Ballina Aktualitet “Faza pasardhëse e procesit të pranimit të Shqipërisë, hapat dhe sfidat përpara”

“Faza pasardhëse e procesit të pranimit të Shqipërisë, hapat dhe sfidat përpara”

-Fjala e Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati në takimin me strukturat e integrimit evropian-


29/06/2018 – ArtikullTakim me strukturat e integrimit evropian në MEPJ dhe ministritë e linjës me temë: “Faza pasardhëse e procesit të pranimit të Shqipërisë, hapat dhe sfidat përpara”I nderuar zoti Kryetar i Parlamentit,

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar zonja, zotërinj dhe ambasadorë,

Është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, për fqinjin tonë por edhe për vetë të ardhmen e projektit evropian teksa jemi vetëm pak orë pas vendimmarrjes së vendeve anëtare të BE-së të cilët vendosën për t’iu përgjigjur pozitivisht rekomandimit të Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë. Mendojmë që ky është mesazhi i parë më pozitiv që vjen nga vendimmarrja e vendeve anëtare të BE-së. Së dyti, një moment i rëndësishëm që ia vlen të nënvizohet është kalendari i përcaktuar qartë nga ana e vendeve anëtare dhe puna përgatitore që pritet kryesisht nga ne, por kuptohet, në bashkëveprim me Komisionin Evropian, nga momenti që flasim, deri në qershorin e vitit tjetër dhe më tutje. Ato hapa të ndërmjetëm që i kanë bërë dhe vende të tjera para nesh me instrumentet në dispozicion që do t’i ketë Shqipëria për të vijuar përpjekjet e saj drejt procesit të bisedimeve për anëtarësim.

Kanë mbetur disi jashtë vëmendjes së opinionit publik disa elementë të tjerë të Këshillit këto ditë, elementë që kanë të bëjnë me vlerësimin e Këshillit përsa i përket trajektores së reformave në fushën e sundimit të së drejtës, kryesisht tek reforma në drejtësi që gjerësisht nga vendet anëtare konsiderohet si model për t’u ndjekur dhe nga vendet e tjera që janë apo jo në procesin e bisedimit për anëtarësim, apo dhe nga vetë vendet anëtare të BE-së, konfirmimi nga ana e vendeve anëtare në një moment shumë të vështirë për vetë Evropën i linjëzimit 100%  të politikës sonë të Jashtme me atë të Bashkimit Evropian, sikundër rolit tonë dinamik e konstruktiv në rajon. Natyrisht, përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët, duke filluar që nga fqinji ynë Greqia, etj, është nënvizuar gjithashtu si në raportin e Komisionit Evropian ashtu dhe nga konkluzionet e Këshillit të BE-së. Reformat në fushën e ekonomisë, kompetitiviteti, përmirësimi i klimës së biznesit gjithashtu janë të lidhura me reformën e fushës së drejtësisë. Dhe ajo ç’ka është më e rëndësishmja për në fund, Këshilli nuk ka përcaktuar asnjë kusht apo kriter të ri për Shqipërinë por, ka skicuar apo ka  detajuar më tej, 5 prioritetet që ne besojmë do t’i kemi bashkëudhëtare në gjithë procesin tonë të anëtarësimit në BE. Por sot ne jemi mbledhur këtu sepse para nesh fillon një punë shumë më e madhe dhe kjo është arsyeja pse vendosëm që sot të kemi këtu në radhë të parë nuklën e nëpunësve civilë të strukturës koordinuese që është tek Ministria e Evropës dhe Punët e Jashtme, por dhe personat kyç në institucionet e tjera shtetërore, për t’i falënderuar natyrisht për gjithë djersën dhe kontributin që është dhënë për këtë proces dhe për të biseduar edhe për sfidat tona që janë dhe që duhet t’i adresojmë menjëherë.Para nesh janë dy procese dhe kjo është krejt e qartë. Së pari, thellimi i i reformave i bazuar te detajimi i 5 prioriteteve që ka bërë vetë Këshilli i Bashkimit Evropian dhe nga ana tjetër, na duhet që të fuqizojmë dhe operacionalizojmë infrastrukturën njerëzore, administrative në funksion të përgatitjet  së hapjes së bisedimeve për anëtarësim.

Katër janë elementët që dëshiroja të nënvizoja dhe të ndaja këtu me ju. Së pari, na nevojitet një fuqizim i mëtejshëm i strukturës bashkërenduese këtu në Ministrinë e  Evropës dhe Punëve të Jashtme. Së bashku me Zv. ministrin e ri, Gentin, jam i bindur që dhe falë vullnetit të tij dhe pasionit të tij dhe njohurive për këtë punë si dhe me mbështetjen e Kryeministrit, ne do të kemi mundësinë shumë shpejt, në ditët në vijim të paraqesim një propozim ambicioz, të bazuar në praktikën më të mirë dhe të vendeve të tjera të rajonit që në fakt do të jetë edhe bërthama e sekretariatit të ekipit të ardhshëm negociator. Kemi nxjerrë disa mësime. Nuk mund të themi  që kemi qënë 100% dhe jemi 100% gati. Në këtë proces, së bashku me Komisionin Europian kemi kuptuar që kemi kufizime, kemi mangësi në sektorë dhe politika të caktuara. I jemi shumë mirënjohës delegacionit të Bashkimit Europian, ekspertizës SMEI-t që është këtu me ne dhe me të cilët kemi hartuar një koncept strategjik se si do t’i përqasemi tryezës së bisedimeve për anëtarësim.

Natyrisht Serbia e ka bërë një gjë të tillë një vit pasi ka filluar procesi i bisedimeve për anëtarësim. Mali i Zi, menjëherë në momentin që janë hapur bisedimet për anëtarësim. Besoj se për ne është një fat deri diku që kemi këtë kuadër kohor dhe do të na krijojë mundësinë që të mirëpeshojmë  të gjitha alternativat dhe të kemi vendimin më të mirë në këtë drejtim. Në këtë pikë të parë, unë dëshiroj gjithashtu të falënderoj nga zemra të gjithë nëpunësit që janë pjesë e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, që kanë një kontribut në këtë proces.

Çështja e dytë që ne i’a kemi vendosur vetes si detyrë ka të bëjë me fuqizimin e mekanizmit të bashkërendimit, jo thjesht në nivel qeveritar që drejtohet nga Kryeministri, por  struktura të tjera, siç është struktura parlamentare, duke qenë se është Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, Komisioni i Politikës së Jashtme, Komisioni i Integrimit Europian, institucione të pavarura me të cilat ne kemi një bashkëpunim të mirë, por që duhet fuqizuar ky bashkëpunim dhe fuqizimi i gjithashtu nuklave që ekzistojë nëpër ministritë e linjës që, për hir të së vërtetës, i kanë rezistuar tallazeve të politikës në këto 20 e ca vite.

Së treti, ky proces kërkon një partneritet edhe më të zhdërvjelltë me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare. E keni kuptuar besoj të gjithë që, e pranojmë apo jo pak rëndësi ka, ky proces vijon të jetë ndërqeveritar. Pavarësisht se ne themi që detyrat e shtëpisë që na i cakton Komisioni Evropian përpiqemi për t’i bërë, në fund të ditës vendet anëtare kanë ndjeshmëritë e tyre, kanë dinamikën e tyre të brendshme, në një mënyrë a një tjetër ato janë vendimmarrëset në këtë proces. Prandaj nuk na nevojitet thjesht një fuqizim i partneritetit me Komisionin Evropian por dhe me vendet anëtare. Dhe në këtë drejtim, ne gjithashtu pjesë të këtij koncepti strategjik kemi dhe platformën tonë për të fuqizuar në radhë të parë misionin tonë pranë Bashkimit Evropian, ç’ka është një praktikë e ngjashme dhe ka ndodhur me të gjitha vendet e tjera, qoftë nga pikëpamja e burimeve njerëzore, infrastrukturës dhe burimeve financiare, por edhe ambasadat dhe misionet tona në vendet kyçe të Bashkimit Evropian, por jo vetëm. Sepse në këtë proces, kemi kuptuar që dhe nëpër instancat shumëpalëshe, siç ishte OKB, OSBE, NATO, ka mundësi gjithmonë për të komunikuar arritjet tona me vendet anëtare.

Po në këtë drejtim, unë e ndjej shumë të nevojshme të falënderoj në mënyrë të posaçme katër persona që janë sot këtu me ne, Suelën, ambasadoren tonë në Bashkimin Evropian, me të cilën jo vetëm kjo ministri, por shumë instanca të tjera kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm në këtë proces.

Dritanin, i cili është ambasadori ynë në Paris dhe kemi shkëmbyer shumë e shumë opinione, debate, ngritje zëri, por gjithmonë në funksion të përmirësimit të prezencës sonë në Francë dhe kuptimit sa më mirë të reformave tona dhe e falënderoj shumë nga zemra për punën që ka bërë.

Adia, e cila punon tek vendi i zemrës sime, po siç e di dhe Devi, prapë se prapë Holanda ka një vështrim disi të ndryshëm përsa i përket procesit dhe ardhmërisë së vetë Bashkimit Evropian. Por dimë që me Adian në Holandë kemi arritur të kemi një komunikim më të mirë me të gjithë interlokutorët atje.

Dhe Turin në Gjermani, një vend kyc, falë punës shumë të mirë ne kemi pasur mundësi të kemi komunikim edhe më të zhdërvjellët me Bundestagun dhe struktura që formësojnë opinionin publik në Gjermani. Është detyra jonë që këtë praktikë që e kemi akumuluar, kufizimet që kemi evidentuar në punën e secilit prej nesh, të kemi mundësinë t’i përmirësojmë sepse rruga jonë është përpjetë, nuk ka as petale, por nuk ka as gjemba dhe është e rëndësishme ta fuqizojmë.

Së katërti, është partneriteti me shoqërinë civile dhe me grupet e interesit. Kryeministri e ka theksuar disa herë që ky nuk është thjesht një proces qeveritar, nuk është një proces që ka të bëjë thjesht me lëvizjen e makinerisë burokratike,  është një proces që kërkon në një front të gjerë politikën, shoqërinë civile, grupet e interesit, investitorët, shoqërinë akademike, sepse në fund të ditës, janë ata që do të jenë dhe protagonistët e këtij ndryshimi të madh.

Ne kemi hartuar një platformë gjatë javës së Evropës së bashku me delegacionin e Bashkimit Evropian. E kemi bërë publike, jemi në proces konsultimi me aktorët e shoqërisë civile dhe besojmë se do të kemi një mundësi dhe modelin më të mirë të mundshëm edhe për kanalizimin e opinionit dhe pikëpamjeve të tyre në ketë proces të vështire që ne hymë.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme janë disa falënderime që dua të bëj për miqtë tanë si ministër i Evropës dhe Punëve të Jashtme. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë vendet anëtare pa përjashtim edhe ato vende të cilat ishin lokomotivë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të menjëhershëm edhe vendet të cilat deri në momentet e fundit, edhe për shkak të rrethanave të tyre të brendshme, kërkonin më shumë kohë për të marrë një vendim. Nuk është sekret të them. Dje, kam pasur një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Holandës dhe ka qenë një bisedë shumë e mire. Kemi përcaktuar dhe një kalendar për një bashkëpunim më të thelluar gjatë këtij viti, jo thjesht për programet e Holandës në Shqipëri, jo thjeshtë për prezencën ekonomike të Holandës në Shqipëri, por edhe për të komunikuar më mirë Shqipërinë në Holandë dhe arritjet tona e për të fuqizuar bashkëpunimin, kryesisht të agjencive ligj zbatuese.

Komisionin Evropian që nga Presidenti Junker me vizitën që bëri në vendet e Ballkanit Perëndimor, Federikën dhe Johanesin, miq të zjarrtë jo thjesht të Shqipërisë, por të procesit të integrimit evropian e deri tek Romana e gjithë ekipi këtu i delegacionit të Bashkimit Evropian, asistencën që ka Bashkimi Evropian në të gjitha institucionet e linjës, sepse ne e dimë shumë mirë që kur përgatisim ato dokumentet voluminoze pa ndihmën e asistencës, pa ndihmën e ekspertizës që ve në dispozicion taksapaguesit evropianë, i gjithë ky proces do të ishte i gjymtuar.

Kryeministri para dy ditësh vuri theksin tek fqinjët tanë dhe unë dua gjithashtu ta ritheksoj. Në këtë proces nuk më ka bërë habi, por jam shumë i lumtur që fqinjët tanë kanë qenë avoketërit më të zjarrtë të Shqipërisë. Fqinjët tanë kanë qenë avoketërit më të zjarrtë edhe të Shkupit apo  asaj që pak kohë do quhet, Maqedonia e Veriut, duke dhënë një shembull shumë të mirë, mendoj, edhe për vendet e Bashkimit Evropian, që rajoni ynë po evropianizohet, që ne po transformohemi nga armiq të dikurshëm, në fqinjë të vërtetë dhe në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe që ja vlen të vijohet, të investohet ne këtë proces.

Se treti, dua të falënderoj presidencën bullgare. Nuk ka qenë e lehtë as për ta dhe as për ne që kemi bashkëpunuar ngushtë me ta, për ta vendosur procesin e zgjerimit dhe Ballkanin Perëndimor sërish në agjendë, serish në agjendën vendim marrëse të Bashkimit Evropian. Nuk ka qenë e lehtë për Komisionin për të prezantuar strategjinë e zgjerimit e cila nuk shkaktoi pak sekëlldi, qoftë për ne, qoftë për vendet anëtare. Por në fund, besoj se të dyja palët ja dolëm që të kemi një produkt dhe të kemi disa drejtime kryesore.

Dhe meqenëse ne jemi në drejtim të hapjes së një fronti shumë të madh, dua ta falënderoj presidencën e radhës që do të jetë Presidenca austriake.  Një mike e Shqipërisë, një mike e rajonit që shpesh herë thuhet që kryeqyteti i Ballkanit Perëndimor është Vjena. Dhe ne shpresojmë shumë që në 6-mujorin e presidencës austriake, së bashku edhe me Komisionin Evropian, të kemi mundësi të avancojmë si ne, ashtu edhe fqinji ynë nëpërmjet hapave konkrete me procesin analitik i cili nuk do të jetë një proces i lehtë për ne por do të jete një proces i mëtejshëm i transformimit të shoqërisë dhe institucioneve shqiptare.

Duke ju falënderuar të gjithëve që jeni sot këtu, më lejoni t’i jap fjalën Kryeministrit të RSH-së, z. Edi Rama.