Ballina Bota Takimi Trump-Putin, reagojnë ligjvënësit amerikanë

Takimi Trump-Putin, reagojnë ligjvënësit amerikanë

Një numër figurash politike në Shtetet e Bashkuara reaguan pas komenteve të Presidentit Donald Trump në Helsinki, i cili nuk mbajti anën e agjencive amerikane të zbulimit, që kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në konferencën e përbashkët të shtypit me udhëheqësin rus Vladimir Putin pas samitit të tyre, Presidenti amerikan tha se udhëheqësi rus e kishte “mohuar me forcë” ndërhyrjen e Moskës. Ai e quajti “një fatkeqësi për vendin tonë” hetimin 14 mujor të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e mundshme të fushatës së zotit Trump me rusët.

Komentet e Presidentit Trump shkaktuan reagime të menjëhershme në Shtetet e Bashkuara.

Senatori republikan Lindsey Graham, në përgjithësi një përkrahës i Presidentit Trump, tha në Twitter: “Një mundësi e humbur nga Presidenti Trump për t’i kërkuar me ngulm llogari Rusisë për ndërhyrjen në vitin 2016, dhe për t’i bërë një paralajmërim të fortë atij kundër ndërhyrjes në zgjedhjet e ardhshme. Përgjigja e Presidentit Trump do të shihet nga Rusia si një shenjë e dobësisë dhe do të krijojë më shumë probleme.”

Një tjetër senator i njohur republikan, John McCain, tha: “Konferenca e sotme e shtypit në Helsinki ishte një nga paraqitjet më të turpshme të një presidenti amerikan. Është e vështirë të matet dëmi i shkaktuar nga naiviteti i Presidentit Trump, egoizmi, ekuivalenca e rreme dhe simpatia për autokratët.”

Paul Ryan, republikan i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, tha: “Nuk ka dyshim se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet tona dhe vazhdon përpjekjet për të minuar demokracinë këtu dhe në mbarë botën”. Ai shtoi se “Nuk ka ekuivalencë morale mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila mbetet armiqësore ndaj vlerave dhe idealeve tona më themelore”.

Edhe ligjvënësit demokratë shprehën zemërimin e tyre ndaj komenteve të Presidentit Trump. Senatori Mark Warner nga Virxhinia, anëtar i Komisionit të Senatit për Zbulimin, që ka rënë dakord me vlerësimin e agjencive amerikane të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet të vitit 2016 dhe u përpoq të ndihmonte zotin Trump kundër rivales së tij demokrate Hillary Clinton, tha: “Është e turpshme që Presidenti mori anën e Putin-it për zyrtarët e tij të zbulimit dhe fajësoi Shtetet e Bashkuara për sulmin e Rusisë mbi demokracinë tonë”.

Udhëheqësi i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer tha se zoti Trump i fajësoi të gjithë me përjashtim të fajtorit. Ai tha gjithashtu se Presidenti amerikan “i zuri besë fjalës së KGB-së dhe jo të CIA-s.”

Edhe senatorët e tjerë demokratë Elizabeth Warren, Tim Kaine dhe Bill Nelson kritikuan ashpër komentet e Presidentit Trump në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.