Ballina Diaspora PROF.SAMI REPISHTI: VATRA NA BASHKON, BËHUNI PJESË E SAJ!*

PROF.SAMI REPISHTI: VATRA NA BASHKON, BËHUNI PJESË E SAJ!*

Sot, unë baj thirrje të gjithëve: anëtarsohuni në Federatën VATRA; ndihmoni Kryesinë e Vatrës dhe editorin e dedikuem të gazetës Dielli; zhvilloni, bashkë me Vatrën, sentimentin tonë të atdhe-dashunisë tradicionale./

Falemnderit Zonjusha Aida Gashi!

I nderuemi Z. Mishto, kryetar i Federatës VATRA,

Vëllazën e motra anëtarë dhe miq të Vatrës,

Mirëmbrama! Urime me rastin e 106 vjetorit të formimit të Federatës VATRA!

Falënderime për akordimin e certifikatës Lifetime Achievement. Jam mirënjohës, dhe si shqiptaro-amerikan jam krenar!VATRA ka qenë, ashtë dhe do të mbetet për mue “Shqipëria e dytë në Amerikë”. Që nga ditët e para të emigrimit, unë e kam konceptue Vatrën në këte kuadër dhe e kam respektue, sidomos gjatë 45 viteve të regjimit komunist, kur Shqipëria ishte për ne tokë e ndalueme. Për këte fitore, na falënderojmë vatranët e vjetër që lanë Vatrën trashëgim në duert tona.
Që nga viti 1990, gjendja e re ka krijue kondita të reja. Ajo ma kryesore ashtë emigracioni i madh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Çamëria martire. U formue këtu në Amerikë nji komunitet i madh, aktiv dhe ekonomikisht i fortë. E ardhmja e Vatrës u sigurue!

Sot, kemi nji Vatër të re, dhe detyra të reja. Sot kemi intelektualë dhe afaristë të suksesshëm. Sot kemi mundësi me ba ma shumë.

E para: me njohë mirë dhe me dashtë Amerikën, për ne atdheu i jonë. Le të mësojmë historinë e këtij vendi të madh, të respektojmë Kushtetutën dhe ligjët e vendit, si dhe të përvetësojmë vlerat e nalta të lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Le të forcojmë lidhjet shqiptaro-amerikane çdo ditë e ma shumë.

E dyta, me ruejtë gjuhën shqipe, traditat e besës, nderit, burrënisë, mikpritjes tradicionale e sidomos dashuninë tonë për trojet shqiptare në Ballkan. Le të hapim shkolla të reja shqipe, të festojmë ditët tona kombëtare, të përhapim librin shqip, të shkruejmë e të flasim për Shqipërinë, dhe të përfaqsojmë komunitetin tonë në organet qeveritare lokale, shtetnore dhe federale. Ka ardhë koha me pasë kongresmenin, senatorin, governatorin me origjinë shqiptare. Z. Mark Gjonaj ashtë nji shembull i mirë!

E treta, me ndihmue shqiptarët në trojet ballkanike ku jetojnë në kondita të vështira. Ata kanë nevojë të madhe për ndihmën tonë.

E katërta, me mbrojtë trojet shqiptare në Ballkan. Shqipëria dhe Kosova janë vende të vogla dhe kanë shumë anmiq, mbrenda dhe jashtë vendit.

E pesta, me forcue lidhjet tona njeni me tjetrin. Jemi vëllazën, jemi motra, jemi bijtë e bijat e Nanës Shqipëri: nuk na ndajnë dot! Së bashku, na lëvizim malet!

Sot, unë baj thirrje të gjithëve: anëtarsohuni në Federatën VATRA; ndihmoni Kryesinë e Vatrës dhe editorin e dedikuem të gazetës Dielli; zhvilloni, bashkë me Vatrën, sentimentin tonë të atdhe-dashunisë tradicionale.

Falemnderit!

(Sami Repishti- Pershendetja në 106 vjetorin e krijimit të Federatës Panshqiptare “VATRA” në Amerikë,1912-2018)