Presidenti Donald Trump, deklaroi në krah të udhëheqësit rus Vladimir Putin, se nuk shihte ndonjë arsye për të besuar se Moska ndërhyri në zgjedhjet, të cilat e bënë atë president të SHBA në vitin 2016.Të gjitha agjencitë kryesore të zbulimit amerikan kanë arritiur në përfundimin se ka pasur një ndërhyrje të tillë nga Rusia gjatë zgjedhjeve dhe kjo çështje është fokusi i një hetimi të madh federal që ka vënë në shënjestër jo vetëm rusët, por edhe anëtarë të stafit të fushatës zgjedhore të zotit Trump.
“Presidenti Putin ishte jashtëzakonisht i fortë dhe i fuqishëm në mohimin e tij sot,” tha Presidenti Trump duke folur rreth kësaj çështjeje.
Nga ana e tij, zoti Putin tha se i kishte deklaruar Presidentit Trump gjatë bisedimeve të tyre se “shteti rus nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk planifikon të ndërhyjë në procesin e brendshëm të zgjedhjeve amerikane”.
Zoti Trump u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në pallatin presidencial të Finlandës se ai e kaloi një “kohë të gjatë” në bisedime duke trajtuar çështjen e ndërhyrjes ruse.
Presidenti amerikan tha se nuk e kritikoi drejtpërdrejt homologun e tij rus lidhur me këtë çështje apo ndonjë tjetër, për të cilën Uashingtoni dhe Moska kanë dallime të mëdha.
Politikanët amerikanë, në të dy anët e spektrit politik, si dhe ish-zyrtarë amerikanë të zbulimit dhe diplomatë filluan t’i kritikojnë ashpër komentet e zotit Trump, edhe para se presidenti të hipte në avion për t’u kthyer në SHBA.
Udhëheqësit, optimistë
Të dy udhëheqësit i karakterizuan bisedimet mes tyre si të mira.
“Pritshmëritë tona janë të bazuara në realizëm, por shpresat tona janë të bazuara në dëshirën e Amerikës për miqësi, bashkëpunim dhe paqe”, tha Presidenti Trump. “Dhe unë mendoj se mund të flas edhe në emër të Rusisë, kur e them këtë.”
Të dy presidentët kaluan më shumë se dy orë duke folur ballë për ballë në prani të vetëm përkthyesve. Ky diskutim u pasua nga bisedime më të gjera me praninë e ndihmësve.
“Marrëdhënia jonë kurrë nuk ka qenë më e keqe se sa është tani, megjithatë, kjo ndryshoi që nga rreth katër orë më parë,” deklaroi presidenti i SHBA në konferencën e shtypit.
Hetimi vazhdon
Takimi i së hënës erdhi tre ditë pasi prokurori i posaçëm Robert Mueller paditi 12 oficerë të inteligjencës ruse, duke i akuzuar ata për ndërhyrje në zgjedhje për të ndihmuar zotin Trump të fitonte Shtëpinë e Bardhë.
Të hënën, Presidenti Putin në konferencën e shtypit, ftoi hetuesit e zotit Mueller për të vizituar Rusinë.
Udhëheqësi rus sugjeroi gjithashtu që zoti Mueller t’u dërgonte një kërkesë autoriteteve ruse lidhur me personatg e akuzuar në SHBA.
“Organet tona ligjzbatuese janë plotësisht të aftë ta bëjnë marrjen në pyetje dhe të dërgojnë materialet e duhura në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Putin.
Rusia nuk ka traktat ekstradimi me Shtetet e Bashkuara, prandaj nuk ka gjasa që t’i dorëzojë të dyshuarit në Shtetet e Bashkuara për t’u gjykuar.
Paditë e reja bënë që një numër senatorësh amerikanë, mes tyre edhe një republikan, të kërkonin që zoti Trump të anulonte samitin e tij me Presidentin Putin.
Në konferencën e shtypit zoti Putin u pyet nëse qeveria e tij kishte informacion kompromentues mbi Presidentin e SHBA, një referencë për të ashtuquajturën “Dosje Steele” që përmban informacione të paprovuara për njërën nga vizitat e zotit Trump në Moskë kur ishte biznesmen.
“Kam qenë vetë oficer i shërbimit të fshehtë, dhe e di se si bëhen dosjet,” u përgjigj zoti Putin. Ai shtoi se është “marrëzi e plotë” të imagjinohet se Rusia përpiqet të mbledhë materiale komprometuese për çdo figurë të rëndësishme amerikane të biznesit që viziton vendin.
Gjatë javës së tij në Evropë, zoti Trump i sfidoi aleatët tradicionale të SHBA në çdo hap – duke filluar nga një samit i NATO-s në Bruksel, ku ai kritikoi krerët europianë se nuk shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
Ai e vuri veten në mes të një polemike të brendshme politike në Londër, ku i tha një gazete se kryeministrja Theresa May kishte injoruar këshillat e tij rreth asaj se si duhej bërë dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian.’
Ai gjithashtu deklaroi se Boris Johnson, i cili ishte larguar nga kabineti i zonjës May si ministër i jashtëm për mosmarrëveshjet rreth planit të saj për çështjen Brexit, “do të ishte një kryeministër i shkëlqyer”.