Ballina Sport Europa ime: Ballkani dhe Kampionati Botëror – Vërtet jemi kaq qyqarë?

Europa ime: Ballkani dhe Kampionati Botëror – Vërtet jemi kaq qyqarë?

Kur konfliktet politike zbresin në fushën e futbollit situata komplikohet. Sidomos kur kjo ndodh në një Kampionat Botëror. Nacionalizmi është në ofensivë. Një gjendje për të ardhur keq, mendon Krsto Lazarevic.

Futbolli mund të bëjë që të shpërthejnë ndjenjat nacionaliste e të rrezikshme. Pas një ndeshje kualifikimi mes Hondurasit dhe Salvadorit në vitin 1969 shpërtheu një luftë futbollistike mes të dy vendeve që u kushtoi jetën 2.000 vetëve. Për disa lojtarë, trajnerë dhe tifozë në Ballkan, Kampionati Botëror në Rusi duket si vazhdim i luftës me mjete të tjera. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri formuan me duar shqiponjën dykrenare shqiptare për të festuar golat e tyre, por edhe për të dekurajuar serbët.

Xhaka ka lindur në Zvicër, prindërit kanë ardhur nga Kosova në këtë vend. Shaqiri ka lindur në Kosovë dhe ka emigruar me familjen në Zvicër, kur ka qenë 4 vjeç. Të dy nuk kanë lindur në Shqipëri, as prindërit e tyre nuk vijnë nga Shqipëria, ata nuk luajnë për Shqipërinë, e megjithatë i festojnë golat kundër Serbisë duke përdorur një simbol kombëtar shqiptar. Nuk është e pazakontë që diaspora ka një marrëdhënie të veçantë me “vendlindjen”. Kombi, me të cilin realisht nuk ke të bësh shumë stilizohet në një vend mitik. „Vendlindja” është një vend, që e sheh në pushimet e verës, dhe që mund ta zbukurosh me fjalë për sa kohë që rrogën e merr në franga zvicerane apo euro.

Por nuk duhet lënë pa përmendur, se edhe tifozët serbë në stadium i ofenduan Xhakën dhe Shaqirin për shkak të origjinës së tyre, dhe formimi i një shqiponje dykrenare me duar është ende një përgjigje diplomatike ndaj atyre fyerjeve. Nga ana tjetër është edhe absurde që serbët të ndjehen të provokuar nga shqiponja dykrenare, sepse edhe në flamurin e tyre qëndron një e tillë. Por kjo është logjika nacionaliste. Nuk është për t’u kuptuar.

Më keq nga të gjithë ishte trajneri serb, Mladen Krstajiq, humbësi më i dobët i këtij kampionati. Ai ia dha fajin arbitrit Felix Brych për humbjen e Serbisë dhe tha: „Do ta dërgoja në Hagë, që t’i bëjnë procesin, ashtu si na e kanë bërë edhe ne.” Me një përemër të vogël në dukje „ne”, Krstajiq do të thotë se solidarizohet me kriminelët e luftës të dënuar dhe pretendon, se të gjithë serbët kanë qenë kolektivisht të ulur në bankën e të akuzuarve në Tribunalin e Hagës. Shumë serbë për fat të keq e mbështesin qëndrimin e Krstajiqit. Kjo është logjika nacionaliste. Ndoshta edhe ata tifozë, që në stadiumin e Kaliningradit kishin veshur T-shirts me portretin e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mladiq, që vetëm në Srebrenicë është përgjegjës për vrasjen e 8000 vetëve.

Edhe skuadra kroate nuk la pa ngritur në piedestal kriminelët e luftës. A mund t‘i përfytyroni lojtarët gjermanë që të këndojnë në kabina pas fitores këngë nga ekstremistët e djathtë, që përbuzin viktimat e kampeve gjermane të përqëndrimit? Besoj jo. Për lojtarët kroatë kjo është normale. Ata e festojnë fitoren kundër Argjentinës duke kënduar një këngë që fillon me fjalët „Za dom Spremni” – përshëndetja e kolaboratorëve nazistë të ustashëve. Këngën e ka kompozuar ekstremisti i djathë, Marko Perkoviq, i njohur si Thompson, që në këngët e tij tallet me viktimat e kampeve të përqëndrimit në Jasenovc dhe Stara Gradishka. Kampe, ku janë shfarosur hebrenj, serbë, romë dhe opozitarë.

Nuk është hera e parë që përshëndetja fashiste e lojtarëve të ekipit kombëtar kroat shkakton reagime. Kur Kroacia u kualifikua për Kampionatin Botëror në Brazil, Josip Simuniq iu drejtua me një thirrje të fortë tifozëve, „Za dom”, ku mijëra grykë u kundërpërgjigjën në kor, „Spremni”. Simuniq nuk u lejua të marrë pjesë në Brazil. Por ky vendim nuk e ndryshoi normalizimin që i bëhet fashizmit nga tifozët kroatë. E është për të ardhur keq, sepse nga ana sportive, ekipi kombëtar kroat ka sjellë rezultate të shkëlqyera dhe mund t’ua urosh me dëshirë suksesin në këtë Kampionat Botëror.

Megjithatë unë e kam një pyetje: Të dashur vëllezër nga Ballkani, a jemi vërtet ne kaq nacionalistë dhe për të ardhur keq? Dhe duhet vërtet t’ia tregojmë këtë gjithmonë të gjithë botës? (DW)

Krsto Lazareviq ka lindur në Bosnje-Hercegovinë dhe ka emigruar herët me familjen në Gjermani. Sot ai jeton në Berlin dhe punon si gazetar për media të ndryshme gjermane.