Gjykata Administrative e Apelit Tiranë i jep të drejtë padisë së banorëve të Tropojës dhe shoqatës “Toka”, për të mbrojtur luginën e Valbonës, ku kishte nisur ndërtimi i HEC-eve.
Ka qenë vendimi i trupës gjykuese me kryesuese Rilinda Selimi, e cila më 6 qershor mori parasysh kërkesë-padinë e 27 banorëve të Njësisë Margegaj, përfaqësues të disa fshatrave të kësaj zone dhe shoqatës “Toka”, duke vendosur pezullimin e punimeve në këtë zonë.
Padia ishte depozituar që prej fillimit të muajit mars të këtij viti.
Ky është ndër rastet e rralla kur togat e zeza dalin në krah të qytetarëve dhe shoqërisë civile, për mbrojtjen e zonave të cilësuara pasuri natyrore, siç është edhe lumi Valbona dhe rrethinat e tij.
Valbona hyn në zonat e mbrojtura në Shqipëri, por banorët publikisht, juridikisht dhe me protesta të shumta, kishin denoncuar ndërtimet e HEC-ve nga kompanitë “Dragobia Energy” dhe “Gener 2”.
Banorët dhe shoqata janë shprehur se qëllimi i tyre ka qenë vetëm ruajtja dhe mbrojtja e alpeve shqiptare.(opinion.al)