Ballina Kulturë Në gjuhën tonë të bukur: shqip KRYQËZIMI I FOLJES «ME (U) MSHELË»

Në gjuhën tonë të bukur: shqip KRYQËZIMI I FOLJES «ME (U) MSHELË»

Janë do fjalë që ndihmojnë me ndriçue ecurinë e çerdhes së vet, duke zbardhur trajtën bazë. Pra duke zdritur rrënjë të shqipes. Ndër to: me (u) mshelë “me (u) mbyllë, me (u) ngujue”. Kalimtare, vetvetore. Ndeshet edhe me (u) mshilë. Në Malsi të Madhe pshil. E gjallë në Veri, në Kosovë, në Maqedoni. Edhe në Jug, në Pogradec mbërçil.
Fjalori, 1954, e ka pasur. Në trajtat mbëshel, mëshel, mshel. Edhe mbëshilc, mëshils “kapak”. Fjalorët e mëvonshëm kryq!
Te Fishta, te Koliqi. “… nuk lidhet për s’të gjallit/ për me u mbëshilë në grazhd të kalit…” (Lahuta e Malsisë). “Por u mshilën menjiherë…” (E. Koliqi, Shija e bukës së mrume). “Petrarka… mshilë në odë të vet…” (Gj. Fishta, Vepra letrare, 9).
Në Eposin e Kreshnikëve:
“E me drang derën ma ka mshilë” (Deka e Imerit). “Derën mshelë Halili e kish pasë…” (Orët e bjeshkëve).
Në kodet dokesore:
“Kur i kalon i vdekuni kuj afër shtëpisë, robt e asaj shtëpie mshilin dyer e dritare…”. “… vajza rrin mshelë në shtëpi… tue u marr me përfundimin e pajës…”. “Gratë e shtëpisë në gjak kurrë nuk mshilen…” (Kanuni i Skanderbegut). “Lalët në lagjen ku u ba vrasja… u mshelën” (Kanuni i Dibrës).
Në fjalë të urta:
“Fjala e keqe, me e mshelë në dyzet dryna, del”. “Kur ta rrehsh macën n’odë, mos ia mshel derën, se t’kcen në sy”. “Kur t’thotë dhelpna më kie ndrikull, mshili pulat në kotec”. “Mshel shkolla, çel burgje”. “Plaka, masi ia vodhën shpinë, e mshili derën e u tha hajnave: qetash hini edhe i herë, në mujshi!”. “Diq ndera, mshilet dera”. “Fjalët e hallkit e birat e gardhit nuk mshilen kurrë”. “Ni derë mshilet, ni tjeter çilet”. “Pushka e të fortit nuk ndalet, dera e xhymerit nuk mshilet”. “Në e gjetsh çelë lé (lëre) çelë, në e gjetsh mshelë lé mshelë” (derën e tjetrit).
Në gjëza:
“Dy mulli e ni hajat/ çel e mshel katër kapakë”: sytë, balli, azhkëzat (qepallat). “Çel e mshel katër kapakë/ po ec ujët nëpër hajat” sytë dhe lotët. “Pesëdhet haxhi/ mshelë n’ni kuti” gjëzë fijet e shkrepses.
Në shprehje frazeologjike:
Me e mshelë një derë me bisht: me humbë të drejtën morale me trokitë në atë derë.
Me ia mshelë derën me therrë (murriz): me e rrenue, me ia shkimë trollin.
Mshile meçkën!, fyese. Mbylle gojën, qepe.
Edhe në këngë të vona. “Moj Margjelë, mori Margjelë/ Çilma synin, që e ke mshelë”.
Emra prej mshel:
Mshelje. “Për mshelje… “Ban si të tham unë ase ndryju”…” (Kanuni i Skanderbegut).
Mshelc, mshilc, mshicë (rënie e bashkëtingëllores l), pshilm, pshils: “kapak”. E zëvendëson “kapak”, hyrë prej turqishtes. “Arka ka brincat, ballnikët… fundin, kapakun a mëshicën” (Gazulli).
Mshelç “kyç, çelës, dry”. “Mshelçi i derës”. Mshelës “shuli i derës” (Prizren).
Ndajfolje:
Symshelë, symshiltas, “me sytë mbyllur”. E di rrugën symshelë.
Symshelë, symshelaz, symshilaza, symshiltas, lojë fëmijësh, kukfshehtas, symbyllthi.
Mbiemër:
I/e mshelur. “…mbas atyne dyerve përherë të mbësheluna” (E. Koliqi, Tregtar flamujsh). “Mashkujt e shtëpisë në gjak do të rrinë kurdoherë të mshelun…” (Kanuni i Skanderbegut).
E mirëfilltë shqipe. Plot jetësi. Formohet prej më + shel, ku shel është forma bazë e çel (Çabej). Dëshmon folja me mshelë, e burimit indeoeuropian të shqipes. E dënuar, ngaqë nuk përdoret në “fshatin tim”!

Mehmet ELEZI
11 qershor 2018