Prishtinë, korrik 2018: Fjala e Glauk Konjufcës – kryetar i Grupit Parlamentar të VV, në konferencën për media.
Të nderuar gazetarë,
Mirë se keni ardhur në konferencën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Kjo konferencë është reagim për atë çfarë po dëgjojmë çdo ditë nga Presidenti Thaçi lidhur me dialogun e Brukselit. Të gjithë ju e keni të qartë që secilit politikan po t’i ofrohej të udhëheq dialogun me Serbinë me siguri që do të mendonte disa herë dhe do të hezitonte me qenë në krye të këtij procesi. Është vetëm një person prej të gjithë politikanëve që po vrapon për të qenë në krye të këtij procesi patjetër, e ky është Hashim Thaçi.
Kjo tregon që Hashim Thaçi dialogun e ka jetik dhe ekzistencial. Ne mendojmë se kjo është jetike vetëm për personalitetin e tij, vetëm për karrierën e tij personale për shkak që përmes kësaj mendon që duke bërë kompromise dhe koncesione me Serbinë ndoshta për pak muaj do të mund ta shtyj Gjykatën Speciale nga funksionimi i saj. Mirëpo, ne jemi totalisht kundër që një person si ai të vihet në krye të dialogut, ta keqpërdor këtë proces, të bëjë koncesione në kurriz të Kosovës dhe krejt kjo vetëm pse ai frikësohet nga proceset e tjera siç është ardhja në shprehje dhe funksionimi i Gjykatës Speciale.
Presidenti Thaçi e kidnapoi procesin e dialogut politik sepse dihet që këtë proces gjithmonë e ka udhëhequr Qeveria e vendit. Në një moment të caktuar Presidenti Thaçi doli pa e pyetur askënd, e shpalli vetëvetën si drejtues të këtij dialogu. Me sa e dimë ne në Kosovë nuk ka ndodhur asnjë ndryshim i kompetencave të Presidentit nga vitet e mëparshme. Prej vitit 2008 kur Kosova ka Kushtetutë kompetencat e Presidentit janë të njëjta, pra Presidenti Thaçi i ka po ato kompetenca që i ka pasur edhe Presidentja Jahjaga. Mirëpo sa ishte Kryeministër ai takohej me Daçiqin, tash dialogu po ndryshon vetëm pse Hashim Thaçi ka ndryshuar postin publik. Kjo për ne është e papranueshme, është e kritikueshme dhe duhet të ndalet përmes partive politike të Kosovës të cilat ja duan të mirën Kosovës.
E patë se si Presidenti ia hoqi vijat e kuqe Serbisë. Në një konferencë shtypi ai tha që me Serbinë nuk kemi vija të kuqe. Tash kur Presidenti i hoqi vijat e kuqe, Lëvizja VETËVENDOSJE! mendon se Parlamenti duhet t’ja vendos vijat e kuqe Hashim Thaçit.
Së pari Parlamenti duhet t’i tregojë që ai nuk është njeriu kredibil, i cili nuk mund t’i udhëheq këto negociata, së dyti të përpilohet një rezolutë nga Kuvendi i Kosovës dhe të vendosen vijat e kuqe edhe për Presidentin edhe për Serbinë, pra që të vendoset një kornizë e interesave të Kosovës jashtë të cilës nuk mund të del çdonjëri që mund të shkojë në të ardhmen dhe të negociojë me Serbinë.
Prej atyre që Lëvizja VETËVENDOSJE! i mendon si vija të kuqe ndaj Serbisë dhe të cilat do të duhej të ishin të panegociushme, për ato të cilat nuk diskutohet, e para do të duhej të ishte funksionaliteti i Kosovës. Ne si shtet sovran dhe i pavarur më së shumti çfarë kemi nevojë është për ta ndërtuar Kosovën nga brenda, për ta bërë shtet ligjor dhe shtet funksional. Prandaj Parlamenti i Kosovës do të duhej të thotë që Kosova në çfarëdo procesi dialogues me Serbinë mund të pranojë kurrëfarë autonomie për serbët, kurrfarë Zajednice ekzekutive në Kosovë sepse këto do të mund ta pamundësonin që Kosova të jetë shtet i njëmend.
Vija e dytë e kuqe do të ishte mospranimi i kurrëfarë coptimi të Kosovës, kurrëfarë ndarje e Kosovës, dhe poashtu asnjë shkëmbim territorial mes Kosovës dhe Serbisë.
Nëse Kuvendi ia vendos këto vija të kuqe Hashim Thaçit dhe nëse ia pamundëson atij për të shkuar në negociatat e ardhshme atëherë krijohet një bazë e qëndrueshme që qytetarët e Kosovës të ndiheshin të sigurt, që nuk janë të rrezikuar, që shteti i tyre nuk po kërcënohet nga individë aventurier të cilët krye në vete, pa kurrëfarë dokumenti legjitimues, as prej Kuvendit, as prej institucioneve tona, shkojnë atje dhe kthehen e na tregojnë që gjithçka në tavolinë është e negociueshme sepse kur thua që nuk ka vija të kuqe kjo i bie që në tavolinë gjithçka mund të bisedohet, duke përfshirë edhe kufijtë e Kosovës, por edhe çështjet e brendshme. Kjo ka shqetësuar, jo vetëm Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por çdo qytetarë të Republikës së Kosovës.
Dje Presidenti na kërcënoi edhe me rastin e Palestinës duke thënë që nëse Kosova nuk bënë kompromis atëherë do të përfundojë sikur Palestina. Ne i bëjmë thirrje Presidentit që të mos e kërcënojë më popullin e Kosovës me raste të tilla të cilat ekzistojnë në botë dhe me të cilat Kosova nuk ka lidhje. Pra, të mos i keqpërdor këto raste dhe vuatjet e popujve tjerë për të kërcënuar popullin e Kosovës.
Presidenti Thaçi po e thotë fare qartë, në mënyrë implicite, se po shkon atje për t’ia dhënë një kompromis shumë të madh Serbisë, pra për t’i bërë koncesione të majme Serbisë. Qëllimi i VETËVENDOSJE!-s është që t’i pamundësojë këto koncesione të Presidentit në relacion me Serbinë. Hashim Thaçi e ka vetëm një qëllim këto ditë e fundit se si t’i fasadojë koncesionet me Serbinë.
VETËVENDOSJE! do të japë kontributin e vet në drejtim të krijimit të një pozicioni brenda Parlamentit dhe institucioneve të Kosovës që Serbinë ta vendosim para një zgjedhje. Serbia nuk mund t’i zgjedh të dyjat edhe Kosovën edhe Bashkimi Evropian në vitin 2025. Institucionet tona duhet t’i thonë Serbisë mund ta zgjedhësh vetëm njërën. Dhe më e mira për rajonin, paqen në Evropë, për stabilitetin në Ballkan do të ishte që Serbia ta zgjedh Bashkimin Evropian dhe ta lërë rehat Kosovën, kurse Presidenti sikur po ia mundëson Serbisë që t’i zgjedh të dyjat, edhe një copë brenda Kosovës, përmes Zajednicës dhe që Serbia të shkojë e sigurt në vitin 2025 drejt integrimeve në BE.