Ballina ED/OP Teatri i Keqkuptimeve

Teatri i Keqkuptimeve

Ata që më njohin e njohin gjithashtu shumë mirë ndjeshmërinë time absolute ndaj ndërtesave historike, qofshin këto institucione apo shtëpi e vila private.
Në kohën e dabatit të ashpër për prishjen e piramidës, une ndjeja keqardhje për të gjitha herët që si femijë rrëshkisja në faqet e saj të mermerta. I përkas një brezi që nuk e lidh godinën me motivacionet fillestare të ndërtimit. Edhe sot kur e shoh pyes veten përse të mos rikonceptohet kjo ndërtesë si një qendër Pompidou, ku artistët bashkëkohorë të shprehen në forma alternative, të organizohen ekspozita, performanca, të ketë një bibliotekë të integruar etj. Dëshiroj të theksoj këtu që bashkëshorti im, Princ Leka ka mendim kategorikisht të kundërt me mua për piramidën, por fatmirësisht në familjen tonë ka demokraci dhe secili mund të shprehë lirshëm mendimin e tij.

Ai apo ajo që mendon se nuk më dhemb akoma më shumë Teatri Kombëtar, me siguri nuk e di që une kam qënë në atë skenë përpara se të vij në jetë. Mamaja ime interpretonte Natën e Dymbëdhjetë të Shekspirit me mua shtatzënë. E gjithë fëmijëria ime lidhet me atë ndërtesë, me atë skenë. Kur shoqet e mia luanin në sheshet përpara pallateve, unë luaja në oborrin e atij teatri. Pikërisht magjia e asaj skene dhe e asaj atmosfere më ushqyen endrën e jetës sime për tu bërë aktore. Ajo godinë e cila nuk u ndërtua për ti mbijetuar viteve, prapseprapë i mbijetoi duke i dhënë vendit art dhe dritë në kohët e tij më të zymta. Në atë skenë vite më vonë kam marrë emocione të pazëvendësueshme si artiste. Sigurisht që teatri është magji, dhe ajo skenë që ka mbajtur kolosët e artit shqiptar e mbart këtë magji.

Cështja e Teatrit Kombëtar është sigurisht shumë e ndjeshme për çdo qytetar, por kryesisht për artistët që performojnë në të. Këtu nuk flas për ndërtesën si trashëgimi kulturore e cila padyshim i përket çdo shqiptari, por për kushtet e punës, funksionalitetin dhe kapacitetet që kjo godinë ka për të ofruar sot. Askush nuk mund të mohojë degradimin ekstrem të godinës dhe bërjen pothuajse të pamundur të ushtrimit të veprimtarisë artistike në kushtet aktuale. Në pothuajse tre dekada lënie në harresë, artistët dhe publiku artdashës nuk e kane braktisur kurrë, por i kanë dhënë shpirt një ndërtese të lënë në agoni.

Sot degjoj shumë zëra intelektualësh të respektuar që dalin në mbrojtje të godinës së teatrit, dhe sinqerisht kjo më prek shumë. Më në fund, pas kaq shumë vitesh, teatri ka vëmendjen që ka merituar gjithmonë! Të njëjtën vëmendje kanë merituar edhe artistët e mëdhenj që i kanë dhënë kësaj godine kuptim dhe histori. Edhe ata kanë merituar të punojnë e krijojnë në kushte njerëzore, të vlerësohen konkretisht për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm. Publiku i ka duartrokitur nga zemra, ndërkohë që shëndeti i tyre degradonte nga mungesa totale e kujdesit për ta! Disa prej tyre ndërruan jetë pasi nuk patën mundësi të përballojnë shpenzimet e kurimeve, pas një jete dedikim në Teatrin Kombëtar!
Sigurisht idealja do kish qënë që i gjithë ky debat të mos kishte nevojë për protesta, për akuza e kundërakuza, por për tavolina të rrumbullakëta, si ajo e Mbretit Artur, ku të gjitha palët të ishin të barabarta në të drejtën e tyre legjitime për të diskutuar mbi të ardhmen e ndertesës dhe institucionit.
Unë personalisht kam qënë gjithmonë pro dialogut, kjo është natyra ime, pasi ende besoj se dialogu është e vetmja rrugë drejt zgjidhjes përfundimtare të problemeve të një shoqërie.
Pas disa muajsh këto tryeza të përbashkëta filluan të organizohen dhe unë së bashku me shumë kolegë shprehëm entuziazmin tonë që më në fund palët u ulën dhe filluan të kërkonin bashkarisht zgjidhjen e problemit.
Debati për të ardhmen e Teatrit Kombëtar, i cili zgjat prej disa muajsh tashmë, herë na ka bashkuar e herë na ka vendosur në kahe të kundërt, ose është interpretuar si i tillë për shkak të mosinformimit apo nxitimit.
Një moment entuziast për mua ishte takimi mes bashkisë dhe tre kolegëve të nderuar të cilët ishin deleguar për të filluar negociatat, bashkëbisedimet konstruktive në emër të komunitetit. Pasi u lajmërua një bazë e shëndetshme për fillimin e negociatave, ku artistëve iu premtua që asnjë centimetër nuk do të prekej nga sipërfaqja e teatrit dhe ai do të rindertohej në territorin aktual, ku gjithashtu u fol për dy përfaqësues nga komuniteti të cilët do të ndiqnin zhvillimet e mëtejshme, pasi bashkia u zotua të kërkonte modifikimet e duhura në interes të teatrit nga projekti i propozuar, ( ketu mund pse jo të diskutohej integrimi apo ruajtja e pjesëve identifikuese si fasada apo rindërtimi i skenës sipas modelit të saj aktual), atehëre u duk një rreze dielli në horizontin e trazuar të muajve të fundit.
Vetëm atëherë, kolegu ynë Artan Imami përpiloi një letër të hapur në të cilën shprehu mbështetjen për këtë marreveshje si edhe nevojën e një Teatri të Ri Kombëtar, duke vënë theksin mbi mosprekjen e territorit. Asnjë rresht në letrën e tij të hapur nuk përmend shembjen e teatrit, por nevojën imediate për një teatër të ri dinjitoz me parametra europianë, për nga kapacitetet dhe funksionaliteti. Kjo kërkesë mëse legjitime vjen nga një komunitet i cili për dekada me rradhë është braktisur dhe lënë të bëjë art në kushte të papranueshme. Unë padyshim si artiste dhe artdashëse e mbështes këtë nevojë, pa patur nevojë të firmos asnjë peticion, siç disa u nxituan të më akuzojnë, pasi mbështes jo vetëm të kaluarën e ndritur që e ka shkruar trashëgiminë artistike me gërma ari, por edhe të ardhmen e brishtë të artistëve shqiptarë. Nuk mendoj se është mëkat të kërkosh parametra dhe kapacitete europiane në një teatër dinjitoz kombëtar. Do dëshiroja që komuniteti artistik të krijonte në teknologji moderne, të ecte paralel me vëndet e zhvilluara. Nëse është e mundur të ndërtohet ky teatër i ri modern, dhe krahas tij të restaurohet apo rikonstruktohet ai ekzistues, kjo do të ishte një zgjidhje ideale dhe ne të gjithë do të ishim shumë të lumtur! Por sa reale është në kushtet e sotme kjo dëshirë e jona? A i përmbush godina e sotme këto parametra? Këtë përgjigje ata që e njohin sadopak teatrin në brendi e dinë. Ata që e kanë parë vetëm nga fasada apo në televizor, i ftoj ta vizitojnë. Për një gjë i siguroj të gjithë ata që i kanë ndarë me dashje artistët në « me ne ose kundra nesh », nuk ka asnjë artist që nuk e do apo nuk i dhëmb Teatri Kombëtar, përkundrazi! Të gjithe jemi teatri!

Për ata që përmendën Mbretin Zog, po i siguroj për një gjë, nëse Shqipëria do të ishte Mbretëri, ai Teatër Kombëtar nuk do kishte degraduar kurrë në atë pikë. Dhe sigurisht do ishin ndërtuar shumë të rinj me parametrat e kohës, kështu regjisorët do kishin mundësi të zgjidhnin sallat në funksion të dramaturgjisë. Unë vetë kam patur rast të shoh në një botim të kohës, një projekt të Mbretërisë për Teatrin Kombëtar. Bëhej fjalë për një ndërtesë madhështore pranë Kishës Katolike në rrugën e Kavajës. Por fati vendosi një tjetër rrugë të mundimshme për këtë vend!

Pyetja që unë shtroj sot për të gjithë artistët e brezit të ri është, a do të mundemi ne ti japim shpresë dhe dritë vendit tonë? A do mundemi ne të bëjmë atë që bënë paraardhësit tanë? Të frymëzojme! Sigurisht jo duke luftuar njëri tjetrin! Miq artistë, politikat shkojnë e vijnë, ne kemi njëri tjetrin dhe do vazhdojmë të krijojmë e punojmë bashkë. Ndaj ju lutem mos pranoni përçarjen dhe armiqësinë, por të gjithë bashkë për ti dhënë vendit art dhe dashuri! (Gazeta “Atdheu”-online, 8 korrik 2018)