Ballina Bota Lidhni rripat, Trumpi po vjen

Lidhni rripat, Trumpi po vjen

NATO shpreson që anëtari i saj më i rëndësishëm, SHBA të mos shkaktojë dëme të mëdha në samitin e Brukselit të mërkurën. Po, në këtë pikë kanë arritur marrëdhëniet transatlantike, mendon Bernd Riegert.

Spektakli i Trumpit vjen në Europë. Titujt kryesorë i ka siguruar që tani presidenti për javën e ardhshme. Ai mund t’i trembë Kanadanë dhe partnerët europianë në Bruksel. Ai mund të shkelë rregullat në çajin me mbretëreshën. Ai mund të lidhë miqësi burrash në Finlandë pas një loje golfi me presidentin Putin.

Ka pasiguri në Bruksel për turneun europian të presidentit „America First” që gjendet në fushatë zgjedhore. Trump nuk do të ketë drojë të hapë gojën për faturat absurde për mbrojtjen. Vërtet që europianët shpenzojnë më shumë për ushtrinë, por kjo nuk i mjafton Trumpit. Për të kuptuar si mendon Donald Trump mjafton të dëgjosh fjalimin e tij të fushatës zgjedhore në Indiana javën e fundit: Ai përmendi direkt kancelaren Merkel, duke pyetur, se çfarë parash po merr nga gjermanët? Gjermanët bëjnë pazare energjitike me rusët, dhe ne amerikanët jemi budallenjtë që paguajmë çdo gjë. Këtë do ta ndryshojë Trump sigurisht dhe kërcënon me tërheqje të mundshme trupash nga Gjermania.

Mbrojtje kundrejt parave?

Në fantazitë më të këqija të diplomatëve në Bruksel shihet edhe një lloj vendosjeje tarifash për trupat amerikane në Europë. Mbrojtje kundrejt parave. Para për të mbrojtur? Nuk u mendua në kategori të tilla për aleancën që bazohej në vlera politike. Donald Trump mendon kështu. Ai kërkon avantazhin e tij, e për këtë ai negocion fort pa marrë parasysh partnerët. Këtë ai e ushtroi njëherë në samitin e G7-s në Kanada. Do të ishte një çudi, nëse ai nuk e përdor këtë metodë të suksesshme edhe tek NATO. Europianët duhet të përgatiten. Trump i përzien konfliktet tregtare dhe politikën e sigurisë. „Doni mbrojtje atomare nga rusët, atëherë lejoni produktet amerikane pa dogana në Europë.” Ky është ekuacioni i thjeshtë i Donald Trump.

Burri i shtetit në Shtëpinë e Bardhë shkon më mirë me diktatorët dhe autokratët se me aleatët, që ai i mban për parazitë. NATO do të përpiqet të bindë Trump, se gjithnjë e më shumë shtete po lëvizin drejt objektivit të 2% shpenzime për mbrojtjen. Gjermania është shumë e ngadalshme në këtë drejtim, gjendja e Bundeswehrit është dëshpëruese. Edhe aftësia vepruese e trupave europiane lë për të dëshiruar. Me këto probleme do të duhet të dalë para Trumpit Angela Merkel në Bruksel. Dhe presidenti amerikan do ta shfrytëzojë momentin. Ai ndodhet në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e kongresit amerikan në nëntor.

Të ardhmen e marrëdhënieve brenda NATO-s e ka skicuar Ministria e Mbrojtjes e Polonisë. Polakët kanë ofruar dy miliardë në vit për stacionimin e trupave amerikane. Ky model mund t’i pëlqejë Trumpit. Shtetet e NATO-s vetëm mund të shpresojnë, që presidenti i fuqisë më të rëndësishme ushtarake të njohë detyrimin për ndihmë brenda aleancës. Në rastin më ekstrem ai mund të kërcënojë me shfuqizimin e kësaj për të realizuar kërkesat e tij. Kjo nuk përjashtohet, para dy vjetësh ai e quajti NATO-n të vjetëruar. Ndërkohë që ngritja e një bashkëpunimi ushtarak të fuqishëm brenda BE do të kërkojë vite.

Do ta ndikojë Trumpi Putinin?

Zemërdridhur europianët presin samitin e kreut të Kremlinit, Vladimir Putin. Shumë vende europiane e shohin Rusinë si rrezikun kryesor. Në këtë takim do të flitet për një listë të gjatë problemesh: nga konflikti në Ukrainë deri tek lufta kibernetike. Samiti i NATO-s do të përpilojë rekomandimet. Nëse Donald Trumpit do t’i kujtohen këto rekomandime, kjo mbetet të shihet. Ai është i përgatitur për gjithçka në takimin me Putinin, tha Trump. Nëse gjërat shkojnë mirë, sipas këndvështrimit të NATO-s, Trumpi do të duhet ta ndikojë Putinin. Nëse gjërat shkojnë keq, frontet do të ashpërsohen.

E sigurtë është: spektakli i Trumpit është i suksesshëm, gjithmonë sipas mënyrës së tij. Vetëlëvdatat e tij të tingëllojnë që tani në vesh: NATO, Mbretëresha, Putin? Do të jetë fantastike. It’s gonna be great! (Bernd Riegert. DW)