Ballina Personazh Mirdita përkujton dëshmorin e kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, shprehje rrezatimi dhe kujtimi...

Mirdita përkujton dëshmorin e kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, shprehje rrezatimi dhe kujtimi për birin e origjinës së saj

Nga Mikel Gojani

I nderuari kryetari i Bashkisë së Mirditës, z. Ndrec Dedaj,
i nderuar kryetar i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj,
E nderuara familje Mirdita,
E nderuara ministrja e Arsimit te Shqiperise, Lindita Nikolli,
I nderuari Gjeneral Sandër Lleshi, keshilltar ne Qeverine e Shqiperise,
I nderuari deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Anton Qun,
I nderuari Kolonel Zedler,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendëse dhe të Kosovës,
Te nderuar përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, veteranë, mirditorë dhe bashkëvendës të dashur,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Në këtë atmosferë homazhi, por edhe krenarie që sonte po mbretëron në këtë shesh të këtij qyteti të bukur dhe historik të Rrëshenit, nuk mund t’i fsheh emocionet e ligjshme, kur në kujtesë po e rilindim birin e origjinës së kësaj palce të vendit tonë të dashur, dëshmorin e kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, i cili, pikërisht para 20 vjetëve, në kufirin shqiptaro-shqiptar, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut ra heroikisht për lirinë e Kosovës.

Vetë motoja e këtij evenimenti homazhi përkujtimor, MIRDITA NDERON DËSHMORIN E KOMBIT KOLË NDRECË MIRDITËN, ngërthen një dimension tepër kuptimplotë, që kreshpëron çdo njërin prej nesh, që njeh të kaluarën dhe të tashmen historike të këtij populli të një gjaku, një gjuhe, një flamuri dhe të një fati. Këto lidhje dhe këtë gjakim i ka drejtuar gjaku i përbashkët dhe kushtrimi i të parëve. Kanë qenë rrënjët e tyre të përbashkëta dhe që në të dy anët e kufirit ushqenin të njëjtën degë të një trungu të nyjëzuar qysh nga thellësitë e shekujve deri me sot.

Mirdita dhe mirditorët me këtë respekt që i bëjnë dëshmorit të kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, dëshmojnë se ky truall, ky dhe i gjakosur me shekuj, i respekton dhe përkulet me pietet para gjakut të cilit do biri shqiptar, që kanë bërë veprën më sublime, jetën e kanë flijuar për dheun e tyre.

Prandaj, për Mirditën dhe mirditorët, për Bashkinë e Mirditës, në krye me kryetarin e saj shumë denjitoz dhe të suksesshëm, zotin Ndrec Dedaj,shprehim mirënjohjen më të thellë dhe falënderim të pakufi, për këtë nderim dhe vlerësim sublimues.

Të nderuar motra dhe vëllezër mirditorë dhe bashkëvendës, Më lejoni që në vijim të jap një biografi të shkurtër të dëshmorit Kolë Ndrecë Mirdita: Kolë Ndrecë Mirdita u lind më 18 shtator të vitit 1976, nga babai Ndreca, bir i një patrioti të shquar, Kolë Mirdita, dhe nga nëna Grishë Mirdita, po ashtu bijë e një nacionalisti të viteve të dyzeta, Pjetër Jaku, i cili u vra më 1945 nga dora gjakatare serbe. Nënë Grisha nuk pati fatin që ta përjetojë këtë ngjarje madhështore për birin e saj, sepse pati fatin që pikërisht kohë më parë të shuhet nga jeta, për të ikur me zemër të thyer.

Kolë shkollën fillore e kreu në Zllakuqan, ndërsa shkollimin e mesëm e vijoi në gjimnazin “Luigj Gurakuqi në Klinë”. Meqë pushtuesi i atëhershëm serb mbylli dyert e shkollave shqipe në Kosovë, edhe të gjimnazit të Klinës, ai mësimet bashkë me nxënës të tjerë vijoi në shtëpinë-shkollë në fshatin Zllakuqan, që ishte shtëpi private e arsimdashësit Pashk Përnoka, shtëpi – shkollë, e cila për disa vjet gjatë atij okupimi kreu funksionin e shkollës së mesme. Ishin këto kohë të vështira për arsimin shqiptar. Pushtuesi serb elaboronte projektet e tyre për shkatërrimin e arsimit dhe të edukimit shqip. Këto elaborate aplikoheshin në format më

drastike, në fillim me helmimin e nxënësve. Kjo formë që mori përmasa në gjithë Kosovën, elaboratet e para pikërisht janë bërë në Klinë. Më pastaj, vazhduan format e tjera të shtypjes dhe represionit, si kërcënimet, përndjekjet, rrahjet, burgosjet, vrasjet etj. Ditët e para të marsit 1998. Pushtimi i vendit rëndonte si plumb në zemrat e çdonjërit. Por, tani fatet e çlirimit të vendit e te popullit ishin vendosur. Ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila tashme radhët e veta i kishte konsoliduar dhe përforcuar me shumë luftëtarë trima të paepur, të cilët për çlirimin e atdheut kishin obliguar jetën e tyre.

Kështu, UÇK-ja bënte një punë të madhe për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të armatosur kundër pushtuesit serb. Luftëtarët e UÇK-së ishin kudo në mbrojtje të popullit e të atdheut. Këtyre radhëve u ishin bashkangjitur edhe shumë trima të vendosur të Lugut të Drinit. Djemve lugdrinas u prinin dy trima te paepur dhe idealistë – heronjve të gjallë të luftës së UÇK-së, Pal Mirdita dhe Nikë Frroku, të cilët nuk e lëshuan pushkën nga dora deri me fitoren e lirisë së Kosovës. Këtyre trimave qysh në orët e para të thirrjes së atdheut, iu bashkëngjit edhe dëshmori i kombit, Kolë Ndrecë Mirdita, derisa u vra ,më 9 korrik 1998, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut, duke bartur armatim nga Shqipëria për t’iu dërguar shokëve të tij të në Kosovë.

Trupi i dëshmorit Kolë Mirdita për dy vjet qëndroi roje nderi në këtë kufi për ta shkrirë dëborën e akullin që ndanin një popull të një gjaku, gjuhe dhe flamuri… Pas dy vjetëve luftëtari i lirisë dhe bashkëluftëtari i Kolës, Nikë Frroku, përmes uratave që nëna Grishë i kishte vendosur në qafë Kolës, ka identifikuar trupin e Kolës dhe duke kaluar përmes qindra minave të mbetur pas luftës në atë terren malor dhe shkëmbor, arrin që trupin e Kolës ta sjellë në vendlindje dhe më 27 shtator të atij viti trupi i truimit u varros në varrezat e vendlindjes, në Ranoc të Lugut të Drinit me nderimet më të larta kombëtare, për t’u përjetësuar sot e asaj dite në altarin e shenjtë të Heroit të Lirisë Kombëtare.

Për veprën e tij sublime, flijimin për atdheun e tij, Kolë Mirdita nga institucionet shtetërore është laureuar me mirënjohje dhe medalje të shumta. Nga të gjitha vlen ta potencojmë kësaj radhe Medaljen e dhënë me motivacionin: “Luftëtari i Lirisë – Adem Jashari”. Motivacioni: “Për trimërinë e treguar në Luftën Çlirimtare për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës”, nga ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu , Prishtinë, më 11.7.2008, të cilin e kemi nderin që sot ta kemi këtu prezent.

Dhe Kolë Mirdita ra për lirinë e Kosovës. Ra për të mos rënë Kosova. Ra për t’mos vdekur kurrë.

Dëshmori i kombit Kolë Mirdita, sikur të gjithë dëshmorët e tjerë që ranë për lirinë e Kosovës do të përjetësohen. Brezat që pasojnë ata do t’i rilindin.

Sot në epitafin e varrit të këtij dëshmori shkruan: ATY KU MBOLLE /DASHURINË,/ ATY KU I DHE DRITË JETËS;/ JEMI GJAKU DHE SHIKIMI YT PËRHERË…

Sot, pas 20 vjetëve, Kolën po e rilindim në kujtesë në vendin e origjinës së të të parëve të tij, në MIRDITËN e bukur dhe shumë të dashur, Tokën e bekuar ARBERORE.

Kjo ishte e gjithë ajo që Mirdita mundi ta bëjë për birin edhe të saj, Kolë Mirditën.

Faleminderit Mirditë!

Lavdi Kolë për Ty dhe gjithë dëshmorët tjerë që me gjakun tuaj i sollët lirinë Kosovës.

Rrëshen, më 7 korrik 2018