Ballina Bota NATO, dakord për më shumë kontribut për buxhetin e mbrojtjes

NATO, dakord për më shumë kontribut për buxhetin e mbrojtjes

Krerët e NATO-s thanë të mërkurën se kanë rënë dakord të kontribuojnë më shumë para për buxhetin e tyre të mbrojtjes

“Ne jemi të përkushtuar për të përmirësuar ndarjen e kostove dhe përgjegjësive të anëtarësimit në aleancë,” tha NATO-ja ushtarake në një deklaratë.

Njoftimi u bë vetëm disa orë pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump përsëriti kritikat ndaj vendeve të NATO-s se nuk kontribuojnë sa duhet për të mbrojtur aleancën 70-vjeçare me 29 anëtarë.

Ndarjet e ashpra mbi atë se kush duhet të paguajë për mbrojtjen e Evropës hodhën hije mbi hapjen e takimit të NATO-s në Bruksel, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump akuzoi aleatët evropianë se përfitojnë në kurriz të taksapaguesve amerikanë.

SHBA shpenzon rreth 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, shumë më tepër se shtetet e tjera anëtare. Është parashikuar që tetë nga 29 anëtarët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të përmbushin objektivin e NATO-s prej dy përqind të PBB-së këtë vit. SHBA siguron 70 për qind të buxhetit të NATO-s.

Por Presidenti Trump bëri thirrje që aleatët e NATO-s të angazhohen të shpenzojnë 4 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen deri në vitin 2024. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders konfirmoi se zoti Trump e hodhi idenë në një takim me dyer të mbyllura me udhëheqësit e tjerë të NATO-s.

“Presidenti Trump dëshiron që aleatët tanë të ndajnë më shumë barrën dhe minimalisht të përmbushin detyrimet e tyre tashmë të deklaruara”, tha zonja Sanders.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dha në Bruksel një mesazh të qartë: Samiti i këtij viti do të përqëndrohet në atë se kush e paguan faturën, ose në ndarjen e barrës.

“Ndarja e drejtë e barrës mbështet çdo gjë që bëjmë. Vetëm pak vite më parë ne shkurtonim buxhetet tona të mbrojtjes. Tani po shtojmë miliarda,” tha zoti Stoltenberg.

Ndërkaq, Presidenti i SHBA i njohu vetes meritën për miliardat e shtuara në buxhetet e aleancës:

“Për shkakun tim, ata kanë shtuar rreth 40 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar. Prandaj mendoj se Sekretari i Përgjithshëm e pëlqen Trumpin. Ai mund të jetë i vetmi, por kjo për mua mjafton,” u tha zoti Trump gazetarëve ndërsa fillonte samiti.

Në takimin e udhëheqësve botërorë po vihen në provë aleancat dhe miqësitë. Presidenti Trump akuzoi Berlinin se është nën kontrollin e Moskës, duke cituar një projekt të ri tubacioni që do të sillte gazin rus drejtpërdrejt në Gjermani.

Pas një takimi dypalësh që dukej i tensionuar me homologun e saj amerikan, kancelarja gjermane Angela Merkel nënvizoi angazhimin e vendit të saj ndaj NATO-s.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi këto shkëmbime së bashku, sepse ne jemi partnerë, jemi partnerë të mirë dhe dëshirojmë të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, u tha ajo gazetarëve.

Të vësh në shënjestër Gjermaninë nuk është patjetër e drejtë, thotë analistja e mbrojtjes Sophia Besch e Qendrës për Reformën Evropiane.

“Kontributi i Gjermanisë në NATO e kalon së tepërmi atë që ajo shpenzon për mbrojtjen e vet. Gjermania po kontribuon me trupa si vendi kryesor në Lituani dhe në krahun pararojë të NATO-s në lindje,” thotë analistja Besch.

Grindja mbi shpenzimet e mbrojtjes duket se do të hedhë hije mbi çështjet e tjera në samitin dy-ditor. Britania njoftoi se do të dyfishojë numrin e trupave të saj në Afganistan, ndërsa Kanadaja ofroi të drejtojë një mision trajnimi të NATO-s në Irak.

Një deklaratë e përbashkët e samitit e publikuar të mërkurën nënvizon mbështetjen e NATO-s për Ukrainën dhe aspiratat e saj për anëtarësimin në aleancë, në pritje të reformave të brendshme. Ukraina po merr pjesë në samitin e Brukselit dhe diskutimet e mëtejshme do të zhvillohen të enjten.

NATO-ja gjithashtu i dha zyrtarisht një ftesë ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për t’u anëtarësuar, sapo të arrihet një zgjidhje e pranueshme me Greqinë për mosmarrëveshjen mbi emrin.

Të enjten do të diskutohet gjithashtu anëtarësimi i ardhshëm i Gjeorgjisë.