Ballina Personazh Skicë e shkurtër për familjen dhe intelektualin Pjetër Meta

Skicë e shkurtër për familjen dhe intelektualin Pjetër Meta

Nga Dëfrim CANI

Nëse nuk do të merresha me studime në fushën e letërsisë dhe historisë, d.m.th me kulturologji, nuk do të kisha pasur mundësinë për të njohur Pjetër Metën. Një miku ynë i përbashkët më foli për një libër interesant të titulluar “Gruaja që sfidoi fatin”, një libër që është i rrallë për ngjarjen që tregohet në të, me një personazh që duket se vjen nga epika e hershme fantastike shqiptare apo të huaja, për një jetë njerëzore familjare, e cila rrjedh me një sakrificë sublime për jetën, në rrethanat e një kohe historike, që sapo e kemi lënë pas. Për shumë arsye libri është sfidues dhe i rëndësishëm për karakterin e shqiptarëve. Në të vërtetë gruaja sfidante e fatit, ngjarja dhe mbajtja e jetës në kuptimin më normal të saj, pavarësisht sakrificës, ishte një njeri normal, që është ndarë nga jeta ca ditë më parë, e njohura Drande Jaku. “Heroina”, përveçse shtoi elementë të tjerë të qëndresës së malësisë, veçmas të Tropojës, e bëri më të besueshme legjendën e jetës në kuptimin lokal dhe kombëtarë.

Kurrsesi nuk mund të flisja për njohjen me Pjetër Metën jashtë këtij detaji të rëndësishëm, për shkakun e një raporti të thellë dhe të brendshëm, që shpjegon shqisa e autorit të këtij libri, i cili dalëngadalë ka marrë rrugëtimin e largët për të hyrë mes njerëzve, në mediumet historike dhe etnopsikologjike, në vëmendjen e kritikës së vendit dhe të huaj dhe “guximit” për të shkuar në entet botuese perëndimore. Libri në fjalë ka një metaforë universale të kuptueshme në të gjithë gjuhët dhe psikologjitë botërore. 

Pjetër Meta ka lindur dhe është shkolluar fillimisht në Tropojë, pastaj ka qenë universitarë në Tiranë dhe përsëri është kthyer në Tropojë. Vendlindja e tij ka qenë një mundësi e çdokohshme veprimtarie dhe të nxënit kulturë, për qenë intelektual klasi, familjarë i mrekullueshëm, drejtues institucionesh të rëndësishme dhe një publicist, që kishte kapacitetin për të shkruar në mediet më të rëndësishme të vendit. Në këto kondita jetese dhe pune, ku tradita dhe bashkëkohorja përkëmbeheshin mjaft mirë me njëra tjetrën, Pjetër Meta krijoi familjen.

Sot, kur familja e tij ka në gjirin e saj të ngushtë tre breza, ai është me nipër dhe mbesa, sepse ka një lloj kujdesi, një marrëdhënie sikur të gjithë jetojnë bashkë, në një shtëpi, në një familje dhe me të njëjtin fat. Në të vërtetë nuk është kështu, por identiteti familjarë ka një tregues tepër specifik, familja e tij është rritur në një harmoni dhe liri të pranueshme, pavarësisht kushteve, rrethanave sociale dhe ekonomike. Një meritë e tillë i përket bashkëshortes së tij Ages dhe Pjetër Metës, si një bashkëshort dhe prind i mirë.

Të takosh dhe të bisedosh me Pjetër Metën është një arsye e mirë për të qenë i lirë, i qetë dhe i respektuar në komunikim. Zakonisht njerëzit e ditur më së pari dhe pastaj të kulturuar të krijojnë mundësi të flasësh, të debatosh, të mësosh dhe të bindesh, ashtu siç mund të bindësh dhe ti të tjerët. Pse, në këto pak radhë, të cilën objektivisht e kam quajtur një skicë të shkurtër, më vjen në vështrimin e parë një çështje që duket krejt e thjeshtë? Populli shqiptarë ka një fjalë të urtë; “Folëm shumë e veshtë s’u morëm!” Kjo praktikë të lodh shumë, jo vetëm në mjediset qytetase, por dhe në ata periferike apo dhe familjare. Dendurish shqiptarët rrinë grupe- grupe, por veshtë me njëri- tjetrin nuk merren. Mjedisi ynë vazhdon të jetë i tillë, sa më shumë debat politik të ketë, që nga nivelet e larta, e deri ata më të ulëta. I dashuruar me dijen, veçmas historinë dhe politikën, Pjetër Meta ka një ekuilibër të veçantë shpirtërorë, komunikues dhe debatues. Nuk i largohet kurrë edukimit historik dhe tradicional të familjes, gjë që e ka bërë racional dhe bashkëbisedues me pjesën progresive të shoqërisë, pavarësisht (dis)-unitetit politik apo referencave që mund të kenë. Ndodh, njerëzit në modelin e tyre logjik, politik apo social- ekonomik janë edukuar me referencë të ndryshme.

Pjetër Meta ka shkruar tri libra të veçantë, specifikisht përçues të tri dimensioneve të ndryshme sociale dhe historike. Ai ka shkruar dhe ka botuar librin “Gruaja që sfidoi fatin”, të cilin unë  e kam konsideruar njërin nga librat më të mirë të shkruar në Shqipëri pas vitit 1990, që herë duket si histori, herë si monografi dhe herë si letërsi. Fatmirësisht në të, me pak mungesa për secilën, libri është dhe roman, është dhe monografi dhe libër historik. Ka shkruar gjithashtu romanin “Fundi i kaluarit”, një roman që gërsheton fate historike dhe fate njerëzish në rrjedhat e zhvillimeve historike shqiptare, lidhur fort me trevën e autorit. Libri ka një stil epik, me një lirizëm të kursyer, por të thellë. Libri tjetër është monografik, titullohet “Pal Kokrri (Neçaj), që siç kuptohet flitet për një personazh të njohur dhe të vërtetë. Heroi i monografisë është parë në një kompleks të thellë historik dhe social. Tri libra ndryshe, specifik për nga lloji, siç dhe shënova më lart, shpalosin një dimension intelektual, me qasje të shkëlqyer letrare, historike, sociale, psikologjike dhe etnopsikologjike.

 Ashtu siç trupit të të riut i duhen ndërruar rrobat vit pas viti, pasi ai rritet dhe rrobat e vjetra rrinë ngushtë, Pjetër Meta, pavarësisht shkollimit në kohën e totalitarizmit, profesioni i ekonomistit i ka mbetur një shqisë sipërore. Mendjet e mprehta, veçmas në ekonomi, kanë mundësi ta kapërcejnë “ylberin” politik të sistemeve. Ekonomia është inteligjencë, është nuhatje, është shqisë e epërme në njerëz të tillë, e cila kalon përmes një kalibri të hollë të kalemit. Pjetër Metës nuk i ka munguar kjo dhunti.

I ardhur nga Tropoja në Tiranë, kryeqyteti sa ç’ka qenë një hapësirë e madhe për biznes, po kaq ka qenë dhe një rrugicë e ngushtë. Pjetër Meta e kuptoi mirë këtë. Ai pati aftësinë ta gjejë praktikumin e imagjinatës së tij ekonomike në terrenet strategjike. Falë dhe kulturës, leximit analitik të përvojës në botë, për një biznes familjarë është e mundur dhe rentabël puna në stinën më intensive të pushimeve të verës. Talja e Lezhës qe një mundësi për ta vënë në punë “shtrëngimin e mendjes” dhe kompleksi “Kristal”, sot është një pikë e rëndësishme referente e pushuesve nga trojet, vendi dhe nga jashtë për gjithë stinën e nxehtë. Dalëngadalë, besueshëm, kompleksi “Kristal” po rritet me një shëndet të mirë, si një fëmijë i ushqyer mirë.

Projekteve të tij, asnjëherë nuk iu shmang dhe debati e arsyetimi familjarë. Pavarësisht të qenit afër dhe larg të tre brezave të familjes, ata duket se janë bashkë. Pjetër Meta vazhdon të shkruajë, të jetë ekonomist dhe të një mik i rëndësishëm i njerëzve të medies, kulturës dhe letërsisë.