Nga XHELADIN ZENELI – New York, SHBA
Shkurja e Ekipit Kombëtar të Futbollit të Kroacisë në finale në Botërorin 2018, s’ka dyshim se është një fitore historike, por është fitore e shtetit dhe popullit kroat dhe jo popullit shqiptar.
Shumë shqiptarë po i gëzohen fitorës së Kroacisë dhe kjo është ne rregul nëse këtë e bën thjeshtë nga simpatia dhe tifozi që ke për një ekip i cili gjatë ndeshjeve të këtij kampionati ka dëshmuar se është një ekip i denjë dhe që e meriton të jetë në finale.
Por nuk jam i sigurtë kur përkrahja ndaj Kroacisë bëhet me arsyetimin se kroatët “janë vëllezërit tonë “ ( Harrohet se shqiptari ka vëlla vetëm shqiptarin ), apo për arsyen se “kupa botërore të sillet në Ballkan” ( Harrojnë se në Ballkan gjindet edhe Serbia dhe Maqedonia), dhe deklarata të tjera të ngjajshme.
Pra simpatia e shqiptarëve ndaj ekipit të Kroacisë duhet të jetë vetëm për arsy sporti e tifozllëku ashtu si për shembull që edhe shumë shqiptarë të tjerë përkrahin edhe ekipet e tjera kombëtare të botës, por pa i dhënë ngjyra politike.
Sa i përket aspektit politik,më gëzon fakti që marrëdhëniet shqiptaro-kroate, janë në nivel të duhur miqësor, por duhet të jemi të sinqertë me realitetin se kjo është arritur për disa arsy. Së pari sepse shqiptarët dhe kroatët nuk kanë çështje të kontestuara ( qofshin ata territoriale apo të ndonjë natyre tjetër dhe së dyti për shkak të aleancës (jo formale) në mes shqiptarëve dhe kroatëve ndaj politikës hegjemoniste të Serbisë e cila fillon me shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve “90-ta të shekullit të kaluar dhe e cila në një farë mase vazhdon edhe sot.Pra kroatët dhe shqiptarët kanë armikun e tyre të përbashkët- Serbinë, gjithënjë sipas parrulës “ Armiku i armikut tim, është miku im “.
Është për tu habitur se si disa mundohen t’ja imponojnë kroatëve dhe udhëheqësisë së tyre politike dashurinë për shqiptarët edhe më shumë se sa ata (pra kroatët) e kanë për ne !. Po, është e vertetë disa udhëheqës politik kohë pas kohe shfaqin përkrahje për shqiptarët, është e vertetë se politikani i njohur i Kroacisë Stipe Mesiq kohë më parë ngriti duart me shenjë shqiponje, por nuk është aspak e vertetë që presidentja e tanishme e Kroacicë ( znj. Kitaroviq) veshi bluzë me flamurin shqiptar. Në një fotografi e cila ka kohë që qarkullon në internet, në foton origjinale shihet presidentja e Kroacisë me bluzë të kuqe. Dikush u kujtua të manipulojë me këte foto duke e plotësuar me shqiponjën kuq e zi , pra me flamurin shqiptar (?!)Si duket znj. Kitaroviq ka shije për ngjyrat kuq e zi por jo për arsyen që mendojnë disa shqiptarë.
Gjithashtu, me gjithë respektin që kam për Kroacinë dhe popullin kroat, nuk më kujtohet se ata shfaqen dhe demonstruan të njëjtin gëzim e entuziazëm apo festuan kualifikimin historik të Kombëtarës së Shqipërisë në Kampionatin Europian në vitin 2016, pra ashtu siç po e përjetojnë sot shqiptarët suksesin e ekipit të Kroacisë ?!.
Si përfundim, është e drejtë e secilit shqiptarë të përkarahë dhe simpatizojë ekipet kombëtare të huaja por jo me arsy të gabuara.
Ne shqiptarët kemi nevojë që gjithë këte energji, entuziazëm dhe dashuri që shfaqim për të tjerët ta kanalizojmë në rend të parë ndaj njeri tjetrit, ndaj vetëvehtes, ndaj Atdheut dhe Kombit tonë Shqiptar .
Xheladin Zeneli
12 Korrik 2018