Ballina Aktualitet Në Fronin e Orëve e Shtojzovalleve do të shkojë rruga e makinës

Në Fronin e Orëve e Shtojzovalleve do të shkojë rruga e makinës

-Fjala e kryetarit të bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj në Vranë, në ditën e perurirmit të fillimit të punimeve për hapjen e Rruges për në Curraj të Epërm –

Të nderuar Nikaj-Mërturas!

I nderuar deputet i Tropojës!

I nderuar prefekt i Qarkut Kukës!

Zonja dhe zotërinj, që na nderoni me pjesëmarrjen tuaj në festën e bukur të hapjes së sezonit turistik!

Besoj se keni ndier kënaqësi gjatë ngjitjes nëpër rrugën e rregulluar, nëpër krazhnjetet, malet, burimet, lumenjtë e kullat, pra dikush që nuk ka qënë herë tjetër me siguri është ndier i mahnitur.

Jemi në prehër të Kakijës së Nikajve, përballë Kores së Mërturit dhe pas kësaj qafe, Qafës së M’rrethit ndodhet mrekullia e Alpeve, Curraj Epër.

Po i afrohemi dalëngadalë këtij vendi me rrugë dhe vitin që vjen atje do të hapim sezonin turistik 2019…

Vëllezër e motra, të kësaj krahine legjendare, që mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”!

Nuk janë thjeshtë dy fjalë, por janë breza, është histori, janë virtyte, janë këngë, është një mbijetësë në mbi 5 shekuj.

Rrallë popull tjetër si Nikaj-Mërturasit kanë ruajtur vëllazërinë me njëri-tjetrin, por dhe kanë mbajtur në shpirt zjarrin e ndezur të lirisë duke e përcjellë nga brezi në brez.

Sa herë mblidhemi dhe evokojmë të kaluarën e lavdishme të kësaj krahine, sakrificat e mëdha për këtë vend të lirë, më vijnë në mend fjalët lapidare të fratit legjendar të Nikajt, At Gjon Shllaku, në vitin 1945, që kur u ngjit pikërisht këtu, në këto lartësi dhe i hodhi vështrimin e fundit Nikaj Mërturit, i fundit, se ai nuk arriti të kthehej më në këtë zonë, pasi u pushkatua nga regjimi komunist – tha: “Këtu të gjithë njerëzit janë mbretën, dhe në mes vetit kanë marrdhanje të barabarta si mbretën. Vetëm këtu është i saktë koncepti i njeriut të lirë.”

Vëllezër e motra!

Kanë kaluar rreth pesë shekuj, që kur Nikajt dhe Mërturi u vëndosën në këto zona të rrethuara nga malet krenare, me burime e lumenjë të mrekullueshëm, me fshatrat, që vijnë rradhë rradhë në ato hapësira të vogla të tokave pjellore, me ato shpate e bjeshkë të jashtëzakonshme.

Kur kalojmë sot në këto anë na ngjan se hyjmë në një muze historie. Këtu legjendat thonë se jetuan kreshnikët e këngët e tyre, e prej këtu Homerat e Curraj Epër, Nikaj Mërturit dhe fretnit françeskanë ia përcollën eposin legjendar, kombit, historisë dhe kulturës botërore.

E nuk është vetëm Eposi i Kreshnikëve kryevepra e kësaj treve, por është pasuria e madhe e gjuhës, janë virtytet e mrekullueshme, është respekti për veten dhe të tjerët, është guximi e trimëria, është mikpritja e pashoqe në botë.

Të nderuar pjesëmarrës!

Para një viti festuam 100 vjetorin e shkollës së parë shqipe të Malësisë sonë, e cila u hap pikërisht në këtë zonë, gjë që tregon për dashurinë e madhe të këtij populli për arsim, kulturë e zhvillim.

Ky takim i mrekullueshëm, kjo pjesëmarrje, këngët e vallet, motivimi i jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit e tregon se ç’shëmbull të madh jep Nikaj Mërturi në ditët e sotme.

Gjej rastin të përshëndes së pari banorët e tanishëm të këtyre fshatrave, megjithëse të pakët në numër ata po tërheqin shumë të tjerë, që të përvëluar nga malli ngjiten këtej në të gjitha stinët e vitit.

Uroj që të shtohet sa më shumë numri i tyre!

Të gjithëve na gëzon fakti se shumë turistë u drejtohen këtyre zonave, ku në këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj zone po vetpunësohen disa familje nga Brisa deri në Curraj Epër duke i kthyer kullat në bujtina të mrekullueshme.

Jam i sigurt se shumë shpejt numri i të punësuarve nga turizmi në këtë zonë do të shumëfishohet.

Bashkia Tropojë do të bëjë çdo përpjekje, do të përdorë çdo burim e mjet për përmirësimin e infrastrukturës në këtë zonë, e në veçanti asaj turistike.

Ne e dimë fort mirë gjëndjen ekonomike të banorëve të këtyre anëve, e ndjejmë në shpirt varfërinë dhe vështirësitë e tyre, prandaj jemi të angazhuar fort për t’u ardhur në ndihmë këtyre banorëve.

Siç e shihni ne kemi filluar rrugën për Curraj Epër, për t’u dhënë mundësi banorëve të këtij fshati të kthehen kur të duan te vatrat e tyre, për t’u dhënë mundësi turistëve të eksplorojnë vendet më të bukura jo vetëm të Alpeve shqiptare, por ndoshta edhe të Europës.

Gjej rastin të falenderoj punëtorët e palodhur, që po derdhin djersën e tyre për ndërtimin e kësaj rruge, një falenderim të veçantë për “Shoqatën Nikaj Mërtur”, si dhe për “Unionin Curraj Epër”, por dhe për të gjithë ata që po kontribojnë dhe do të kontribojnë në ndërtimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme, jo vetëm për fshatin Curraj Epër, jo vetëm për zonën e Nikaj Mërturit, por për gjithë Malësinë tonë!

Duke përfundur kam një falenderim për të gjithë ata që mundësuan zhvillimin e këtij aktiviteti të sotëm, këtu në livadhet përrallore në prehër të Kakijes, Frontit të orëve e Shtojzovalleve!

Ju falenderoj për pjesëmarrjen!

Gëzuar festën e hapjes së sezonit turistik!

Nder përjetë popullit legjendar të Nikaj Mërturit!

Faleminderit!