Tregim nga Hyqmet Hasko
Xhejmsi plak, që poi u afrohej të tetëdhjetave dhe që jetonte një nga skutat e një rrugice qorre në një nga lagjet më të varfëra të Nju-Xhersit, kishte ditë pa ngrënë dhe i dukej sikur për shkak të urisë që po e gërryente nga brenda, gjithçka në trupin e tij qe mbërthyer në një pështjellim që shkonte drejt rrënimit.
Ato tre katër ditë, teksa rrinte ashtu i skrupullosur me kapotën e tij të vjetër prej ushtari të Vietnamit, askush nuk i qe afruar për t’i hedhur ndonjë qindarkë apo të paktën ndonjë copë bukë, sa për të shuar sadopak atë uri vrastare që e kishte mbërthyer në darët e saj të vrazhda.
Gjendja fizike e rënduar shoqërohej me gjendjen mjerane shpirtërore, me ato klithma vajtimi e pendimi që ia trazonin qenien, në një betejë fantazmagorike me hijet e vetvetes.
Atë mbërmje, iu duk sikur gjuha i qe mpirë, nofullat i qenë shtrëmbëruar dhe stomaku i qe fundosur në brinjë, në shenjë proteste nga mosngrënia disaditore dhe ai u ndie aq keq sa dy tre herë i ra të fikët, por zgjohej përsëri nga i ftohti cingëritës.
Siç e thamë, askush nuk kishte kaluar ato ditë pranë tij, për t’i hedhur ndonjë qindarkë. Po vinte mbrëmja dhe rishtas zhgënjimi dhe mosngrënia, po e mbëstillnin trupin e tij të cfilitur me hijet e muzgut të purpurtë.
Urija, kjo sëmundje e rëndë, mortajë e pashpallur, e pa bujë dhe cinike deri në neveri, këndonte me tone vaji e klithje në zorrët e tij, me nota të thekura dhimbjeje e proteste.
Gjithçka i klithte në trup, në mendje, në shpirt, në zemër dhe të gjitha përfytyrimet e tij shkonin drejt një cope bukë të madhe e një tasi me supë të ngrohtë, që mund t’ia ndryshonte jetën.
U ngrit dhe po ecte kuturu, me këmbët që i merreshin, me trupin të mpirë e mendjen të çoroditur, gjithëherë duke sjellë në mend të njejtin imazh: sikur rrinte pranë një zjarri bubulak në oxhak dhe teksa kotej ëmbël, para ishte tasi i zbarsur me mish kaprolli dhe sallatë jeshile, të cilën sapo e kishte kullifitur.
Përfytyrimi e godiste keq me kamzhikun e realitetit të egër e banal, teksa endej në vetmi, i mbështjellë me iluzione, stres dhe uri.
Uria tek ai tanimë ishte mbi të gjitha të tjerët, sundonte me spektrin grit ë gjitha shijet për jetën, të gjitha përfytyrimet dhe ndjesitë.
Befas hyri në një qoshk të errët që konturohej në gjysëmhijet e një rrugice të vetmuar. Asnjë këmbë njeriu. Vetëm era, si hajne trazonte gjethet e verdha të pragvjeshtës dhe i hidhte në gjeneratorin e muzgut të fshehtë.
Dikur ndieu një aromë që e përpiu. Armë buke taze… Aromë buke të ngrohtë, të porsadalë nga furra.
Këndelli hundët dhe stomaku u përgatit për aventurën e tij të shijimit, por ai u tërhoq nga magjia, nga frika e zhgënjimit.
Më në fund, u duk një fasadë muri e vjetër dhe një si kolibe e ndërtuar me tulla të kuqe, ku një person tek dritarja e vogël po kotej, teksa aroma e bukës së porsapjekur i erdhi në hundë si tundim.
Po, ishte një furrë e vogël buke, që mbështillej me tisin e hijeve të kreshpëruara të mbrëmjes.
U afrua dhe pa fytyrën e imët të bukëpjekësit, mbështetur ne duart e agrasura që po flinte. U afrua dhe ndjeu frymënaarrjen e tij. Pak më tej supeve të bukëpjekësit ishin bukët të vënë radhë radhë dhe të stivosura për t’u shitur.
Emocionet po e përmbytnin nga brenda. Ajo aromë e mirë, aromë e munguar jete, po i kthehej në makth.
U zgjat dhe tentoi të kapte një bukë po nuk e arriti. U ngrit ë majë të gishtave dhe u hepua drejt dritares duke e futur gjysmën e trupit brenda, gjersa arriti që me duart që i dridheshin ta kapte një bukë.
E kapi dhe tentoi të ikte me ngut, por dy duar të forta e mbërthyen për fyti dhe Brenda një minuta skudra e gatshme e FBI-së mbërriti në vendin e ngjarjes dhe e mbërtheu me pranga.
Në rajon kërkoi t’i sillnin për të ngrënë. Më jepni të ha dhe më çoni ku të doni, në daç në burg e në daç në ferr.
Ndihmës-sherifi urdhëri oficerin e shërbimit t’i sillte dy franxholla të mëdha, një tas me lëngë mishi me karota dhe një hamburgër të stërmadh.
I kullufiti sa hap e mbyll sytë dhe ndieu se uria i qe shuar disi, por jo plotësisht.
Në një lagjet e Nju Xhersit, ku ekzistonte një varfëri e madhe dhe njerëz që jetonin në mizerje një burrë i moshuar u dërgua para trupit gjykues, për shkak se kishte vjedhur një bukë.
I moshuari e pranoi padinë e ngritur ndaj tij dhe as që u orvat ta mohojë. I vetmi justifikim ishte se pati uri dhe uri kishte ende, edhe në ato çaste që po fliste. Ai tha shumë fjalë, duke e justifikuar aktin me fjalët:
-Më grinin zorrët nga uria, prandaj e zgjata dorën dhe e vodha një bukë, zoti gjykatës.
Gjindja rrinte e shtangur, duke vështruar herë gjykatësin, herë hajdutin e bukës.
Gjykatësi u ngrit në këmbë dhe i tha:
-Ti e pranon që ke vjedhur dhe unë të dënoj me një gjobë prej dhjetë dollarësh. E me që e di se nuk ke me çfarë ta paguash gjobën, sepse ti nuk ke asnjë copë bukë për të ngrënë, e jo më dhjetë dollarë, do e paguaj unë në vendin tënd.
Të gjithë heshtën, ndërkohë që gjykatësi u ngrit, nxori një dhjetë dollarësh dhe kërkoi që të depozitohej në arkë në emër të akuzuarit.
Mandej, gjykatësi iu kthye të pranishmëve të cilëve u tha:
-Ky njeri është shumë i varfër dhe vodhi një bukë. Nuk e vodhi ai, por stomaku i tij që ishte robëruar nga uria. Edhe ju jeni të detyruar të paguani nga dhjetë dollarë, sepse jetoni në një vend ku një i varfër detyrohet të vjedhë për t’u ushqyer. As unë dhe as ju nuk duhet të ndihemi mirë, kur dikush vjedh një bukë dhe ndëshkohet, kur ne ndonjëherë nuk ndëshkojmë ata që vjedhin miliona, me “kollaret e shtetit”.
Të gjithë duartrokitën dhe u përlotën. Plaku “hajdut” nuk po e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte, por vështrimet mirëdashëse dhe të ngrohta të turmës që ndodhej në sallë ia ngrohën shpirtin dhe sikur ia larguan urinë.
Në fund të seancës, u mblodhën 480 dollarë, të cilat gjykatësi ia dha të moshuarit.
Thuhet se kjo histori është e vërtetë dhe se u bë shkak i fillimit të asistencës sociale për fukarenjtë dhe të sëmurët.
Për një njeri të vetëm, mund të bëhet një shkak që të ndryshojë filozofia e një shteti të tërë.
Xhejmsi plak, që poi u afrohej të tetëdhjetave dhe që jetonte një nga skutat e një rrugice qorre në një nga lagjet më të varfëra të Nju-Xhersit, nuk doli më për të lypur. Shteti i lidhi një pension të mirë, të mjaftueshëm për të kaluar një pleqëri të mbarë dhe pa streset e mbijetesës.