Nga Laureta Petoshati
Atë vend ku lumenjtë bashkërrjedhin
e bëhen një në bregun me emër lundërtari,
ja, këtu, ndërsa bie shi kujtimet ma sjellin
qershorin dhe rrugën me shkëlqim opali.
I kujtoj të gjitha:
Mbi qumështoret e verdha fluturat monarke,
gjethet e vrigullta të panjave të blerta,
rrathët bashkëqendrorë nga prekja e ndonjë pafke,
ecja me kujdes në rrugët e pjerrëta.
Ku zogjtë në helika avionësh kanë kurthe të pathëna,
e njerëzit ngecin në makina nga trafiku i rënduar,
aty, doja të ndërtoja një shtëpi me gurë nga hëna,
me pemë ullinjsh anash të rrethuar.
Por dimri i përborshëm atje e than ullirin,
ndaj si Pjetri Krishtin, ajo tokë e mohon,
kedrat e qiparisat dot s’ia mbushin syrin,
atë pemë përjetësie ende dashuron.
Unë kujtoj, ndërsa shiu bie pa pushim,
Le të bjerë, për ullinjtë është bekim!
© Vlorë më 27 qershor 2018