Nga Gëzim ZILJA
Nga paraqitja, ato që duken e preken deri tani duket një djalë i mirë. Me deklarimet që ka bërë për pasurinë dhe mënyra sesi është pasuruar meriton respekt dhe vëmendje. Ka punësuar me mijëra njerëz me kontrata të rregullta, që u paguan rrogën dhe siguracionet dhe nuk u ka marrë asnjë cent shqiptarëve por vetëm u ka dhënë. Në një nga mbrëmjet e Fevziut, kur u ekspozua rasti i gjashtë vajzave jetime të braktisura nga shteti e shoqëria, pa hezitim bëri gjestin kalorësiak, duke deklaruar se për aq kohë sa do të jetë deputet, rrogën e vet do t’ia kalojë gjashtë vajzave jetime. Sigurisht në face-book shumë njerëz e vlerësuan këtë gjest human, duke folur me superlativa për miliarderin e dhembshur e zemërflori. Deri këtu Agron Shehaj për mendimin tim vlerësohet me notën dhjetë.
Po si u fut në politike ky biznesmen i ri, i pashëm, i veshur me sqimë dhe i suksesshëm? Në emisionin televiziv ai deklaroi se nuk ka asgjë të keqe që një biznesmen të hyjë në politikë dhe dha shembuj të bazuar në eksperiencën botërore. Personalisht nuk jam gjithmonë dakord me këta shembuj që merren nga eksperienca amerikane, franceze apo angleze. Do të ishte më me vend që të merreshin shembuj suksesi të biznesmenëve politikanë nga Ballkani Perëndimor si Rumania, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Serbia apo Bullgaria me të cilat, zhvillimet politike, historike dhe ato shoqërore takohen në shumë pika me Albaninë.
Ai sqaroi se hyri në politikë, pasi kishte vërejtur që politika dhe gjendja e shoqërisë shqiptare janë të korruptuara dhe mendoi të ndihmonte në përmirësimin e saj. Këtu Shehaj ka një avantazh të jashtëzakonshëm në raport me shumë miliarderë të tjerë në parlament, që fshehin burimin e të ardhurave dhe nuk e justifikojnë dot jetën superluksoze që bëjnë. Madje është ky ‘’korrent i zi’’ që po hedh tezën antishqiptare që verifikimi i pasurive (vetingu) të kalojë në vitin zero e gjithë kusarët të legjitimojnë pasuritë e vjedhura.
Tani të vijmë te kodi moral. Një gazetar gjatë mbrëmjes fevziane i bëri vrejtjen: Ti nuk je i zgjedhur por je i emëruar. Biznesmeni i mençur iu përgjigj: Nuk jam vetëm unë i emëruar por ka 140 të tillë. Megjithatë përgjigja nuk e justifikon dot vendosjen e tij në krye të listës së deputetëve në qarkun e Vlorës. Pyetja që më vjen në mendje vetvetiu është: Si kalove në krye të listës së PD-së, pa qenë asnjëherë anëtar partie, pa qenë kurrë pjesë e strukturave, pa njohur historikun dhe njerëzit e saj të paktën në Vlorë? Prandaj shumë prej tyre hamendsojnë se ti e ke paguar postin e deputetit, duke i dhënë para’ kryetarit të partisë. Ata dhe unë me ta, arsyetojmë kështu sepse emri yt dhe i ca të tjerëve nuk u diskutua në asnjë strukturë të lartë të PD-së, po kaloi nga lista e xhepit të kryetarit të partisë drejtpërdrejt në Komisionin Zgjedhor. Nëse nuk ke paguar atëherë na thuaj ne ‘’pleqve’’ të PD-së, që nuk kam paguar, por jam zgjedhur për këto e ato merita e arsye të tjera të zakonshme ose jo të zakonshme. Ky është një kod moral dhe si i tillë, jo i detyrueshëm për t’u përgjigjur.
Shoqëria shqiptare të kuq e blu, të pasur e të varfër me ngjyrë e pa ngjyrë e dinë mirë se një pjesë e politikanëve këto 28 vjet, nëse nuk janë kriminelë e trafikantë drejtpërdrejtë, në rastin më të mirë bashkëpunojnë me ta. Shehaj nuk bën pjesë në këta njerëz të rrezikshëm e të korruptuar. Atëherë le ta kapërxejë edhe këtë ‘’handikap’’ të tregojë ashtu si tregojë dhe pasurinë, se si u katapultua në krye të listës dhe demokratët e vjetër dhe të rinj do t’i heqim ‘’kapellon’’. Nëse ai mendon që karriera në politikë dhe karta e deputetit arrihen duke paguar, pra është thjesht biznes unë dhe shumë të tjerë nuk mendojmë kështu. Qënia në një parti bëhet mbi baza vullnetare dhe zgjedhja në forume bëhet me anën e votës. Mungesa e votimit të lirë e të hapur në partitë shqiptare ka bërë që në parlament e qeveri të hyjnë edhe njerëz që si qëllim të vetëm nuk kanë përmirësimin e jetës së shqiptarëve por atë personale dhe soj e sorollopit të tyre. Partitë sidomos PS, PD dhe LSI sot janë prona private të kryetarëve. Ata bëjnë diellin, shiun, shpërndajnë oksigjenin dhe përcaktojnë fatet e njerëzve dhe të Shqipërisë. Dashur ose padashur Shehaj ra në grackën e kryetarit, që si e ka pohuar shumë herë publikisht listën e ka bërë vet personalisht dhe ai mban përgjegjësi për sa ndodhi e do të ndodhë. Madje ka deklaruar se këtë veprim nuk do ta përsërisë më. Mirpo të gjithë ata që janë produkt i vullnetit të kryetarit djathtas apo majtas e kanë humbur pavarësinë e tyre, janë thjesht borxhli dhe rrjedhimisht shtojca të tij. Prandaj Edi Rama sot është diktator dhe ministrat janë zare në duart e tij. Kështu do të ndodhë edhe nesër me këtë PD, nëse ndonjëherë vjen në pushtet. Prandaj ndihma më e madhe që Shehaj mund të japë për demokratët ( nuk jam kundër bamirësive) është të luftojë për demokratizimin e kësaj partie. Mekanizmi bazë që çon shoqërinë përpara është vota e lirë dhe jo paraja. Mund të shkojë në Vlorë, të njohë njerëzit e demokratët. Të organizojë ringritjen e strukturave që janë copë-copë, sipas parimit të demokracisë një anëtar një votë. Do të shikojë se fillimisht do t’i qepen pas lloj-lloj sahanlëpirësish, që t’i zhgrapsin ndonjë lek a ndonjë drekë me mish e peshk, pastaj do të takojë njerëz indiferentë por më shumë njerëz të mirë, jo qelepirxhinj, të braktisur nga PD-ja. Ai duhet t’u ngjallë besimin se vota e tyre ka vlerë dhe të krijojë kushte që secili mund të konkurrojë e kandidojë nëpërmjet një fushate të ndershme e votimi të hapur. Ndryshe do të vazhdojë traditën e partive shqiptare: Me një emër të caktuar nga qendra në cilësinë e deputetit të emëruar, do të emërojë kryetarin e rradhës besnik ndaj Kryetarit të Madh. Më tej logjika e shëndoshë ( unë besoj) do ta çojë te sistemi zgjedhor i tanishëm, që deputetet dalin nga lista e xhepit të kryetarit, sistem që detyrimish duhet të ndryshojë. Sa për paratë ky djalë i mençur Vlore i rritur në Itali dhe biznesmen i sukseshëm t’i gëzojë se i ka bërë me ndershmëri e punë. Po jo gjithmonë paraja të çon në rrugën e duhur kur është fjala për të drejtuar politikat që kanë të bëjnë me mirëqënien e popullit dhe të shtetit. Atyre hartimeve patetike që lexohen ditën e enjte me ton revolucionar, nuk ua vë veshin njeri.