Tufalakim poetik nga Kaltrina Hoti
E di…
Do ta shëtis veten nëpër ëndrra
Një ditë do të jem e dukshme
Tjetrën nuk do më shihni
Shpesh do të eci nëpër qiell
Do t’i hapi krahët ndër ujë
Kur të thonë është e pamundshme
Unë me buzëqeshje hëne
Yllin e natës do ta përpi
E di jetës ja dhurova jetën dy herë
Ajo mua më dhuroj imagjinatë
Të qëndisur me xixëllonjat e natës
E paloj zemrën në shuplakë të dorës
Nëna tokë ta shtrydhë për veti.
Plaga e kurbetit
Hapi krahët dhe më merr me veti
E lehtë do të jem
Shpesh do ta dëgjosh pëshpëritjen
Ku kërkon shpirti të ndalet
Më ndihmo të çmallem
Kurbeti më bëri qiri
Para se bëhemi qiell
Ndalu te avenue e gjashtë
Ku pikoj loti i parë i frikës
Njeriu pa gjuhë pa emër
Pa titull pa numër
Eci i zbathur
Më merr do të jem e qetë
Nga lartësia ta shoh
Bjeshkën e vetmuar
Burimin sekret ta tregoj
Ku uji është më i ftohtë se errësira
Por të freskon si kënga e zanave
Më merr o pëllumb i bardhë
Zemra më është çart
Varrin e babait ende se kam parë
Dua të puthi duart e nënës plakë
Por nuk dua të më shoh
Si ka mbetur fuqi për të lotuar
Hapi krahët
Dua shpirtin tim ta shtri
Në bardhësinë tënde
Të fluturojmë së bashku në çerdhen time
Më merr o pëllumb
I lehtë është shpirti im.
Më pyete kush jam
Çdo ditë nga një dritë e kam të falur
Jo për mua
Por për atë ku zëri thërret
Po të them kjo dritare s’ka dry
Është burim drite
Është udhëdritë në dorën time
Çdo ditë një mrekulli e kujtoj
Jo për mua
Por për atë që qëndron në maj të malit
Kur frikësohet nga çfarë sheh
Ia përcjelli një gacë të guximit
Çdo ditë jap nga vetja ime mija ngjyra
Përmes dhimbjes dhe buzëqeshjes
Të kuptosh atë që e ke në pragun tënd
Merre jetoje ngadalë ta ndjesh ndjenjën
Më pyete kush jam?!
Jam ngjyrë e qiellit që derdhet në tokë
Nuk të takoj ty as vetes.
Me fjalën tënde
Në shtatë pjesë gurin e zemrës e copëtove
Loti i ngrirë në puthje u shndërrua
Buzëqeshjen e humbur e vodha
Nga jeta e jetuar
Me fjalën tënde e shtrova shtratin e dashurisë
Bëhu erë e malit të luash me flokun tim
T’a di që nuk jam në ëndërr
Vitet e para të mërgimit i kaloi ne Nju-Jork,më vonë u zhvendos në Teksas ku e hapi biznesin e saj.
Nga viti 2011 vendos t’i kthehet ëndrrës së saj… pikturës dhe vargut. Për dy vjet pikturon në Studion e Chuck DeHaan western Artist (www.chuckdehaan.com).
Deri më tani në gjuhën angleze ka botuar veprat:
Voices, poezi, “Publish America”, Nju-Jork, 2011
Touch of Italian attitude in your kitchen, monografi e artit të kuzhinës, “Publish America”, Nju-Jork, 2014
Come dance with me through words of thoughts, poezi, SBPRA, Huston, 2013
Dancing on the rain”, poezi, “Vecchia Publishing”, Nju-Xhersi, 2017
Dy poezi të botuara në një antologji të poezisë botërore, “Serenity”, të publikuara nga Eber & Wein Publishing (ku janë poezitë e poetëve më me famë botërore, duke filluar nga Edgar Allan Po).
Në gjuhën angleze ka marrë “Certificate of World poetry movement “.
Bashkë me mësuesin e saj të pikturës, Chuck DeHaan, botuan librin shkollor me piktura “Western coloring book“, 2009.
Më 2014, në Teksas – Ultimate Medical Academy – degree of ”Associate of Science“.
Për ta plotësuar zbrazëtinë e shpirtit, siç shprehet ajo, më 2016 vendos të shprehë botën e saj artistike në gjuhën shqipe:
Ta mora vargun, poezi, “Tringa”, Tetovë, 2016
Preke ëndrrën, poezi, “Tringa”, Tetovë, 2016
Puthja Sekret, poezi, “Tringa”, Tetovë, 2016
Flaka e shpirtit, poezi, “Tringa”, Tetovë, 2016
Buzëqesh, poezi, “Tringa”, Tetovë, 2016
Mos e prek, poezi, SHKAL”Naim Frashëri”, Kosovë, 2017
Tani jeton në Nju-Jork, ku vazhdon me laps dhe brushë të shënojë kohën e kaluar dhe të përcjellë eksperiencën e kurbetit nëpërmjet vargjeve dhe abstraktit në pikturë.
Për të, poezia është pikturë e papikturuar, ku vargu shpreh ngjyrën e ndjenjës, kurse piktura është poezi në heshtje, ku ndjenja shpërthen nëpërmjet ngjyrës, shprehet ajo.