Kritikat e Presidentit Donald Trump për përfshirjen e Gjermanisë në një marrëveshje me Rusinë për një tubacion gazi, i dhanë shkas dy ditëve me tensione në takimet e NATO-s në Bruksel por mund edhe të kenë përcaktuar tonin për takimin e Helsinkit me Presidentin rus, Vladimir Putin të hënën.
Në një shkëmbin të tensionuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg të mërkurën, zoti Trump tha se Gazjellësi Verior 2, që do të dërgonte gaz në Gjermani direkt nga Rusia përmes Detit Balltik, e bën vendin më të madh dhe më të pasur të alencës perëndimore në Evropë, “krejtësisht të kontrolluar” nga Rusia dhe “rob” të saj.
“Ne duhet t’ju mbrojmë ju nga Rusia por Gjermania po i paguan miliarda dollarë Rusisë dhe mendoj se kjo është shumë e gabuar”, i tha Presidenti Trump zotit Stoltenberg.
Sipas udhëheqësit amerikan, Gjermania “i eliminoi komplekset e veta të qymyrit dhe energjisë bërthamore, dhe po merr shumë më tepër naftë dhe gaz nga Rusia. Mendoj se NATO-ja duhet ta shqyrtojë një gjë të tillë”.
Si konsumatori më i madh i Evropës në gaz natyror, Gjermania mbështetet tek Rusia për afro gjysmën e importeve të saj të gazit, që përbën 20 për qind të sasisë së përgjithshme të energjisë, sipas grupit Marex Spectron me qendër në Londër. Shoqata Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që kërkesa për gaz natyror në Gjermani të rritet 1 për qind në pesë vitet e ardhshme, ndërsa Berlini vazhdon nxjerrjen graduale nga përdorimi të të gjitha komplekseve me enegji bërthamore deri në vitin 2022.
Gazsjellësi Verior 2 që është zgjerim Gazsjellësit Verior 1, parashikohet të përfundojë në vitin 2019 dhe pak a shumë do ta dyfishonte volumin e eksportit rus në këtë drejtim.
Zoti Trump thotë se zgjatja prej 11 miliardë dollarësh dhe afro 1 mijë e 300 kilometra nga Rusia në Gjermani do t’i jepte Moskës më shumë peshë gjeopolitike në Evropë në një kohë intensifikimi tensionesh ndërkombëtare, një linjë mendimi e ngjashme me atë të ish-presidentëve Barack Obama dhe George W. Bush që e kishin kundërshtuar Gazsjellësin Verior 1.
Administratat amerikane janë përpjekur prej kohësh të bindin Gjermaninë, konsumatoren më të madhe të energjisë në Evropë, që të blejë Gaz Natyror të Lëngëzuar amerikan, në një përpjekje për të marrë nën kontroll një sektor të tregut që është mbizotëruar për një kohë të gjatë nga rrugët ruse të shpërndarjes dhe që kalojnë përmes Ukrainës.
Polonia dhe Lituania që janë mes kritikëve më të zëshëm të Gazsjellësit Verior 2 në Evropë, kanë ndërtuar terminale të Gazit Natyror të Lëngëzuar që do të përfitonin nëse Shtetet e Bashkuara marrin këtë kontroll. Por vende të tjera ish-sovjetike si Ukraina, Letonia dhe Estonia, kanë paralajmëruar prej kohësh se një mbështetje në rritje tek energjia ruse jo vetëm që komprometon sigurinë evropiane, por edhe shpërblen Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe fushata të tjera për destabilizimin e Bashkimit Evropian.
Në vitin 2009, një mosmarrëveshje mes Moskës dhe Kievit, çoi në ndërprerjen e furnizimit me gaz të Evropës Perëndimore në mes të dimrit, duke lënë shumë vetë pa ngrohje.
Kritikët e Gazjellësit Verior 2, thonë se ai jo vetëm do t’i privonte vende transit si Polonia dhe Ukraina nga miliarda dollarë nga tarifat e tranziti, por do t’u jepte mundësinë Rusisë që të penalizonte kundërshtarët në Evropën Lindore pa sakrifikuar marrëveshje fitimprurëse me perëndimin.
Ekspertja e Energjisë në Këshillin e Atlantikut, Agnia Grigas, Gazjellësi Verior 2 bie ndesh me strategjinë zyrtare të BE-së për sigurinë e energjisë.
“Nëse ndërtohet ky gazsjellës, Gjermania do të ishte vendi i BE-së më i ekspozuar ndaj ndikimit të dyshimtë rus. Moska prej kohësh është mbështetur tek biznese dhe ligjvënës gjermanë për të përparuar objektivat e veta strategjike. Për shembull, pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, kompani të mëdha gjermane me lidhje të konsiderueshme biznesi me Rusinë ishin ndër kritikët më të ashpër të sanksioneve perëndimore ndaj Moskës”, shkruante ajo së fundmi.
Duke iu përgjigjur sulmit verbal ndaj Berlinit, Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se e dinte shumë mirë nga përvoja e saj në fëmijëri, se ç’do të thoshte të jetoje nën kontrollin sovjetik.
Por ajo shtoi se marrëveshjet e energjisë me Rusinë nuk e bëjnë Berlinin e shekullit të 21-të, rob të Moskës.
Paraardhësi i zonjës Merkel, Gerhard Schroeder, që e kishte pasur prej kohësh mik presidentin rus Putin, e kishte mbështetur Gazjellësin Verior që para se të humbte pushtetin në vitin 2005. Më pas ai u bë kryetar i Rosneftit, kompania më e madhe e naftës në Rusi, që është nën kontrollin e Kremlinit.
Në mars, politikanët evropianë i shtuan thirrjet për sanksione kundër ish-kancelarit për përfaqësimin nga ana e tij të interesave ruse, por emri i tij nuk është deri tani mes individëve të vënë në shënjestër nga sanksionet.