Ballina Aktualitet Publikohet Deklarata e presidentëve Donald Trump dhe Kim Jong Un

Publikohet Deklarata e presidentëve Donald Trump dhe Kim Jong Un

Singapor, 12 qershor 2018 – Është publikuar deklarata e përbashkët e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, të nëshkruar sot, në takimin historik të tyre, në Singapor.

Në deklaratë shprehet gatishmëria e të dy palëve për vendosjen e marrëdhënieve të reja mes dy vendeve, për vendosjen e paqes së qëndrueshme e jetëgjatë në Gadishullin e Koresë, për denuklearizimin e plotë të Gadishullit dhe për kthimin e robërve të luftës dhe gjetjen e të humburve në luftë.

Teksti i deklaratës:

Deklaratë e Përbashkët e Presidentit Donald J. Trump të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kryetarit Kim Jong Un të Republikës Popullore Demokratike të Koresë në Samitin e Singaporit.

Presidenti Donald J. Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kryetari Kim Jong Un i Komisionit të Çështjeve Shtetërore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë mbajtën një takim të parë historik në Singapor, më 12 qershor 2018.

Presidenti Trump dhe Kryetari Kim Jong Un patën një shkëmbim të sinqertë, tërësor e të thellë opinionesh për çështjet në lidhje me krijimin e marrëdhënieve të reja SHBA-RPDK dhe për vendosjen e një regjimi paqeje të qëndrueshme e jetëgjatë në Gadishullin e Koresë. Presidenti Trump u angazhua në ofrimin e garancive të sigurisë RPDK-së, ndërsa Kryetari Kim Jong Un ripohoi përkushtimin e tij të fortë e të palëkundur për përmbushjen e denuklearizimit të Gadishullit të Koresë.

Të bindur se krijimi i marrëdhënieve të reja SHBA-RPDK do të kontribuojë për paqen e begatinë e Gadishullit të Koresë e të botës, dhe duke pranuar se krijimi i besimit të ndërsjellë mund të promovojë denuklearizimin e Gadishullit të Koresë, Presidenti Trump dhe Kryetari Kim Jong Un deklarojnë si më poshtë:

  1. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK angazhohen në ndërtimin e marrëdhënieve të reja SHBA-RPDK në përputhje me dëshirën e popujve të të dy vendeve për paqe e begati.
  2. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK do të bashkojnë përpjekjet për të ndërtuar një regjim paqeje të qëndrueshëm e jetëgjatë në Gadishullin e Koresë.
  3. Dike riafirmuar deklaratën e Panmunjomit, datë 27 prill 2018, RPDK angazhohet të punojë për arritjen e denuklearizimit të plotë të Gadishullit të Koresë.
  4. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK angazhohen për kthimin e robërve të luftës / të humburve në betejë, përfshirë riatdhesimin e menjëhershme të atyre që janë të identifikuar tashmë.

Të ndërgjegjshëm që takimi SHBA-RPDK – i pari në histori – ishte një ngjarje epokale me domethënie të madhe e që kapërcen dekada tensioni e armiqësie midis dy vendeve dhe për nisjen e një të ardhmeje të re, Presidenti Trump Kryetari Kim Jong Un angazhohen për përmbushjen e plotë dhe në mënyrë efikase të pikave të kësaj deklarate të përbashkët. Shtetet e Bashkuara dhe RPDK angazhohen të mbajnë takime të tjera në vazhdimësi, me pjesëmarrjen e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Mike Pompeo, dhe një zyrtari të nivelit të lartë të RPDK, në datën më të afërt të mundshme, për zbatimin e marrëveshjeve të takimit SHBA-RPDK.

Presidenti Donald J. Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kryetari Kim Jong Un i Komisionit të Çështjeve Shtetërore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë angazhohen të bashkëpunojnë për zhvillimin e marrëdhënieve të reja SHBA-RPDK dhe për promovimin e paqes, begatisë e sigurisë në Gadishullin e Koresë e në Botë.

12 qershor 2018

Ishulli Sentosa

(r.m.)