Ballina Personazh A ishte Josip Broz Tito “miku më i madh i shqiptarëve”!?

A ishte Josip Broz Tito “miku më i madh i shqiptarëve”!?

Nga Gani MEHMETAJ

“Josip Broz Tito, miku më i madh i shqiptarëve” e lexon në medie e portale në gjuhën shqipe. Disa e thonë me ironi për të përqeshur nostalgjikët jugosllavë, të tjerët e thonë të bindur nga arsyet që është vështirë t’ i kuptosh, meqë parametrat socio- psikologjik vështirë e zbërthejnë një çorodi të tillë.
Në kohën kur “Miku më i madh i shqiptarëve”, Josip Brozi, ishte komandant i Forcave të Armatosura të Jugosllavisë, në Kosovë, Maqedoni e Luginën e Preshevës, që ishte pjesë përbërëse e Kosovës, forcat ushtarake jugosllave me Titon komandant suprem, për tre vjet (1945-1948) vranë afër 50.000 shqiptarë, ndërsa i detyruan t’ia mbathin mijëra të tjerë në Greqi, Turqi, Gjermani dhe ShBA. Askush nuk u gjykua dhe as nuk u dënua për gjenocidin kundër shqiptarëve. Oficerët e politikanët që e zbatuan gjenocidin, morën dekorata e poste të larta.
Në kohën kur Josip Broz Tito u bë president i Jugosllavisë, ndërsa ministër të brendshëm emëroi A. Rankoviqin, policia e fshehtë jugosllave mbyti në tortura mijëra burra shqiptarë, në të ashtuquajturin aksion të mbledhjes së armëve. Në këtë terror të dimrit 1956, sidomos, ia mbathën vetëm në Turqi mbi 250 mijë shqiptarë, sipas marrëveshjes paraprake të Titos me qeveritarët e Turqisë, që ishte një e treta e popullatës së gjithëmbarshme.
Kur Evropa Perëndimore e ShBA-të ushtruan trusni mbi Titon, qeveria jugosllave e pezulloi marrëveshjen me Turqinë. Kur Shtetet e Bashkuara ia kushtëzuan Jugosllavisë kredinë ndërkombëtare me liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, kryetari jugosllav ua liroi litarin shqiptarëve, doli publikisht dhe e dënoi terrorin e Rankoviqit, por pos shkarkimit nga posti, Rankoviqi nuk pësoi asgjë. Ai gëzoi deri në vdekje të gjitha privilegjet e pensionin nacional. Tito i kaloi vrasjet e afër 50.000 shqiptarëve e shpërnguljen e 250 mijë të tjerëve, duke e heshtur edhe projektin e përbashkët jugosllavë-turk për zhvendosjen e shqiptarëve në Turqi.
Me propagandën e fuqishme arriti të kthejë nga vetja një pjesë të shqiptarëve të nëpërkëmbur, ndërsa të tjerët i neutralizoi. Tito doli hero, që e shkarkoi ministrin e brendshëm, megjithëse ministri i tij asgjë nuk e bëri pa lejen e shefit. Këtë e tha Rankoviqi kur e mbërthyen në pyetje.
Të pafuqishëm t’i kundërviheshin pushtetit të dhunës, që vazhdonte por në forma me finoke, një pjesë jo e pakët nisën t’i bëjnë elozhe nga frika, sepse po e vure në dyshim edhe më fjalë dykuptimëshe autoritetin e Titos, të mbyllej karriera, ia varrosje të ardhmen familjes, të largoheshin miqtë. Më e keqja që të gjente ishte burgu famëkeq i Nishit, Nova Gradishkës, Goli Otokut etj . Tito sundoi e vdiq me oreolin “e shpëtimtarit të shqiptarëve”, sepse ashtu ia gatoi figurën publike pushteti, mediet, intelektualët që i shërbyen, ata që donin të nxirrnin përfitime etj.
Tito goditi edhe Kroacinë me 1971, kroatët kohë të gjatë nuk arritën ta marrin vetën, mijëra u burgosën, shumë ia mbathën në Perëndim.
Ri ngritjes së figurës së tij i kontribuoi egërsia e shtetit jugosllav pas demonstratave të virit 1981, dhuna e pushtetit të Milosheviqit.
Pas vitit 1999 nostalgjinë për “mikun më të madh të shqiptarëve” e nxiti kaosi në Kosovë, vrasjet e shumta prapa shpinës, zhvatja, krimi i organizuar dhe pronësimi i pasurisë kombëtare nga një grusht njerëzish.
Disa kanë prirje të çoroditura t’i zëvendësojnë diktatorët, pa ta nuk e mendojnë jetën, janë si delja pa bari.