Ballina Kulturë NJË ROMANTIK “I VONUAR” NË POEZINË E SOTME SHQIPE

NJË ROMANTIK “I VONUAR” NË POEZINË E SOTME SHQIPE

Refleksione mbi vëllimet me poezi “MITE DERI PERTEJ” dhe “UNË DHE FJALA” të Hasan Muzli Selimit.

Nga Fadil HASMUJA – studiues, Shkodër

Në pamundësi për të parë nga afer bukuritë mahnitëse të Bjeshkëve të Namuna, për të ndjerë aromen e luleve erëkëndëshme të livadheve të Malësisë së Gjakovës, për të dëgjuar e shijuar zhurmën(herë nanuritëse e herë me rropamë)e ujrave të kristalta të Valbonës, për t’u njohur me banorët e këtyre trevave, me të vertetat e legjendat e jetës së tyre, per lexuesin ka menduar poeti e prozatori,publicisti e teologu Hasan Muzli Selimi, autor i mbi 13 veprave letrare, në poezi e në prozë, nder të cilat dy vëllimet e fundit me poezi “Mite Deri Pertej” dhe “Unë dhe Fjala”.
Të vendosësh emrin tënd në radhën e poetëve apo prozatorëve të sotëm, është veprimi më i lehtë që mund të bësh: Një dorëshkrim e një shtëpi botuese, një shumë parashë(sipas kerkeses së pronarit të shtypshkronjës), e pas ndonjë muaji “pagëzohesh” krijues. Shumë prej këtyre “krijimeve”mund të jenë lexuar vetem nga autori, e ndofta edhe redaktori.
Por ka autorë e vepra artistike që shkruhen, botohen e shpejt bëhen të njohura jo vetem në rrethe të ngushta lexuesish, e kjo më rastisi edhe mua si admirues i librit artistik.
Muaj më parë më bien në dorë dy vëllime me poezi, të sapo botuara, te Hasan Selimit. I lexova dhe pata një ndjesi disi të vecantë. Tek kaloja permes vargjeve, sikur ndjeja freskine e bjeshkëve të Tropojës,sikur po takohesha me ata malësorë të mocëm e të sotëm, por gjithmonë të fisëm, të përshkruar me imagjinatë, apo si i ka njohur vetë autori, lindur e rritur në këto anë.
Nuk kam ndermend t’i hyj zanatit tim te mesuesit të letersisë, për të bërë analizen apo komentin e poezive të këtyre vëllimeve, mbasi këtë e kanë bërë me mjaft profesionalizëm redaktorët e tyre, por thjesht të shfaq mendimet e mia si lexues, që gjithsesi këto janë relative dhe subjektive, duke ftuar edhe të tjerë lexues, për të dhënë mendimet e tyre, pa eufori apo nihilizëm.
Nëse autori do t’i botonte këto poezi dekada më parë, në të ashtuquajturin socrealizëm, atëhere do të perballej me anatemime e etiketime nga më të ndryshmet, si dekadent, i ndikuar nga rrymat perendimore si simbolizmi apo hermetizmi, e cila mund të shoqërohej edhe me lincimin e autorit, mbasi kishte guxuar të blasfemonte në “tempullin e parimeve”.
Poeti hedh hapa të matur në poezi, i lidhur ngushtësisht me fjalen, e si mjeshtri në zanatin e vet, e merr të paperpunuar, gdhend me durim mbi të, e lëmon duke i dhënë formen artistike, e sic thotë redaktori në librin “Mite Deri Pertej”,…është bërë poet për të lindur me secilen fjalë, për të vdekur me secilin varg…Gjuha është e thjeshtë, e kuptueshme, kryesisht “e huazuar”nga treva ku ka lindur dhe është rritur, malësia e Gjakovës, e për rrjedhojë, nuk mungojnë dialektalizmat e krahinizmat. Autori nuk u permbahet rregullave strikte të poezisë tradicionale, si rima, metri apo strofa, por nuk mungon ritmi i brendshëm i vargut. Mesazhet që percjell janë të pranishme në cdo varg e strofë, me qëllimin për të ndikuar tek lexuesit, kunder vesit e pro virtyteve, të cilat edhe po mungojnë në mjediset tona.
Në poezinë” Kafshimi i urrejtjes”, vetem në pesë vargje autori tregon revolten e tij të brendëshme, se shpirti i poetit ,por edhe i kujtdo tjeter duhet të priret nga dashuria e jo urrejtja. E këtë mesazh e jep permes një metafore të gjetur, si…helmi i gjarpërit plak…
Qëndresen e një populli të lashtë, të vuajtur, por të panënshtruar, autori e tregon permes poezsë “Rrugë mijëvjecare”.I gjendur në “dhena tjera”, me njerëz të pasur në xhep, por të varfër në shpirt, ai ndjehet krenar per emrin e tij, per origjinen e tij, per vendlindjen e tij, …me lumin e cmendur e valen e harlisur, me gjogun e bardhë e gurin thep të bjeshkës.
Edhe metropolet më të mëdha të botës, ku poeti gjen …flladin e shkuem dam…por nuk gjen askund fjalen “të dua”, janë grimca pa vlerë para vendit të tij (“Vala e një lumi”)
Duke pozuar para bustit të Ukshin Hotit në Prizren, poetin e frymëzon ky qëndrestar, simbol i vëllezërve tanë të martrizuar, në poezinë “Pse s’dukesh”
…Ferrin e ke kaluar/ në këtë jetë ku ishe./ tani këta apo ata nuk të duan,/ por ti duku,/ nuk është vonë,/ kurrë për ty, as për ne…
Autori ,falë formimit të tij profesional, është njohës i mirë i filozofisë shkencore, por si besimtar bektashi, njeh edhe atë fetare.Mendimin filozofik e shfaq qartë në poezitë “Nis e sos”,”Digjen planetet”, ndersa poezia “ Mite deri pertej”mendoj se është nder më të spikaturat në këtë vëllim. Frymëzimin poeti e gjen…në vendin tim,/ mite pa mbarim,/nga guri e lisi i pyllit,/deri tek fjala e besa e burrit…
E kaluara, ashtu si tek romantikët e hershëm, mbetet pikë referimi në poezinë e autorit. Është një e kaluar me vuajtje e sakrifica, por që na bën krenarë të gjithëve.
Tek poezia “Rruga e humbur e babës”, ndjehet i shqetësuar, mbasi…Rrugën e babës nuk e gjeta,/ e tash kthehem me mall, që atëherë…
Autori germon në të kaluaren e vet, vite e dekada më parë, kerkon dërrasën e djepit, jo thjesht për t’u cmallur, por…me të të fluturoj,…të ndërtoj qyta pushke,… të bëj vekë per nusen, të qëndis rrobat e mia per diten e dasmës, por …edhe për dërrasë varri.
Lindja, jeta dhe vdekja janë simbolika që mbështjell disa nga poezitë e autorit. Ai bëhet njësh me njerëzit, me token, me qytetin ku jeton, e këtë e ka dhënë me detaje në poezinë”Qyteti im”,permes Drinit, Kirit, Bunës, por “merzitet”kur sheh mjerimin, te ulur këmbëkryq, në rrugët e qytetit, në muret e shtëpive, të gërryera nga koha, me shterngatat e saj…Por c’mund të bëjë më shumë …biri i shekullit të ri…vecse “zoti të dhashtë”…duke na sjellë para lexuesit poetin e këngëve të mjerimit, Migjenin.
Tek “Qytet i ngrirë” ka pesimizëm, por jo fatalitet.Po e ardhmja ? Poeti shpreson, ndersa lexuesi beson…
Ndersa në pjesen e parë “Lisi i këngës sime”,motivet janë të larmishme, nga ai shoqëror e atdhetar, tek ai filozofik, me nota simbolizmi e misticizmi, në pjesen e dytë “Flokët e bjeshkës”,lexuesit i duket se ka kaluar nga lufta në paqë,nga zhurma në qetësi, nga realja tek romantikja. Shpirti i trazuar duket se gjen prehje. Dashuria shfaqet ne trajta te ndryshme, ashtu sic din te shfaqet vetem ajo, herë platonike, flurore ,e pakapëshme, në stilin naimjan (Do të shkrihem ,të venitem,/ si kandili që s’ka vaj…), herë i ngjan erotikës së Cajupit, konkrete, e prekëshme ( E
mban mend moj Marë,/dashurinë e parë…)
Në poezinë “Për ne të dy”, poeti vuan …Ti nuk ke ku ecën,/Unë derdhur për tokë,/Per ty dhe per mua bashkë…Por më konkrete ajo shfaqet tek poezia “S’di asnjë fjalë”…Derdhun krejt dashuria në shtrojat tua,/ unë perulun mbi hapësirën tënde dritë…
Permes metaforash të zgjedhura ,autori tregon filozofinë e jetës, qëllimin për të jetuar e për të lënë ndonjë shenjë, për të mos u zvarrisur por për të rendur, nga e njohura drejt së panjohurës, ku simboli është figura bazë. Si tek poezia “Pritje në perjetësi”:
…Prit i thua djalit, puthjen s’ta harroj,/Prit i thua vdekjes, s’dua të vij, është shpejt,/
Prit e prit e kurrë s’mjaftoj…
Poezitë e pjesës së tretë “Tingull i heshtur”mund t’i quaj ‘poezi meditimi”, diku me nota epike, por më shumë dominon lirizmi e simbolizmi. Autori gjen një “shkas”, një rrethanë të sotme, për të depertuar thellë në kohë e hapësirë. Si pjesë e shoqërisë, shpirti i tij i ndjeshëm është gjithmonë në kerkim, nuk gjen qetësi në një shoqëri të trazuar. Tematika është më e larmishme, nga fjala tek krjimet, nga malet mëkatarë te strehëza e dashurisë, nga portreti i tij, tek varri pa emër, nga molla e bahces sime, tek rruga me gjarpërinj, nga streha e mallit, tek përrallë dimri. Secila nga këto poezi percjell një mesazh të vecantë, i shperndarë në kohë e hapësirë, ndersa… Tik-taku i orës jetën numëron,/ po jeta sa është ?…
Shpesh mjedisi ku jetojmë bie ndesh me dëshirat e poetit, kur….kerkojmë baba,/ nanen e harrojmë,/ flasim per fajtorë,/Kush janë ata,/ Nuk e di…
I zhgënjyer nga e sotmja , autori i kthehet së kaluarës, ku duket se gjen prehje e qetësi, nga ku…gjen nanen në cdo cep të shtëpisë,/ me librin plot shënime të babës për të bijtë…
Duke trajtuar të tilla motive, poeti na shfaqet si një romantik “i vonuar”, mbasi mbizotëron ndjenja, bota e tij e brendëshme, natyra, herë e eger ,sic mund të jetë ajo që ka shoqëruar poetin në rininë e tij të herëshme, e herë e paqtë, si fjalët që formojnë brumin, me të cilin “gatuan” poezitë e tij.. I madhi D. Agolli shkruante dikur se fjala gdhend gurin, por sot, duke lexuar vëllimin me poezi “Unë dhe fjala”, mund të them se autori i librit gdhend fjalen. Duke e nxjerrë nga leksiku, e perpunon atë, i ndryshon kuptimin e parë, duke i dhënë “ngjyrë” figurative e vlerë artistike.
Vëllimi është i përbërë nga tre pjesë : Hoje dhimbje ,me 29 poezi, “Heshtjes rrjedhin fjalë” me 37 poezi dhe “Unë qiellin,mali, lumi dhe njeriu”, me 35 poezi. Ndarja në pjesë nuk bëhet sipas motiveve që trajton apo mesazheve që percjell, mbasi tematika është e ndryshme, por i bashkon forma artistike, me vargun e bardhë dhe të lirë, ku radhë hasim në rimë të puthitur, apo të alternuar. Mungon edhe metrika, apo vargu i matur, vecori këto të poezisë tradicionale, por mbetet besnik i “fjalës”, e këtë e kerkon edhe prej saj, duke iu lutur ..të mos e braktisë poetin,/ edhe nëse ngjitet deri te shqipja lart, të kthehet përsëri pranë tij, mbasi …kanë shumë “punë”së bashku. Permes anaforash, pyetjesh retorike, krahasimesh , fjalëve të radha e krahinizmash, poeti krijon poezi mbresëlënëse, si “Fjala s’ikën”.Si besimtar i devotshëm, kur flet per gjithësinë, materien apo pavdekësinë, poeti duket sikur sjell para lexuesit panteizmin e Naimit:
…Si gjallë,/si vdekur,/do të jetosh,/ në njerin rast,/ s’do jesh fizikisht…( Nga poezia”Vdis, ose mos vdis”)
Një “buqetë’ erëkëndëshme fjalësh, autori ka rezervuar per poetin e shpirtrave njerezore, lirikun e pavdekshëm Lasgush Poradeci, nga i cili duket se është frymezuar në disa nga poezitë e tij
…Nga liqeni erdhi me gjah poezie,/lidhur per një fije,/ Erdhi si i fjetur,për të qëndruar,/ mijëra vjecarë zgjuar….
Vlerat njerëzore janë burim frymëzimi per autorin, ngado të vijnë ato. Nuk mungojnë poezi per Papa Vojtilen apo Franceskun, duke e percjellur të parin me lot, ndersa të dytin e pret me padurim, mbasi njerezit kanë nevojë per këta “qetësues shpirtrash” njerëzorë. Ndonëse tokësorë jemi, ata mbeten legjenda, mbasi vetë toka është e mbushur me legjenda.
Frymëzimi i poetit nuk është i stisur, apo i kerkuar. Ai i vjen edhe rastëssht, nga një objekt, që i kap syri, nga guraleci i zallit, tek Valbona, nga bilbili në degë, tek manushaqja e vetmuar, nga pushka e babës, tek fjala magjike, nga orteku i borës, tek rrufeja fishkëlluese, nga opingat me baltë, tek lahuta e vjeter..
Autori ka krijuar origjinalitetin e vet në stilin e të shkruarit.Gjuha është e pasur në figuracion. Ai mbetet kerkues ndaj vetes e poezisë së tij, mbasi nuk don të jetë …ushtar me beteja të humbura,/ pa busull e pa kryerresht…kur “humbet” diku mes vargjeve, duke mos arritur atë që do, duke thirrur në ndihmë edhe mitologjinë, me kucedra e dragoj, me përralla e legjenda, e pastaj, duke u qetësuar në mitet e vendlindjes së tij
Autori shkruan kryesisht në dialektin e veriut, me fjalë edhe krahinore ( Vjen si psherja e djathit nga tamli i delmes…, …një kore bukë, mbetë në cerep,…të rreshkun në gacë,…para kllackave me therra…male të perllocuna…) Por brenda vargut, autori perdor njeheresh edhe fjale te normes standarde, por edhe dialektore,ose te njejten fjale, diku e perdor ne dialekt e diku ne norme standarde. Por ky “qortim”i takon redaktorit dhe korektorit gjuhesor.
E gjithmonë i bën shoqëri fjala, që vjen …si flladi në të nxehtin e verës,/ si të nxehtit e oxhakut qorruar,…me lutjen”mos më braktis, mos më harro”.
Duke lexuar këto poezi të Hasan Selimit, mendoj se ndihmesa e tij është më shume se modeste, në pasurimin e letersisë bashkëkohore , si poet i vargut të lirë, por edhe i mendimit të lirë.

FADIL HASMUJA
(Studiues)

Antar i Shoqates se Shkrimtareve Shkoder