Ballina Aktualitet Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vizitoi plantacionet me pemë dhe...

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vizitoi plantacionet me pemë dhe fabrikën e lëngjeve “Frutomania”

Gjilan, 13 korrik 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në fshatin Kravaricë të Gjilanit, ku ka vizituar plantacionet me pemë dhe fabrikën e prodhimit të lëngjeve “Frutomania”.

Presidenti Thaçi ka thënë se ndjehet mirë për këtë sukses bujqësor që po e sheh në Kravaricë dhe për punën e mrekullueshme që e kanë bërë punëtorët dhe familja Malazogu.

“Ndjehem sot shumë mirë që jam tek familja Malazogu, të cilët kanë kompaninë “Moea” dhe brendin “Frutomania”, që është prodhuesi më i fuqishëm në rajon dhe shembulli më i mirë i prodhimtarisë vendore, duke eksportuar në shtatë apo edhe më tepër shtete”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka vlerësuar lart përkushtimin dhe guximin e kësaj familjeje për të investuar.

“Këta kanë investuar diku në rreth 400 hektarë pemë frutore, që mendoj se është një rekord jo vetëm për zonën e Gjilanit, për Kosovën, por edhe për rajonin. Gjithashtu, ajo që është shumë me rëndësi, është se bashkëpunojnë me shumë fermerë dhe me këtë adresë janë të lidhur edhe rreth 400 prodhues të pemëve frutore të kësaj treve dhe më gjerë. Prandaj, është një storie e suksesit, një storie që shteti duhet t’i qëndrojë afër, t’i krijojë kushte më të mira edhe infrastrukturore, edhe si autoritete komunale, por edhe si institucione qendrore”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ndërsa, drejtori kompanisë “MOEA”, Armend Malazogu, ka thënë se puna në bujqësi nuk është punë e lehtë dhe është shumë sfiduese.

“Vizitat e tilla të institucioneve shtetërore, posaçërisht institucionit më të lartë shtetëror, kreut të shtetit, na japin neve një vullnet dhe entuziazëm për të vazhduar tutje”, ka thënë Malazogu.

Presidenti Thaçi theksoi se gjithmonë rezultatet e punës janë mesazhi dhe imazhi më i mirë për Kosovën, për klimën e mirë të të bërit biznes dhe për atraktivitetin që e ka shteti ynë i ri, si shtet i ri me mundësi të mëdha për të investuar.