Nga Habi Hoxha
Nëse pranojmë të flasim për Skënderbeun qoftë edhe përmes ligjërimit bisedor, përshkrimeve të ndryshme në formë eseje, poezitë e mërzitshme me motivet qëndrore historike, skulpturat bust, portret, apo edhe në derivate të tjera të shprehjes së artit, si në pak tema, biem dakord se parimisht figura e heroit tonë kombëtarë është tashmë e mirëplotësuar, sepse tek e fundit “të gjithë e duan Skënderbeun…”.
Po çfarë ndodh nëse brenda një rrëfimi të shkruar, një aktor, në një teatër të vërtet mes Teatrit të Madh, merr një telefonatë nga zyrat e Kryeministrisë, aty ku kanë filluar jetojnë perënditë e kohëve moderne, ftohet në ngjarjen e vitit, e cila do të mbahet në nder të figurës së Heroit?
Po nëse një aktor i zakonshëm, në një teatër modest, ku kostumet e shfaqjeve humbasin me njëra-tjetrën, e rekuizitat si shkarpat e Skëndërbeut flaken jashtë si shkopinjë të thjeshtë, ku rolin e figurantëve e kryejnë manikinat, fillon të mendoj se në këtë ngjarje do t’i duhet t’a nderonte figurën e mbetur të Heroit, me një interpretim, një monolog, mbivendosur kësaj edhe zgjidhjen e dilemës se cili është Heroi i kësaj ngjarje?
Po nësë një aktor, në një teatër ku më karizmatikja është gruaja e mirëmbajtjes, i cili në fillim është aktor si gjithët e kësaj bote e më pas njeri në kuptimin filozofik, gjatë përpjekjeve për të ndërtuar një paraqitje dinjitoze, mplekset si në çdo ditë me detyrimet që ka përcaktuar shoqëria si: gruaja, madje ish-gruaja, fëmija që nuk bëhet dot ish-fëmijë, rroga e pakaluar, bashkëjetesa me kolegët dhe thashethemet e secilit?
Po nëse po ky aktor, brenda po së njëjtës ditë merr një lajm të mirë dhe një lajm të keq, nga Aktorët e mëdhenj, ku si ngahera e dyta shkatërron të parën pa pyetur për gjithë përpjekjet për ta organizuar jetën sipas të resë më të fundit, pikërisht në momentin kur njëfarsoj ja ka dal të futet në një marrëdhënie me “Skënderbeun” që ka vendosur të luaj?
Atëherë ndodh që ky rrëfim të hapet si skema e valëve koncentrike, ku dallga e parë është një ëndërr, e dyta një teatër, e treta një telefonatë, e katërta një valë që fillon të ngarkohet më linja psikologjike e kështu me rradhë deri në valën e fundit të përndezur, të rraskapitur, me dëshirën për t’a zbrazur të gjithë mllefin.
Skënderbeu i 550 viteve më parë, ka kaluar mespërmes kohës, i vishet nga një ditë secilit prej nesh deri në 550 vdekje, 1000 vdekje, vdekjes së përhershme….