Ballina Ravijëzime Mes bashkëkombasve tanë në Ulqin

Mes bashkëkombasve tanë në Ulqin

-Reportazh për Ulqinin nga Namik Selmani –

Më 1921 shteti jugosllav i kohës, në të cilin ishte përfshirë edhe Ulqini, e kishte “pagëzuar“ atë me emrin më të ri “Qytet me vlera kurative”. Për vlerat e shumta shëndetësore që kishte uji i detit, për llixhat që ishin në afërsi të tij …Që nga ajo kohë një pjesë e turizmit jugosllav njësohej edhe me emrin e Ulqinit të lashtë e të ri. Me historitë e detit, me bukurinë e pakrahasueshme që i ka falur natyra këtij qyteti. Me mijëra e mijëra turistë të shumtë nga të gjithë vendet e Evropës, kryesisht të nivelit më elitar të kohës vinin e shkonin në këtë qytet jo thjesht për të parë vlerat e shumta historike që edhe sot janë “kryefjala’ e turistëve të ardhur nga Lindja e Perëndimi, por edhe për detin, edhe për kalanë ku dikur kishte ecur i menduar me statusin e dhimbshëm të të internuarit kryepoetit spanjoll Miguel de Serevantes.
Në rrokopujën e 100 viteve Ulqini vazhdon të joshë të gjithë mysafirët, kësaj radhe të ardhur me shumicë edhe nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. T’i joshë me detin, por edhe me mikpritjen qytetare kaq karakteristike të shqiptarit pavarësisht se në cilën ombrellë shtetërore ka qenë apo edhe është akoma.

Traditë, përvojë dhe …” shkollë “ e vërtetë turizmi

Brigjet e Ulqinit, të paktën tash 90 vjet janë bërë një “liman” i lakmueshëm dhe i ëndërruar për investitorët e shtetit të dikurshëm jugosllav. Një nga hotelet aktualë më të mëdhenj të Ulqinit quhet “Albatros”. Në të drejton për disa vjet shqiptari i mençur dhe biri i kalasë ulqinake, Xhemal Bushati. Hoteli është ndërtuar që më 1969. Projektues i tij ka qenë një arkitekt nga Maqedonia dhe që nga privatizimi i tij, më 1994, është pronë e aksionerëve rusë.
Në jetën e veprimtarinë e Xhemal Bushatit sheh atë forcë të brendshme të intelektit, por edhe të patriotizmit për të administruar sa më sukseshëm këtë pasuri kaq të madhe turistike që ka ky qytet akoma shumë i lakmuar nga shumë evropianë pa folur edhe shumë shqiparë të Maqedonisë, Shqipërisë e sidomos të Kosovës.
Më pëlen fakti se emrat e hoteleve në Ulqin kanë shumë shqiptarizëm dhe e kanë përballuar me shumë kujdes atë asimilim që mund t’i prekë pakicat e kombeve kur ata bashkëjetojnë me një komb tjetër më të madh në numër se ata. Megjithatë duhet thënë se akoma gjuha shqipe nuk e ka gjetur si duhet vendin në këtë qytet.
Nga na tjetër harmonia e traditës me të renë në ndërtimtari, në mentalitet, në gatim, në komunitetet fetare e bëjnë Ulqinin një qytet të ëndërruar për turistë nga të gjithë vendet.
…Xhemali, ky nip i nderuar i një familjeje të ardhur nga Bushati i Shkodrës, njohës i shkëlqyer i 6 gjuhëve të huaja, e ka shtëpinë e tij në Kala, me fytyrë nga deti Adriatik. Në vendi më të dukshëm të saj ai ka një pemë të madhe me mbi 120 familje të fisit Bushati që sot i gjen në të gjithë skajet e botës ku punojnë e jetojnë. Kjo “hartë” e prejardhjes së këtij njeriu aq i dashuruar me punën, vendlindjen, ndershmërinë që e përcjell te fëmijët Marigona e Veton, është edhe një shenjë e fisnikërisë ulqinake që e pamë edhe te shumë familje e intelektualë të tjerë të Ulqinit.
“Ky qytet është i përparuar në turizëm për disa arsye,- na thotë ai,- Për mbi 80 vjet qyteti vazhdon të jetë praghapur për të gjithë pushuesit e Evropës. Nga këta pushues brezat e parë ne morëm atë që kishte më të mirë Evropa në këtë drejtim. Pas viteve 90 me privatizimin e shumë hoteleve, shërbimi u bë edhe më cilësor. Në këto vite ai u hap edhe për shumë shqiptarë të trojeve etnike”
Me shumë emocion ai na tregon se është një nga nismëtarët e parë të sjelljes së bashkëatdhetarëve tanë. Ai është mik i artistëve, shkrimtarëve, gazetarëve dhe mendon se biznesi duhet që të bashkëpunojë më mirë me artin, sidomos kur ai është cilësor dhe vihet në shërbim të popullit. E shohim këtë përkushtim ndaj shërbimit edhe te Mitat Katana që familjarisht për muaj të tërë i qëndron në kokë punës për t’i shërbyer me qindra klientëve që vinin në lokalin e tij. Njerëz që shpesh duhet të bëhen modele për t’i ndjekur kudo.
Në Ulqin nuk njihet vjedhja. Kulturë qytetare? Siguri shtetërore? Një Kod i pashkruar i turizmit që e do patjetër statusin e “qytetit pa vjedhës”?? Mund të jenë të gjitha.

Ulqini – kjo portë e kulturës

Në një nga lokalet buzë detit, të mbushur me pushues nga e gjithë Evropa e ku muzika shqiptare të vjen vrullshëm në bisëdën miqësore, takojmë Poetin e Detit të Ulqinit si e quajnë këtu Bacë Hajro Ulqinaku. “Ky qytet është i bukur se ka edhe shumë poetë që e kanë gdhendur në vargje bukurinë e shpirtin e tij. Pse jo ka qenë edhe arkivoli i fundit i jetës së tyre. Këtu Vorea Ujko ka bërë një libër të tërë për Ulqinin që e botoi në Itali. Miku i tij Rifat Kukaj, vdiq në breg të detit pikërisht në Ulqin.” Ai na zgjat në duar një Antologji interesante poetike, e vetmja në trojet tona amtare kushtuar një qyteti, për të cilën ka punuar si hartues që prej shumë vitesh. me shumë sakrificë, por me lumturi për këtë “dhuratë“ për Ulqinin e tij. Libri titullohet “ Ulqin, ti det” dhe përfshin shumë poetë që nga Serevantesi, nga folklori i pasur ulqinak, Naim Frashëri deri te poetët bashkëkohorë, qofshin edhe malazezë. Fjala poetike e Ali Podrimes, Basri Çapriqit, Din Mehmetit, Martin Camaj e të shumë e shumë poetëve për këtë qytet i japin atij një “kurorë” poetike që rrallë qytete e kanë mbi kokën e tyre. Mes këtij emocioni mbarëkombëtar për këtë libër “pasaportë” rindjeva gëzimin që falë një bshkëpunimi me poetin e mikun tim Hajro Ulqinakun edhe unë u bëra pjesë e këtij libri me poezitë “ Mos i thoni erës!”,
“Portret i një qyteti“ dhe “Bjeshka e Rumisë”.
Një poet, studiues kaq punëtor e kaq dashamirës ndaj kulturës sonë kombëtare në Ulqin si Nail Draga tregon për revistën “Lemba”. Ka vite që “Lemba” tërheq studiues nga të gjitha trojet amtare, nga Ulqini, Kosova, nga Shqipëria e Maqedonia dhe është bërë një “sofër“ e madhe ku gëlon e ardhmja dhe e kaluara e lavdishme e kombit dhe bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe vendasve në këtë shtet të ri.
Studiuesin dhe gazetarin Esat Mehmeti e takuam në mjediset e Radio “Ulqinit”. Kjo radio ka tashmë një përvojë 30-vjeçare. Në këtë radio Esati përgatit lajmet në gjuhën shqipe. Ai na tregon se akoma shqiptarët e Malit të Zi kanë “uri” për gjuhën amtare, për botime që lidhen me të. Në mjediset publike të qytetit madje edhe në sallat e shërbimit të lokaleve edhe pse shpesh shumica e klientëve janë shqiptarë, për fat të keq listat e gjellëve shkruhen në gjuhën malazeze.
Në të gjithë rrigët kryesore të qytetit , në Plazhin e Vjetër e të Ri, në afërsi të kalasë, në xhamat e lokaleve të shumtë shihje posterat e verës së këtij viti. Të duekj se të gjithë këto këngëtarë, kryesisht shqiptarë nga Mali i Zi, nga Kosova e nga Shqipëria kishin ngulur “çadrën” e këngës së tyre në muajt e zhurmshëm të verës ulqinake. Gjuste Vulaj, Shpat Kasapi, muzika moderne që mbushte lokalet shumë të mëdhenj me karrike dhe me një skenë të gatshme në arkitekturën e secilit mbushnin çdo natë deri në orët e vona qytetin me meloditë e preferuara të këngëve të tyre ku shpesh nuk dalloje këngëtarët nga vetë pushuesit që shkriheshin me to.
Fundkorriku ulqinak që prej disa vitesh ka marrë një status të ri, atë të një Panairi Kombëtar të Librit që organizohet këtu që prej disa vitesh. Nga viti në vit është rritur numri i botimeve që paraqiten në to, numri i Shtëpive botuese, padyshim edhe numri i lexuesve shqipfolës që e ndjekin me shumë ineteres atë jo thjesht si treg libri, por si një “ushqim” për kulturën kombëtare kudo ku ajo frymon Për këtë Drejtori i Qendrës Kulturore të Ulqinit, këngëtari i njohur Shaban Gjekaj na thotë se “Komuna bën një punë të nadhe që disa muaj më parë. Ai na tregon gjithashtu se para këtij Panairi ka patur disa ekspozita fotografike dhe pikture me figura të njohur të artit shqiptar të të gjitha trojeve. Poeti Haxhi Shabani dhe Hajro Ulqinaku na tregojnë për përgatitjet e fundit që po bëhen për një tjetër veprimtari poetike që do të organizohet në ditët e para të muajit gusht të këtij viti me poetët shqiptarë e të Ballkanit. Ai është quajtur me titull “Kalimera poetike“. Në datën 4 gusht të gjithë poetët do të ligjërojnë për Ulqinin, për detin e vargjeve të tyre përballë një Adriatiku kaq të gjërë e të dashur për vendasit.
Kalaja e Ulqinit, kreni e dhimbje

Për secilin vizitor të ri që vjen në këtë qytet, nuk mund të thuash se e ka vizituar, atë nëse nuk ka shkuar qoftë edhe për disa orë në Kalanë e Ulqinit. Kalaja sot ka 50-60 familje brenda mureve të saj të ngritur që para 2500 vitesh. Por në Shoqatën “Miqtë e Kalave”, të drejtuar prej vitesh nga Ismet Karamanaga janë rreshtuar gati 1000 anëtarë. Kalaja të befason me relike nga më të veçantat. Secila shtëpi brenda mureve të dhomave saj është një muze më vete ku cicëronë të tyre janë vetë banorët mikpritës të tyre. Në njërën prej tyre Ibrahim Bushati, tepër energjik dhe kurajoz, na tregon për prejardhjen e lashtë të banorëve të saj dhe thotë se e ka të vështirë që ta mendojë jetën jasht mureve të kësaj kalaje. Ky kështjellar i përjetshëm shqetësohet shumë se “vetëm dy tre metra larg, në themelet e lashta të kalasë një dorë e papërgjegjshme ka hapur themelet për të ndërtuar një objekt modern brenda mureve pa menduar se kështu i humbin vlerat autoktone. “
Një vizitë në kala është shumë emocionuese. Nga të gjithë rrugicat të përshëndesin njerëz me urimin e ngrohtë. Në shtëpinë e Xhemalit e të Ibrahimit kafeja e mikpritjes i a kalon ëmbëlsisë së zakonshme përballë asaj mikpritjeje dhe një krenarisë së të qënit “kalari”. Këtu ndjeheshe më se i lumtur në lumturinë e njeë vizite në këtë qytet. Në të gjithë takimet që bëmë me miq të vjetër e të rinj ulqinakë morëm urimet për futjen e Beratit në UNESCO. Të gjithë intelektualët që takuam ishin të gatshëm që të punonin sa më parë për të plotësuar “Dosjen e kalasë së Ulqinit“ për ta parë sa më shpejt këtë pasuri kaq të madhe në radhën e pasurive të mbarë njerëzimit. Për shqiptarët kudo ku janë do të ishte një sihariq i ri para botës e brezave që do të vijnë.
Kryetar Ismeti, ky “karakoll” i vërtetë në mbrojtje të kalasë me të gjithë vlerat e saj historike, qytetare, autor i librave me këtë temë, na flet për një studiues të shquar malazezz si Pavle Miriç që për 17 vjet punoi me shumë dashuri për vlerat e kalasë së Ulqinit dhe shkroi për të.
“Ju jeni para nesh,- na kujton Ismeti bisedat e shumta që bënte me të.– Por jo të gjithë mendojnë kështu ndaj ne duhet që t’i tregojmë më shumë vlerat tona e t’i mbrojmë ato”
***
Në përcjelljen ulqinake janë në të njëjtën kohë klithma e pulëbardhave që puthin valët e brigjet, një dritë magjike hënësore që derdhet mbi Adriatik, përshëndetje peshkatarësh, fëshfërima ullinjsh që të kujtojnë Çamërinë (në Ulqin ka shumë familje e fise të ardhur nga Çamëria), vështrime të ngrohta njerëzore dhe fjalë të urta kështjellarësh të kohërave moderne. Histori pa fund dhe legjenda për mbidetin e nëndetin ulqinak. Puthje gurësh. Këngë që mpleksen me urtinë dhe historinë. Mbi të gjitha, të vijnë pas kudo ku shkon, ato vargje të këngës së Ago Ymerit:
Ah, Ulqin, tanë jetën të kam pasë në zemër,
nandë vjet të kam pasë për natë në ëndërr,
nandë vjet kam dashur me ta puthun token.
I futur mes magjisë e reales, mes baladës e jetërsimit, Ulqini mbetet një ëndërr që preket vërtet.