidenti Trump për forcimin e marrëdhënieve me Moskën, pavarësisht nga akuzat e shumta ndaj Kremlinit, ndër to aneksimi i Krimesë, goditja e avionit MH17 dhe sulmi kimik kundër agjentit rus në tokë britanike.
Një takim që ka tronditur Evropën: presidenti i Amerikës, aleatit më të fortë të këtij kontinenti, në relata shumë të përzemërta me udhëheqësin e Rusisë, një vendi që shumë e shohin si një kërcënim të qartë dhe të pranishëm. Marrja e Krimesë nga Rusia u përmend, por fare shkurtimisht në konferencën e përbashkët për shtyp.
Në Kiev dhe Evropë shprehet një farë çlirimi që Presidenti Trump nuk e mbështeti homologun rus në lidhje me Krimenë. Por toni i konferencës për shtyp ka alarmuar aleatët e Amerikës.
“Fakti që ai u përpoq aq shumë për të krijuar në paraqitje një ekuivalencë morale fallso mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, si dhe mes Perëndimit dhe Rusisë, dhe Shteteve të Bashkuara e Rusisë, kjo tronditi shumë vetë. Nëse duam të diskutojmë nëse kishte përparim nga ky takim, në fakt samiti na ka larguar nga axhenda perëndimore, nga çështje si tërheqja e Rusisë nga Krimea,” thotë analisti Mark Galeotti.
Për Presidentin Trump, komentet ishin të drejtuara ndaj bazës së tij në Amerikë thotë ish-ambsaadori amerikan në Rusi, Thomas Pickering.
“Pjesa tjetër e botës nuk voton për presidentin amerikan. Ata që votojnë i kanë qëndruar në krah Presidentit Trump megjithë këto që ka bërë për një vit e gjysmë”.
Bashkimi Evropian organizoi një takim me udhëheqës të Amerikës Latine, ku u shfaq hapur nervozizmi nga qëndrimi i Presidentit Trump ndaj aleatëve.
“Presidenti amerikan po përpiqet të shkaktojë provokime. Ai po përpiqet të përçajë BE-në. Na quan armiq, por ne nuk jemi të një mendjeje me të,” thotë Michael Roth, Ministri gjerman për Çështjet Evropiane.
Megjithë reagimet e forta, Evropa do të përpiqet të manovrojë gjatë këtyre viteve të presidencës Trump, thotë analisti Galeotti.
“Një ndër efektet anësore të fushatës Trump është se mund ta detyrojë Evropën të tregohet më serioze. Në vend që të vazhdojë të ndjekë shembullin e Amerikës, Evropa mund të dalë tani në planin ndërkombëtar me politikat e saj”.
Takimi i djeshëm u zhvillua në prag të katër vjetorit të rrëzimit të avionit MH17, që sipas hetuesve u godit nga një raketë ruse.
Fakti që Rusia nuk ka pranuar t’u përgjigjet akuzave, në listën e gjatë të shqetësimeve për shkeljen e normave ndërkombëtare, dëshmon se të paktë janë udhëheqësit perëndimorë që do të ndjekin shembullin e Presidentit Trump për të ndrequr marrëdhëniet me Moskën.