Ballina Histori Historia e malazezit të vogël Jolja, një shembull i madh shqiptar i...

Historia e malazezit të vogël Jolja, një shembull i madh shqiptar i martirit Bali Bajram Nokshiqi

Nga Ramiz LUSHAJ

1.
Në pranverë 1941 shqiptarët etnik të Plavë-Gucisë patën një përballje luftarake me forcat ushtarake malazeze, të cilat kishin ardhë për ta ripushtuar krahinën e tyre, e futur tashma në një tjetër pushtim, atë të Italisë fashiste, e të paraqitun si bashkim kombëtar panshqiptar. Kësokohe, shqiptarët, me fuqinë e moralit të mbrojtjes të tokës e jetës së vet, me forcën e armëve të veta të sprovuara në beteja të shumta me sllavët, i thyen malazezët pushtues e i detyruan ata me u tërhjekë me humbje të shumëfishta.

Bali Bajrami i derës të Mekulëve të Nokshiqit të historisë, një nga kryeluftëtarët e kësaj lufte fitimtare, tue u kthye për në kullën e vet, aty në Qafë Plavë, e gjeti një fëmijë malazez të mbetun pa ndjenja, të shtrirë përtokë skej një dardhe me hije të mriztë. E mori para duersh. Goja i nxirrte shkumë të bardhë. E uli prapë mbi barin jeshillek e ia provuan shenjat e gjallesës jetike. Ende damarët i qarkullonin gjak. Ende merrte frymë.
Aty po i afrohet një nga luftëtarët ma të shquar të krahinës, i vuthjani Isuf Kamer Çelaj i Çeremit, i njohur deri në Çetinë e Romë. – Çka po e don këtë fëmijë malazez? – e dveti burri i mendjes e i pushkës, Isuf Kameri, kur ai e mori në duar e po don me u nisë bashkarisht për udhë. – Po e çoj në shtëpinë teme e ndoshta ka me e lyp familja e vet?- ia ktheu Bali Bajrami, ky burrë i lartë i kohënave të vështira.

Tek dera e kullës në Nokshiq i doli para e shoqja e tij e fisme, Gjyl Ibishja, vuthjane, nga vllaznia këlmendase Qosaj, të cilës ia dha fëmijën me fjalët peshë amaneti: Merre këtë fëmijë e kie me e rritë e dashtë si djalin tand! Aty brenda, gjatë ndejes, Bali Bajrami po e kallzon historinë e malazezit tetëvjeçar.

Ai fëmijë i gjetun, pas përkujdesjeve, po ua ban me dije emnin e tij. Jolja – i thoshin. E, tani, malazezi i vogël Jolja do të rritej në këtë familje shqiptare me emër të madh në luftën (ndër)kombëtare të Nokshiqit (1879-1880), në qëndresën e lartë kundër malazezëve në Luftën e Parë Ballkanike (1912-1913), etj.

Kurrkush nuk erdhi në derën e tyre të fisme në Nokshiq për me u interesue për malazezin Jolja, prandaj Bali Bajrami si shqiptar i vërtetë i traditave breznore shqiptare, pas një viti e mori me veti për me shkue në Qafë Pejë, aty ku e kishte gjetun kryehere e marrë në mbrojtje e rritje atnore. Jolja po ia tregon truallin e kullës dykatëshe, e cila tashma nuk i kishte as themelet. Gjithçka ishte shkatërrue nga bombardimet e ’41-shit. Lotët e malazezit të vogël Jolja mbetën aty si një dhimbje e madhe. Ishin lotë të tragjedisë së familjes së tij prej dhjetë antarësh, dy prindërit e gjashtë vllazën e motra. Ky ishte ma i vogli i asaj kulle të kthyeme në gropë, sikur të kishte pasë ndonjë shkatërrim e fundosje tektonike. Po, ky Jolja, ishte i vetmi që kishte mbetë gjallë. Jolja shpesh i sillte në mendje e i kishte në vizione ato çaste e pamje: oshëtima e avionëve, tymi i zi…E, sa herë i ndodhte kjo, Jolja tronditej shumë, kalonte deri në huti, donte pak kohë me e marrë veten.

2.
Bali Bajram Hysi (Hyseni) i Mekulëve ishte luftëtar dinjitar i njohur në krahinën e Plavë-Gucisë me rrethina kufitare, në Rugovë e Sanxhak, në Rrafshin e Dukagjinit, në Malësi të Gjakovës e në Shkodër. Mori pjesë në kuvende e beteja. Ai u rrit në luftëra me sllavët dhe u vra në luftë me sllavët. E lartnon kanga popullore: “Bali Bajrami me degët e fisit / Emën të madh i la Nokshiqit…/”.

Bali Bajrami në krahinën e tij, në vitet e thirruna “Koha e Shqipnisë”, mbante gradën e besimit si komandant i mbrojtjes së kufinit me Malin e Zi (1941-1944) sëbashku me bajraktarin e Arzhanicës, Xhemë Arifi dhe me “dy Imerat” – Imer Maliqin e Imer Muçën. Ai, me bashkëluftëtarët e tij e me forcat mbrojtëse në krahinë, luftoi kundër sulmeve të malazezit Gjergj Llashiqi (nipi i kriminelit kundërshqiptar, Vashoviqit), kundër forcave çetnike të Drazhe Mihajlloviçit (1943) gjersa më 6 gusht 1944 u vra heroikisht në kufi, në Shekullar, në luftë me shkijet malazeze. Emri e vepra e tij jeton e frymëzon në kangë, në vargjet: “Bali Bajrami i Mekulit / U tregoi çka a forca e burrit /”…“Nga një luftë në një tjetër / Tuj i zbardh fytyrën kullës vjetër”…”Për me mbrojt kufijtë shqiptar / Ra si trimat në Shekullar / Në Shekullar, atje ka mbetë / Kurrkush vorrin s’ja ka gjetë / Për Kosovë, për Shqipëri / Kurrë s’harrohet emri i tij /”. Bali Bajrami ka hyrë në kangët e popullit në radio e televizione, përjetësue në disa libra, shpall “Qytetar Nderi” i komunës së Llugajt në Malësi të Gjakovës, etj.

Bali Bajram Nokshiqi edhe babën e tij, Bajram Hysi (Hyseni) e kishte martir të kombit shqiptar, si e thotë kanga: “C’ka Nokshiqi që po dridhet?! / Bajram Hyseni gjallë nuk lidhet / C’ka Nokshiqi që gjëmon / Bajram Hyseni po lufton / Bajram Hyseni burrë shqiptar / Ju del shkijeve ballëpërballë… /Më 13 tetor 1912, brigada e gjeneralit kriminal Radomir Veshoviqi, forca të batalionit të drejtuar nga krimineli tjetër Milija Nikoliq, u futën me zjarr e hekur në Nokshiq të Plavës dhe i kërkuan Bajram Hysit të lidhun kambë e duar tek xhamia e fshatit, që të kthehej në etninë malazeze, në vend të plisit të bardhë ta vnonte kapicën e zezë, po ai nuk pranoi në të gjallë të vet, ndaj e torturuan dhe me një hekur kryq ortodoks të skuqur në zjarr, të cilin ia vendosën një herë në ballë e dy herë në gjoks, gjersa vdiq në kambë, qëndrestar, shqiptar. Ishte një nga 700 martirët shqiptarë plavë-gucias të Masakrës genocidiale të Previsë, një masakër ende e pazbardhur, një masakër që ende kullon gjak shqiptar.

Djali i Bali Bajramit është martir i kombit. Islam Bali Nokshiqi – i thonë. I vrarë më 5 prill 1947 nga OZNA jugosllave, nga shkijet sllavo-komuniste tek Vrella e Mulliqit në Gjakovë, i dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Mirënjohjes (2012), iu ka dhanë statusi ligjor “Dëshmor i Atdheut”, i shpallur “Qytetar Nderi” në bashkinë e qytetit Bajram Curri e në komunën Llugaj.

Bali Bajrami ishte trim i madh, po kishte dhe një shpirt të madh. Në filmin dokumentar “Oshëtima e Nokshiqit” të Ilir Buçpapajt, shfaq në TVSH të Tiranës (2012), e dëshmon dhe 97-vjecari Velimir Novo Ognianovic, i etnisë sllave në Nokshiqin e sotëm të mbetun pa astenji kambë e frymë shqiptare. “Në Luftën e Dytë Botërore, në vitin 1941, – thotë Ognianovici në intervistën e tij – kur kapitulloi Jugosllavia, shumica e popullit kaloi në anën e italianëve. Balia u kthye këtu në trojet e tij, i armatosur, por nuk bëri zullume në popullatë. Asnjeri nuk ka thënë që ai ka vrarë, plackitur apo që ka shfrytëzuar situatën”.

Në një familje të tillë model shqiptar u rrit malazezi Jolja si një shqiptar i vërtetë.

3.
Në kohë lufte me malazezët, prej flakëve të pushkëve e kullave, në dhjetor 1943 familja e Bali Bajram Hysit të Mekulëve të Nokshiqit, tre djemtë e tij: Islami, Selimi e Shabani shtegtuan nga vendlindja e vet nëpër Pejë, Gjakovë e në Malësi të Gjakovës. Me ta ishin dhe vllaznit’ e Balisë, njani prej të cilëve, Brahimi, është i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhërin për Veprimtari Patriotike të Klasit të Dytë (1993). Të gjithë u rikthyen në Llugaj të Tropojës, në visin e kullën e tyne me themele trojenike prejce nga Lufta e Parë Ballkanike. Vetëm Bali Bajrami ndejti në vijën e kufinit, atë ditë e sot, si përmendore e shqiptarisë, si flakadan i lirisë.

Jolja, i vogël malazez 12-vjecar, ishte pjesë e këtij shtegtimi të detyruar nga malazezët, në bashkari me tre djemtë e Bali Bajramit, i cili ishte si të thuash: “i katërti djalë” i tij. As kur malazezët e vranë Bali Bajram Noskhiqin në Shekullar kurrkush nga rrënjët e degët e tij nuk e pa Jolen si armik. Edhe Gjyl Ibishja e trajtonte Jolen si të ishte djali i saj ma i vogël i derës së Bali Bajramit të Mekulëve në Llugaj.

Malazezët, pas Luftës së Dytë Botërore, kur i vnunë në rregulli punërat e shtëtit të vet, i ranë në gjurmë Joles. E mësuan faktin se ai jetonte në shtetin e Shqipërisë, në Tropojën kufitare, në Llugaj. E kërkuan atë, me dorëzani, me emergjenci, me djallëzi. Gjithëqysh.

Në mars 1946 ia mbrrini një dërgatë katërshe prej nga Plavë-Gucia në Llugaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Kufini ishte i hapun asokohe, po dhe jugosllavët silleshin si zotër në tokat shqiptare, packa se Shqipëria ishte shtet tjetër e i pavarur. Me atë dërgatë kishte malazez, po ishte dhe një përfaqësues mekulas. I conte shteti jugosllav, republika e Malit të Zi. E gjetën rrugën me hartë e hapa, me udhërrëfyesin e vet. Ata trokitën në derën e kullës të Nokshiqëve në Llugaj.

Aty e njoftën Jolen. Ndoshta e morën me mend se ai nuk është i genit mekulas, ndaj po dvetin sy për sy: -I kujt është ky djalë? Jolja ua ktheu përgjigjen aty për aty: -Jam i Bali Bajram Nokshiqit.- Ka kie vlla? – ia banë pyetjen tjetër. -Kam tre vllazën: Islamin, Selimin e Shabanin – iu tha Jolja. – Cilët janë mixhët e tu? – e vazhduan ata dialogun. -Brahim Bajram Nokshiqi e Halil Bajram Nokshiqi –ua ktheu përgjigjen. -Po qysh e kie emrin? -Jole…
Atë natë të pagjumë nuk u fol ma gjatë. Në mbramje deri vonë ia banë gjithcka gati Joles: veshjet – me to dhe kostumin kombëtar shqiptar kelmendas, bukë e ujë për rrugë, etj. Të nesërmen ndodhi ajo që pritej nga kulla e Nokshiqëve. Brahim Bajram Nokshiqi, vllai i Bali Bajram Hysit, ma i madhi i mekulëve të atyshëm, krejt mërzi e me qetësi, po i mbledh në oborr të kullës të gjithë mashkujt e femnat e shtëpisë. E merr skej vetit Jolen me dashuri e dhimbje prindërore e i drejtohet atij:

-Djali ynë, Jole, ti duhet me shkue sot në Mal të Zi. Kena dalë me të përcjellë për udhë. Të kanë lyp të afërmit e tu. Janë katër vetë nga Plava që kanë ardhë me të marrë ty. Don me të cue në shkollë…

Atë ditë marsi 1946, Jolja – malazezi 14 vjecar, iku nga kulla e Nokshiqëve në Llugaj drejt Plavës. Të gjithëve kur ua jepte dorën e lamtumirës iu drejtohej në shqip me fjalët: Nanë, vlla, motër, mixhok…e pastaj ua thoshte emnat secilit prej tyre.

Jolja qante me sy, me zemër, me fjalë. Lotët ia lagnin gjoksin e shpirtin. Si atëherit në Plavë tek kulla e tij e mbetun pa themele, kur mbeti pa prindër, pa motër e vlla, të cilët nuk i munguan asnji ditë në kullën e Mekulëve të Nokshiqit, në derën e martirit Bali Bajram Nokshiqi. As në Plavë. As në Malësi të Gjakovës.

4.
Jolja, malazezi i rritur si shqiptar, shkoi për studime shkollore në Kroaci. Në dhjetor 1946 i kujtoi me një letër nga Zagrebi familjen e tij të dytë në Llugaj të Tropojës. Ai, mes tjerash, i vnonte në dijeni se është tue ndjekë një shkollë ushtarake në kryeqytetin e Kroacisë…Ai iu premtonte se “me përfundimin e studimeve do të jem pranë familjes time në Shqipëri”. Ai e mbyllte letrën me fjalët përmallëse, që iu kanë mbetë në mendje të gjithë mekulasve të trollit të Bali Bajram Hysit të Nokshiqëve: “Përqafime Nanë Gjylja, vllaznit e mi…,mixhët e mi… Jolja”.

E ku është Jolja në ditë të sodit? Thonë se ishte jetëshkurtër…! Nuk i dihet vorri. Ai kurrë nuk u kthye në Shqipëri. Atij kurrë nuk i besuan si malazez. Jo se nuk i kishte genet e gjakun malazez, po për faktin tjetër: Jolja u rrit me frymën shqiptare, me traditat shqiptare. Ai nuk i besonte as propogandës malazeze se “shqiptarët janë të egër… vrasës të malazezëve…të pabesë, të pa fe”. Ai nuk mund t’i urrente shqiptarët. Shteti jugosllav dhe malazezët si pjesë federative e tij, kisha ortodokse sllave, si në kohët e krajlive, kishin (e kanë) platformë të vetën grashaniniane e cubrolloviciane, millosheviciane e gjukanoviciane: cdo sllav – dhe malazezët, me lind, me u rrit e me vdek si antishqiptar. Ata nuk duan një malazez si Jolja të rritun dhe nga shqiptarët. Ata nuk duan të shkruhet e as të dëgjohet në botën e sotme euro-atlantike e globale ky shembull i rrallë i Bali Bajram Hysit të Mekulëve të Nokshiqit të Plavës e Malësisë së Gjakovës, pasi është një shembull që i lartëson shqiptarët etnik në botën e sotme e në kohërat e nesërme.