Ballina ED/OP Terrorizmi ushqehet në Tiranë !

Terrorizmi ushqehet në Tiranë !

Nga Bujar NISHANI  – ish President i Shqipërisë

Të dashur miq, sot u krye akti politik që noterizoj një akt terrorizmi.
Në botën e civilizuar terrorizmi është çfaqur në format nga më të ndryshmet.
Në Shqipërinë demokratike pas 50-vitesh të terrorit komunist ai u çfaq me vrasjen politike, në institucionet më të larta të shtetit, të liderit të lëvizjes demokratike për rrëzimin e diktaturës më të egër të Evropës së pasluftës, Azem Hajdarit.
Atentati për vrasjen e tij, në mesin e Parlamentit, në tribunën e fjalës së lirë ishte padyshim një akt i pastër terrorist.
Sot, pas dënimit ligjor që ky atentator bëri, ai nderohet zyrtarisht me medalje mirënjohje..
Sot terrorizmi noterohet me mirënjohje nga pushteti politik !!!
Nuk ka asnjë dyshim që idea djallëzore, dora e fshehur, synimi i poshtër ndodhet në mes të Tiranës dhe jo atje në Hasin e izoluar dhe varfëruar.
Noterizimi i aktit terrorist ndaj studentit liberator të lindjes së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipërinë post-diktaturë, konfirmon urrejtjen dhe revanshin e xhelatëve ndaj një populli që vendosi ti rrëzoj ata 25 vite më parë pas një kalvari gjysëm shekullor të pushtetit absolut e vrastar.
Ky provokim i ulët që në të vërtetë vjen nga mesi i bulevardit të Tiranës nuk është se motivohet nga “meraku” për militantët e tij në Has.
Ata mjeranë thjesht po keqpërdoren siç u keqpërdorën për 50 vite me rradhë që të justifikoheshin pushkatimet, burgosjet, interrnimet, shpronesimet, varferimi dhe shkaterrimi i genit të një populli të tërë.
Noterizimi që ju bë sot aktit terrorist ndaj tribunit të lirisë është “cartabianca” që pushteti po i jep goditjes terroriste ndaj opozitës politike.
Sot u dekonspirua publikisht platforma e urrejtjes ndaj modelit të një sistemi të lirë dhe demokratik.
Ky akt nuk mund të trajtohet si një limonadë e prishur në mes të zagushisë politike.
Sot, shqiptarët kanë më shumë se kurrë më parë, përgjegjësinë të bashkohen për të ndalur modelin e urrejtjes, terrorit, përçarjes, nënshtrimit, friksimit i cili synon të fsheh planin ogurzi të një copëtimit të ri të territorit shqiptar që po pregatitet në interes të ruajtjes së pushtetit të grabitjes, varfërimit dhe korrupsionit.