Ballina Aktualitet Është koha që UNMIK-u ta përfundojë mandatin e tij në Kosovë

Është koha që UNMIK-u ta përfundojë mandatin e tij në Kosovë

-Intervistë me Konsullen e Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatqijapër gazetën kombëtare “Bota Sot” dhënë Nebi Ajetit-

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, Teuta Sahatqija, Konsulle e Republikës së Kosovës në New York, ka deklaruar se Serbia vazhdon të jetë pengesë në anëtarësimin e vendit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ajo ka theksuar se Rusia dhe Serbia, po bëjnë luftë të ashpër karshi avancimit të çështjes së Kosovës. Konsullja  Sahatqija, ka deklaruar se Kosova nuk ka marrë asnjë Notë, as njoftim zyrtar nga ndonjë shtet për tërheqje.

“Bota sot” Sa po punohet që Kosova të përfaqësohet sa më mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Teuta Sahatqija: RKS në SHBA është e përfaqësuar me 3 misione, me Ambasadën në Uashington DC, me Konsullatën e përgjithshme në Iowa dhe me Konsullatën e Përgjithshme në New York. Të tri misionet kanë diplomatë të përgatitur dhe besoj se me dinjitet dhe me sukses po e përfaqësojnë Kosovën në këtë shtet mik por edhe para shteteve tjera që janë të përfaqësuara përmes misioneve të tyre.

Konsullata e Përgjithshme e RKS në New York është një mision i veçantë. Është i akredituar si Konsullatë e Përgjithshme, por në fakt puna që bëhet është punë shumë dimensionale ku puna konsullore përbënë vetëm një pjesë të vogël të punës. Ndonëse Kosova ende nuk është zyrtarisht anëtare e KB (Kombet e Bashkuara), ky mision i RKS shërben si mision pranë KB duke komunikuar me nivelet e ndryshme me Misionet Permanente të shteteve  të ndryshme anëtare të KB, duke përcjellë punën e organeve të ndryshme të saj, raportuar për zhvillimet, zgjedhjet nëpër organe, koordinuar dhe duke kërkuar përfshirjen e Kosovës nëpër raporte të ndryshme të Sekretarit Gjeneral etj.

– Punën e Konsullatës së Përgjithshme në New York e kisha nda në 3 fusha.

1. Njëra fushë përfshinë çështjet konsullor me të cilën ky mision e mbulon gjithë kontinentin amerikan prej Kanadasë, SHBA dhe Amerikën latine duke ofruar shërbime konsullore komplete. Tek ne në New York lëshohen certifikatat e ndryshme, letërnjoftimet, pasaportat, jepen vizat për qytetar të huaj që duan të vijnë në Kosovë dhe shumë shërbime tjera konsullore.

2. Bashkëpunimi me diasporën, diplomacisë ekonomike, kulturore

Në New York ekziston një diasporë shumë e madhe në numër. Shqiptarët ishin shumë aktiv në kohën kur po krijohej Shqipëria, ndihmuan pakursyer në kohën kur Kosova gjakonte. Diaspora shqiptare në SHBA nuk ndahet me kufijtë administrative të shteteve, ata qëndrojnë mirë financiarisht. Shumica e restoranteve me ekskluzive në Manhattan e gjetiu në fakt janë në pronësi të shqiptarëve, kanë një hise të mirë  në fushën e patundshmërive, kanë depërtuar fuqishëm në fushën bankare, të bizneseve të teknologjisë, janë nëpër organizata ndërkombëtare. Shqiptarët janë të organizuar në një numër të shoqatave, duke nisur nga Shoqata më e vjetër pan shqiptare Vatra e cila sapo i mbushi 106 vjet. Disa nga shoqatat janë të ndara përkrah përkatësia gjeografike, të tjera sipas një objektivi, por të gjitha pa dallim janë të përkushtuara për bashkëpunim me atdheun dhe të gatshme për të dalë në krah në rast nevoje. Këtu dua të ceki edhe shtëpitë mediale shqiptare të cilat përcjellin aktivitetet e ndryshme  dhe mbajnë kronikën e shqiptarëve në Amerikë dhe mbajnë lidhjet me atdheun si Beqir Sina i Botës sot, Halil Mula i RTV21, Dalip Greca nga Dielli, Adem Belliu, familja Zylo e shumë të tjerë. Falë angazhimit të diasporës të ndihmuar nga Asambleisti Mark Gjonaj, gjuha shqipe është zyrtarizuar në shkollat publike në New York.

3. Pjesa tjetër e rëndësishme e punës së diplomatëve në Konsullatën e Përgjithshme në New York ka të bëjë me bashkëpunimin me Misionet pranë OKB-së, përgatitjet për raportimet 3 mujore të UNMIK-ut, pastaj punë për njohje dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, anëtarësime në organizata të ndryshme. Në New York janë të përfaqësuar të gjithë shtetet anëtarë të KB, pra 193 Misione janë prezentë. Në New York shtetet i dërgojnë diplomatët e tyre  më të përgatitur, gjë që këtë vend e bën vendin shumë të përshtatshëm për çfarëdo lobimi dhe diplomatët tanë në New York vërtetë po bëjnë ndryshim për të mirë.

“Bota sot” Sa i vështirë po del të jetë ballafaqimi në mes Kosovës dhe Serbisë në Këshillin e Sigurimit?

Teuta Sahatqija: Diskutimet në Këshillin e Sigurimit po përdoren nga ana e Serbisë për konsum të brendshëm për pikë politike gjë e cila po vazhdon të ushqejë ndjenjat nacionaliste dhe urrejtje ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Pas çdo diskutimi mediat në serbe janë të mbushur me artikuj kundër Kosovës ndërsa Ambasadorja Çitaku merr mesazhe plot urrejtje dhe kërcënime si pasojë e kësaj.

Mungesa e anëtarësimit të Kosovës në KB dhe mos prezenca në punimet e KB dhe trupave të saj paraqet sfidë dhe vështirësi në vete. Këshilli i Sigurimit të KB po vazhdon të mblidhet çdo 3 muaj për të diskutuar për Raportin e UNMIK-ut për Kosovën, periudhë kjo e njëjtë sikur për vatrat e krizës dhe vende që kërkojnë vëmendjen e botës. Përkundër shumë përpjekjeve tona dhe të miqve tanë, ende nuk u arrit që të rrallohet frekuenca e takimeve apo edhe të bëhet mbyllja e tyre. Konkretisht Rusia së bashku me Serbinë janë  kundërshtare të fuqishme të mbylljes apo të rrallimit të mbajtjes se mbledhjes. Përmes seancave të rregullta tentohet të mbahet gjallë Rezolutën anakronike 1244 e vitit 1999 e cila i referohet Federatës së Jugosllavisë, shtetit i cili ka kohë që nuk ekziston. UNMIK u gjithashtu paraqet një strukture që nuk i përshtatet kohës dhe realitetit kosovar pasi tashmë as nuk është Mision Paqeruajtës e as nuk është  Mision Administrues. Paqja mbretëron në Kosovë për 2 dekada dhe Kosova prej 2008 administrohet nga institucionet e shtetit te pavarur. Prandaj është koha që ky mision si i tillë të përfundon mandatin e tij dhe të shndërrohet në mision të çështjeve politike të KB duke e njohur realitetin e shtetit të pavarur.

Duhet të theksohet se falë punës së palodhshme dhe të vazhdueshme të diplomatëve në New York, diskutimet e shteteve anëtare po fokusohen çdo ditë e më shumë me kërkesën drejtë një Rishikim Strategjik të UNMIK-ut, tezë kjo e cila në shkurt u paraqit nga Ambasadorja e Polonisë ndërsa në maj u përkrah nga të gjitha shtetet evropiane dhe SHBA.

“Bota sot”: Në çdo ballafaqim të Kosovës me Serbinë  në OKB haset në kundërshtime të ashpra, ka presion, pakënaqësi edhe pas mbarimit të mbledhjeve?

Teuta Sahatqija: Mbledhjet e Këshillit të Sigurimit për Raportin e UNMIK-ut, përdoren nga ana e Serbisë dhe Rusisë jo për të diskutuar për vetë Raportin por për çështjet e tyre të veçanta. MPJ të Serbisë Ivica Daçiq e ka shndërruar çdo mbledhje të KS në teatër të populizimit dhe nacionalizmit. Ai kërcënon shtetet anëtare që e përkrahin Kosovën, ashtu siç e bëri në mbledhjen e muajit maj, kërkon tërheqjen e njohjes së Kosovës nga ato, shpërndanë të pavërteta të shumta. Në anën tjetër, përfaqësuesi i Rusisë në mbledhjen e majit ka shfrytëzuar platformën e Këshillit të Sigurimit për të  folur për bazën amerikane Bondsteel (e cila fare nuk përmendet në Raport te UNMIK-ut) se për pjesë të Raportit. Ky diskurs normalisht vazhdon edhe pas mbledhjes.

Kërkesa për të rralluar takimet, për ta transformuar misionin “paqeruajtës” dhe “administrues” UNMIK në Mision politik të UN tashmë janë shndërruar në diskurs të rregullt në mesin e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilat e përkrahin Kosovën.

 “Bota sot”: Sa mendoni se diplomacia në Kosovë ka përparuar këto dy vite?

Teuta Sahatqija: Diplomacia është shërbim dhe proces afatgjata. Ajo nuk duhet të shikohet vetëm në aspektin e ngushtë numerik të njohjeve. Shumë gjëra nuk varen vetëm nga diplomacia por edhe nga proceset tjera, p.sh situata e brendshme politike, dialogu për normalizim, proceset me komplekse gjeo politike etj. Duhet pasur parasysh se Kosova ka një numër solid të njohjeve, po  anëtarësohet në organizata të ndryshme, artistët, sportistët, bizneset tona po korrin suksese në arenën ndërkombëtare dhe po përhapin emrin e Kosovës për të mirë gjithandej duke u shndërruar në Ambasador të vërtetë të Kosovës.

Në anën tjetër, Serbia ka një diplomaci afatgjate, me numër të madh të diplomatëve nga koha e Jugosllavisë, miqësi të krijuara për shumë kohë të cilat i japin avantazh diplomatik. Serbia vazhdimisht  plason idenë se është suksesore, trashëgimtare e Jugosllavisë, vazhdon të përdorë lidhjen  me Jugosllavinë në grupin e shteteve të pa inkuadruara, plason idenë e “Secesionit” të Kosovës nga Serbia duke mbjellë frikë të pa arsyeshme te disa shtete se njohja e Kosovës hapë “plaga” brenda territoreve të këtyre shteteve.

Kosova ka një diplomaci të re e cila me sukses po krijon lidhje, miqësi të reja dhe e cila i duhet të demanton sasinë enorme të të pavërtetave të akumuluara me dekada të shumta. Gjë të cilën po e bën me sukses në vazhdimësi duke treguar se Kosova nuk është produkt i secesionit por  së bashku me 6 shtetet tjera janë produkte të shthurjes së Federatës së Jugosllavisë falë 4 luftërave me të cilën Serbia përfundimisht e shkatërroi atë.

Gjatë punës sime dyvjeçare kam vërejtur nga diskutimet me disa  ambasador të shteteve jo njohëse se ata kanë pak njohuri për situatën reale në Kosovë duke pasur në të njëjtën kohë shumë dezinformata. Shumë shtete kanë ende respekt e dashuri për Jugosllavinë, Titon dhe kanë çështjet e hapura brenda territorit të vetë. Një numër i ambasadorëve kanë shërbyer në Jugosllavi, kanë kryer shkollat në Beograd, Zagreb, Sarajevë dhe e mbajnë në kujtimet e tyre më të mira kohën e Titos e Jugosllavisë. Prandaj para nesh është një punë e rëndësishme dhe afatgjate për të demantuar këto dezinformata dhe për të punuar në avancimin e Kosovës në skenën botërore duke treguar të vërtetën se shtetësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare,  në 2010 e vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

“Bota sot”:  Momentalisht Kosova po ballafaqohet me vështirësi sa i përket numrit e njohjeve, ka lajme rreth tërheqjeve të njohjeve. Mendoni se po dështon diplomacia në këtë aspekt?

Teuta Sahatqija: Është e vërtetë se po ballafaqohemi me një ofensivë të egër nga ana Serbisë dhe tendencës së tyre për tërheqjen e njohjeve. MPJ të Serbisë Ivica Daçiq në çdo mbledhje të KS kërkon që shtete të cilat nuk e kanë njohë Kosovën të vazhdojnë të mos e bëjnë atë si dhe shtete që tashmë e kanë njohur ta tërheqin atë. Në kuadër të fushatës kemi parë vizitat e shumta të tij nëpër shtetet afrikane, të Amerikës latine, dhe Oqeanisë. Por faktikisht ne nuk kemi marrë asnjë Notë as njoftim zyrtar nga ndonjë shtet për tërheqje. Këto i kemi pare në paraqitjet teatrale të Daçiqit. Por, kjo nuk ka kaluar pa përpjekjet e shumta dhe të suksesshme nga ana e Kosovës, MPJ dhe misionet tona nëpër botë. Mund të ju tregoj se ne në Neë York kemi bërë shumë takime me shtetet e përfolura, shume koordinim dhe bashkëpunim me shtetet e ndryshme mike për të parandaluar dhe rikthyer besimin. Bashkëpunimi veçanërisht me SHBA e shtete evropiane kanë paraqitur pjesë të madhe të punës tonë, demarshe nga ana e këtyre shteteve, bashkërendim me Misionet tona nëpër botë, sidomos me atë në Panama, Senegal, Tokjo etj. Ky është një proces që kërkon kohë, energji, bashkërendim, konsistencë dhe shumë durim.

“Bota sot”:  Sa besoni që deri në muajin dhjetor Kosova do të ketë liberalizmi e vizave?

Teuta Sahatqija: Demarkacioni si pengesë kryesore tash, është hequr nga lista dhe besoj se së shpejti do të kemi përgjigjeje pozitive.

“Bota sot”: Do të aplikoj Kosova në UNESCO, dhe sa po punohet që të sigurohen votat?

Teuta Sahatqija: Veprimet janë të bashkërenduara me institucione tona, me shtetet mike për të siguruar votat për anëtarësim sivjet në INTERPOL dhe vitin e ardhshëm në UNESCO. Serbia është duke investuar shume energji dhe resurse që me çdo mjet ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në UNESCO si trup të UN. Anëtarësimi në UNESCO ka rëndësi të veçantë pasi do të dërgonte Kosovën një hap më afër anëtarësimit në KB gjë e cila po kundërshtohet fuqishëm nga Serbia. 

“Bota sot”: A e ka Kosova përkrahjen e SHBA-ve për formimin e ushtrisë?

Teuta Sahatqija: SHBA është mike dhe përkrahëse e madhe e Kosovës në çdo fushë. Ajo ka ndihmuar FSK-në në trajnime, pajisje etj, dhe vazhdon ta përkrah me përkushtim deri në transformim definitiv.

“Bota sot”:  Mendoni që ka nevojë që të tërhiqet misioni i EULEXIT nga Kosova, dhe kush mund ta zëvendësojë?

Teuta Sahatqija: Pa marrë parasysh rolin dhe rëndësinë e EULEX, sistemi i gjyqësisë i Kosovës do të duhej të jetë i përgatitur të ballafaqohet me sfidat me të cilat tashmë ballafaqohet vendi ynë si dhe me ato të cilat e presin në të ardhmen.

“Bota sot”: Si e shihni gjendjen aktuale politike në vend?

Tetuta Sahatqija: Misionet në UN informohen menjëherë për zhvillimet aktuale në Kosovë fale misioneve të tyre brenda Kosovës apo në regjion. Çfarëdo që ndodhë në Kosovë, qoftë në Parlament,  Qeveri dhe në përgjithësi diskutohet nëpër takimet e rregullta dhe kanë ndikim. Çështja e demarkacionit ishte rregullisht pikë e pakapërcyeshme në çdo takim me diplomatët e huaj. Prandaj çdo zhvillim pozitiv në vend na jep mundësinë që të shpërndajmë atë informatë duke krijuar imazh të mirë për vendin tonë.

“Bota sot”:  Cilat janë përshtypjet e SHBA-së për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë?

Teuta Sahatqija: Ndonëse shtete e ndryshme në KB kanë qëndrimet e ndryshme rreth anëtarësimit të Kosovës në KB, organizata apo rreth  çështjeve tjera, ata pajtohen se  dialogu është mjet për të arritur  normalizimin me Kosovës e Serbisë. Ndonëse edhe aty ka nuanca për detaje të ndryshme, dialogu shihet si mënyrë e vetme e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe e hapjes së rrugës për progres. Këtë në mënyrë të posaçme theksojnë shtete evropiane duke potencuar se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të jetë çështje diskutimi në BE e jo çdo 3 muaj në KB gjatë Raportimit të UNMIK-ut. SHBA me interesim e përcjellë dialogun dhe janë të interesuar që përfundimisht të arrihet normalizimi. Së fundmi ishte një Raport me propozime të politikave nga organizata prestixhoze East West Institute me titull “ Koha për veprim në Ballkanin Perëndimor” i cili e trajton Ballkanin Perëndimor duke propozuar zgjidhje afatgjate për regjion.