Gjenerali Shefki al-Hadithi
Iraku është prej vendeve të ralla në Lindjen e mesme që s’kam vizituar për shkak të gjendjes jo të qëndrueshme politike prej 1968. Kështu, isha i detyruar të shkruaja për shqiptarët e Irakut prej se largu, nga Prishtina, për ta përfunduar monografinë “Shqiptarët në botën arabe”, Rilindja 1990. Me gjurmimet e mia prej se largu jam hasur në shumë personalitete ushtarake e administrative që kanë bërë emër gjatë sundimit osman në Irak 1534-1917.
Megjithatë, një koleg irakian në universitetin ku punoj tani më tregoi per një gjeneral irakian në pension me orgjinë shqiptare ose “arnaut” që jeton në Amman të Jordanisë prej viti 2003, qëkur administrata e përkohshme amerikane e shpërndau ushtrinë irakiane. Me kurreshtje te madhe shkuam se bashku për një vizitë të gjenerali në pension që kishte banesën jo më shumë se 200 metra prej banesës sime.
Ishte moment prekës kur zbuluam se jemi fqinj nja 15 vjet pa u njohur njëri tjetrin përkundër asaj që na e lidh. Kureshtja e historianit nuk kishte kufi. Kështu biseda zgjati shumë dhe u ndamë me shpresë që të shihemi jo vetem në Amman po edhe në vendbanimet e arnautëve në veri e perëndim të Bagdadit.
Pasi gjenerali Shefki Abdulkarim al-Hadithi erdhi në Amman në rrethanat e luftës, ai kishte vetëm rrëfime të trashëguara prej babagjyshit dhe shumë përjetime e dëshmi për rrethin e ngushtë familjar që zuri funksione të larta në kohen e regjimit të vjetër i cili sundoi në Irak deri më 2003. Në rrëfimin e tij për ardhjen e të parëve të tyre përzihen fakte, që dëshmohen me praninë e disa mijë arnautëve në dy vendbanime, me legjendat për origjinën e tyre.
Gjenerali 66 vjeçar tregon se në vitet ‘80 të shekullit të kaluar e pyeti agjën e vet (që kishte atëherë afër 90 vjet) për origjinën e familjes dhe ai tregonte se gjyshi dhe i ati i tij kishin ardhur në vendbanimin Hadithe prej Sirisë. Etimologjia e fjalës tregon se fjala është për një vendbanim të ri, kurse koha e ardhjes përputhet me tërheqjen e trupave të Mehmet Aliut prej Levantit më 1840. Atëherë, kishin mbetur në rajon mjaft familje shqiptare që kishin ardhur me ushtrinë e Mehmet Ali pashës, por që mbetën Levant (Siri, Liban, Palestinë) ku u dalluan me mbiemër të përbashkët: Arnaut ose Arnauti.
Tradita që ruhet në familjen e gjenerali tregon për katër vëllezër që u vendosën në Hadithe (Hadi, Haliti, Kadriu dhe Zenuddini). Në bazë të traditës familjare vëllezërit morën një çiflig në brigjet e Eufratit, i cili me kohë u shndërrua në vendbanim të ri (hadithe), tani 260 km në përendim të Bagdadit. Por më vonë, për arsye të panjohura, një prej vëllezërve (Nureddini) shkoi në lindje dhe u vendos në një truall në brigjet e Tigrit, ku u formua me kohë një vendbanim i ri që tregon vet emri i vet (Xhdaidat al-shat).
Kjo ndarje jo vetëm që krijoi dy vendbanime të ndryshme, por edhe dy histori interesante të arnautëve të Irakut. Pasi vendbanimi i parë është në brigjet e Eufratit, pra në perëndim të Irakut ku dominojnë sunnitët, arnautët këtu u bënë pjesë të atij mjedisi. Me ardhjen e partisë Baath në pushtet më 1963 (për kohë të shkurtër) e më1968-2003, regjimi i ri kishte më shumë besim në popullsinë e pjesës perëndimore të Irakut. Kështu, shumë arnautë të vendbanimit Hadithe, të cilët sikurse te tjerët tani mbanin mbiemrin Hadithi, u ngritën në funksionet më të larta në organet shtetërore në qeveri, ushtri, agjencit të spiunazhit, etj.). Prej tyre është bash bashkëbiseduesi gjenerali Shefki al-Hadithi, që shërbente si shef të një reparti të spiunazhit.
Në lidhje me këtë, mjafton të veçojnë dy figurat më të njohura të kësaj figura. I pari është kushëriri i tij Abdulla al-Hadithi (1930-2000), i cili ishte themelues dhe drejtori i parë të Shërbimeve sekrete ushtarake më 1968. Ai pastaj zuri funksione të larta në ushtri deri kur më 1980 u bë ndihmës-shefi i shtatmadhorisë të ushtrisë irakiane deri kur doli në pension më 1982. I dyti është kushëriri tjetër Enver al-Hadithi (1926-1998 ), i cili u paraqit me grushtin e parë të shtetit më 1963 kundër gjeneralit majtist Abdulkerim Kaim. Ai u bë Sekretar i Këshillit Revolucionar që e udhëhoqi Irakun për një kohë, kurse më vonë u bë ministër i punës, etj. Në vitet shtatëdhjetë shkoi për vizitë në Shqipëri si zyrtari më i lartë irakian që e vizitoi Shqipërinë duke u mburur me origjinën e tij shqiptare.
Mirëpo, në të njëjtën kohë, pjesa tjetër e familjes (fëmijët e nipat e Zenuddinit) që shkuan në lindje dhe themeluan në brigjet e Tigrit vendbanimin e ri (Xhdaidat al-Shat) u bënë pjesë e shoqërisë shiite atje. Si tregon gjeneral Shefkiu, në kohën kur sunnitët mbanin funksione më larta në Irak gjatë 1968-2003, arnautët e Hadithës kishin kujdes për kushërinjtë e tyre që u bënë shiitë. Kurse pas 2003 kur shiitët u bënë në funksione më të larte ata treguan po ashtu kujdes për kushërinjtë e tyre në Hadithe. Si thotë gjeneral Shefkiu, ata gjithmonë për 100 vjet mbanin lidhje lidhje të mira,v izitohen shpesh sidomos në gëzime e ngushëllime.
Në mesin e arnautëve të Irakut, siç shihet në bisedë me gjeneralin Shefki, mbiemri Arnaut dikton legjende sepse udhëpërshkruesi i njohur turk Evlija Çelebi e vizitoi Shqipërinë më 1760 dhe e përhapi legjendën se arnautët rrjedhin prej një princi ose udhëheqësi të fisit të krishterë arab Gassan, Sipas asaj legjende, ai fis i cili u islamizua (sipas traditës) për një vit pastaj u kthye në fenë krishtere dhe u largua në Bizant e më vonë u vendos në Jug të Shqipërisë. Çelebiu shkoi aq larg në atë përrallë sa që mëtonte se kur ishte në Elbasan gjeti edhe varrin e atij princi, ku shkonin shqiptarët për të vizituar pasiqë ata e respektonin atë si “i pari i tyre”.
Nuk ishte lehtë për gjeneralin Shefki të kuptonte se fjala ishte për një legjendë, sa që më është dashur të takohemi edhe një herë për t’ia shpjegur përse është legjendë e ç’thotë shkenca për origjinën e shqiptarëve. Kuptohet duhen më shumë takime e vizita në Irak, sidomos në atë qendër buzë Tigrit, ku tani është epiqendra e arnautëve të Irakut. Iraku pas 2003 u kthye në shoqëri me formacione fisnore, që afrojnë më shumë mbrojtje për individët në kohën e anarkisë. Edhe aranautët u bënë atje fis më vete dhe tani e kanë udhëheqësin e fisit Hajdar Xhevat al-Arnautin, i cili mori në zgjedhjet e fundit parlamentare (rezultatet e të cilëve do të rinumrohen) me mbiemrin e vet kombëtar: al-Arnauti. Në fizionomi të tij shihen gjurma të të parëve, kurse këto gjurma shihen më qartë në gjeneratën e re në Xhadaidat al-Shat që është nja 80 km në veri të Bagdadit.
Udhëheqësi i fisit të arnautëve Hajdar Xhevat al-Arnauti në një pllakatë të fushatës parazgjedhore
Djem me tipare të të parëve shqiptarë në Xhdaidat al-Shat në një paradë
*Prof.. Muhamed Mufaku Gega
Historian kosovar, profesor i historisë bashkëkohore në universitetet jordaneze (1989-2018), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i nderuar me Medaljen e Republikës për Merita më 2012.