Ballina ED/OP Plava, Gucia dhe Malësia e Gjakovës, dëshmia e fundit e plazmës së...

Plava, Gucia dhe Malësia e Gjakovës, dëshmia e fundit e plazmës së gjigandëve hyjnorë

Nga  prof. dr. Lush SUSAJ

Plava, Gucia dhe Malësia e Gjakovës, përbëjnë një unitet historik dhe etno-kulturor të qëndrueshëm e të trashegueshëm në breza, i krijuar dhe i ruajtur si një territor kompakt i Alpeve Shqiptare, e që për shkaqe të njohura, shtrihet sotë në dy shtete të Ballkanit, në Shqipëri dhe në Malin e Zi.

Pavarësisht nga ndarja administrative e shtetërore, për nga origjina, kultura, territori dhe fati historik i njohur 3000 vjeçar, është një hapësirë kompakte dhe e banuar nga banorë që kanë për origjinë të parë fisin Dalmat të Ilirisë. Historian a mëson se Dalmacia ka qënë qëndra e mbretërisë Ilire të Bardhylit, që më vonë pësoj ndryshime të thella administrative, duke ruajtur plazmën autoktone, gjuhën dhe trashëgimin kulturore.

Historianët më të mëdhenje të lashtësisë si: Momseni, Pajsi, Leon Homo, dhe të tjerë, bien dakord ma faktin që Venetët, Lapigjet dhe Mesapët (fise të njohura të Ilirisë), ndodheshin në Itali që përpara formimit të Romës. Leon Homo (f 65) shkruan se: “Fiset Iliriane duke vazhduar lëvizjet i hodhen dy fiset e tyre në Itali ku u vendosën si vendas. Këto dy fise (Iliriane) ishin Venetët në Veri dhe Lapigjët në Jug” 

Që nga koha e invazionit të galëve, mbreti më famën më të madhe në Iliri ka qënë Bardhyli i cili e pati mbajtur të pushtuar edhe Maqedoninë deri në kohen e Filipit, të atit të Aleksandrit të Madh (Arbërit-Shqiptarët e quajnë Leka i Madh), për të cilin ka të dhena që edhe ai  dhe familja e tijë, njëlloj si Homeri, Skendërbeu dhe Nënë Tereza sot, janë me origjinë nga Dalmacia.

Bardhylin e ka mundur Filipi i Maqedonisë në betejen e zhvilluar në vitin 359, para Krishtit. Më vonë, pas vdekjes së Bardhylit, mbretëria e tijë (Mbretëria Ilire) është ndarë në dysh.

Djali i tijë, Klitusi pati marrë pjesën e Veriut, që nga Drini e deri në Serbi në lumin që në atë kohë quhej Titius, territor i banuar nga fisi Ilir i Dalmatëve. Që do të thotë se kjo popullsi dhe territoret Iliro-Dalmate të sajë, edhe pas ndarjes së parë, mbetën të pavarura dhe nën mbretërinë e Klitusit, djalit të mbretit Bardhyl.

Ndërsa pjesën tjetër të mbretërisë (pjesën nga Drini e deri në Vjosë), e mori nën zotërim një i afërt i familjes mbretërore i quajtur Glauko i cili është quajtur dhe përmendet si mbreti i Taulantëve.

Kur në fronin e maqedonisë hipi Leka i Madh, të dy mbretërit ilir të ndarë (Klitusin dhe Glaukon) arriti që t’i mundë dhe t’i detyrojë që të japin taksa dhe ushtri për Lekën e Madh. Në atë kohë, Iliret derguan shumë ushtarë në ndihmë të Aleksandrit (Lekës së Madh) të cilët e ndihmuan për të pushtuar territore të gjëra, përfshirë Persinë dhe të tjera vende në Azi.

Pas një kohe të gjatë e të mbushur me luftëra, me humbje e me përçarje të mëdha mes dy mbretërive ilire, Agroni, i biri i Pleuratit (Pleurati qe i biri i Glaukos, mbretit të Taulantëve), arriti të bashkoj përsëri të dyja mbretërit e ndara Ilire. Pas bashkimit, Iliret morën fuqi dhe arriten që të rimarrin përseri Durrësin (Epidamnin) dhe Korfuzin.

Agroni ka vdekur nga pija e tepërt në vitin 232 para Krishtit. Meqënëse djali i tijë Pinei ishte i vogël, drejtimin e mbretërisë e mori nëna e djalit, Teuta. Dihet koha dhe mënyra se si Teuta u shantazhue dhe u sulmue nga diplomacia dhe ushtria romake që përdori si pretekst grabitjet që bënin piratët në Detin Adriatik.

Pasi u sulmua nga romakët, Teuta është terhequr dhe është strehuar në malët e Grykës së Kotorrit me shpresë se ushtria romake nuk do të pushtonte Shkodren. Për më tepër, Teuta mendonte se kjo ushtri do të largohej përpara fillimit të dimrit. Në fakt ndodhi e kundërta, ushtria romake nuk u kthye, ajo u instalue në Iliri dhe sulmoj edhe Shkodren. Në këto kushte, Teuta ka kërkuar bisedime dhe ka nënshkruar humbjen dhe kushtet e renda të pushtuesit. Në këtë mënyrë, senati i Romës, përveç taksave nga Iliria, mori nën zotërim (i pushtoj) edhe gjysmën e territoreve të mbretërisë ilire, gjithë pjesën që fillon nga bregu i Drinit e poshtë. Që do të thotë se, edhe në këtë periudhë të trishtë, në Dalmaci pati pëseri vetëqeverisje dhe stabilitet politik e shoqëror, ç’ka i ka kontribuar vazhdimësisë së popullsisë, gjuhës dhe traditës së lashtë Iliro-Dalmate-Shqiptare. 

Pak kohë pas pushtimit romak, mbretëreshë Teuta ka vdekur dhe në fron është ngjitur Dhimitri që u bë edhe tutor i Pineut, me emrin e të cilit qeveriste pjesën e mbetur të mbretërisë, dmth pjesën nga Drini e lartë, pjesa më e bukur e këtij territori ka qënë dhe mbetet Plava, Gucia dhe Pulti me Malësinë e Gjakovës. Mehdi Frashëri (2012), ka shkruar se: “Dalmatët e kanë vazhduar luften ndaj Romës për mbi 160 vjet me radhë, gjer 9 vjet pas Krishtit. Qyteti i madh në breg të detit, që quhej Solonë, ka qënë i dalmatëve….”. Në këtë mënyrë, Ilirët e Dalmacisë, ia dolën të ruajnë konstruktin shpirtëror, gjenetik dhe fenotipik, mbeten autokton. Mbeti një popull që kurrë nuk e ndali luftën për liri, duke e pranuar dhe zgjedhur jetesën e tyre të vështirë në zonat e ftofta malore, si një sakrificë që ia vlen që të bëhët në emër të lirisë dhe vazhdimësisë së gjuhës dhe plazmës autoktone.

Në periudhat e mëvonshme, dmth, me rënien e mbretërisë Ilire dhe me coptimin e territorit për shkak të dyndjeve barbare, aty nga fundi i shekullit të II-të, del në skenë një emër i ri “Albani”, e që për herë të parë është përmedur nga Ptolemeu.

Ndërsa ma vonë, në shekujt IX-XI-të, në historinë politike të rajonit u shfaqën Arbërit, të mbështetur nga bota latine. Ana Komnena në Aleksiadën e sajë i ka përmendur Arbërit si një faktor i rendësishëm e mjaft aktiv në betejat mes nomandëve dhe bizantit të zhvilluara në vitet 1081-1086, si të rreshtuar përkrah babait të sajë, Aleks Komnenit.

Në lidhje me këtë Kantakuzeni (Faveiral, f. 241), ka shkruar se: “Atje dergoheshin trupat dhe, çdoherë shqiptarët terhiqeshin në malet e tyre të paarritëshme. Atëherë çfarë bëri bizanti? Ai kërkoi një trupë prej ushtrisë së turqve të Azisë, dhe trupat e armatosura lehtë jo vetëm i ndoqen shqiptarët deri në lartësit e maleve, por ata i thrën shumë prej tyre dhe rrembyen plaçkë lufte në njerëz dhe kafshë. Plaçka e luftës u shpërnda mes të gjithëve, dhe turqit zvarritën deri në Azi një numër të madh njerëzish dhe kafshësh”.

Ndërsa Aurel Plasari (2010), ka shkruar: “Me organizimin e ri në sistemin e temave, viset në fjalë u ndodhen më së shumti në temën e Durrësit (Dyrrachion), si dhe në ato fqinje, të Nikopojes në Jug, të Dalmacisë në Veri, me gjasë edhe të Maqedonisë në Lindje, të krijuara radhazi në shekullin e IX-të”.

Këto fakte vertetojnë origjinën dhe vazhdimësinë Ilire të popullsisë shqiptare që falë gjuhës dhe qëndresës së përbashkët, ka jetuar në territorin gjeografik dhe historik të origjinës duke mbajtur lidhje të forta shpirtërore dhe fetare me botën latine. 

Në këtë kontekst, Jorga ka shkruar se: “Arbëria në të vërtetë, ia detyron ekzistencën e saj dhe me gjasë, vetë konservimin e racës arbërore, raporteve të vijueshme me botën latine, kësaj mundësie për t’u shkëputur nga bota bizantine”.

Që do të thotë se, ekzistenca jonë si komb dhe si shtet ka për bazë orientimin europerendimor dhe popullsinë autoktone që trashegon qëndresë dhe cilësi luftarake të shkelqyera. Ky mësim i historisë ka rendësi për të kuptuar faktin që ekzistenca jonë nuk është përcaktuar dhe nuk mund të përcaktohet kurrë nga bota bizantine apo neobizantine dhe as nga bota otomane dhe neootomane. E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja jonë ka qënë dhe është Europa të ciles i përkasim si origjinë, si territor dhe si mënyrë jetese. Në të gjitha kohërat, çdo goditje ndajë elementëve të kulturës dhe identitetit europian, është shoqëruar dhe do të shoqërohet me humbje territori dhe popullsie shqiptare.  

Rreth 1000 vite më vonë, gjatë shekujve VIII-IX-të, në kohën e perandorisë bizantine, mbi tabanin ilir u krijuan kushte të reja politike e shoqërore të cilat u shoqëruan edhe me ndryshime të thella administrative dhe demografike. Në këtë periudhë, popullsia Ilire u përqëndrue në një territor të brendshëm të Ilirisë, shumë herë më i vogël se territori i ish mbretërisë së mbretit Bardhyl, kujtoj faktin se, pjesë e këtij territori etnik janë Plava, Gucia, Malësia e Gjakovës, etj.

Elementi themelor i kësaj etnie apo kombësie, është origjina dhe gjuha e përbashkët me të cilën njerëzit komunikonin dhe kuptoheshin me njëri-tjetrin, fjala “kuptoj” ka lindur nga fjala “shqip”.

Në kohen e Stefan Dushanit, nga ky territor u shkëput edhe një pjesë e madhe, por pa ndryshuar origjina e popullsisë, gjuha as kultura. Në lidhje me këtë realitet, në vitin 1198, Stefan Nemanja, zhupani i madh i Serbisë, ka shkruar: “…fitova (pushtova) nga krahina detare edhe tokën e Zetës dhe Pultin”. Për të kuptuar edhe më mirë përkatësin etnike, si dhe pozicionin gjeografik dhe historik të Zetës, po sjell në kujtesë përfundimet e arritura nga historiani Zh. K. Faverial (f. 294), i cili shkruan se: “Në fillim të pavarur, më pas i nënshtruar herë prej Bizantinëve dhe herë prej Serbëve, Dukati i Zetës (Zenta), shtrihej-në veri deri matanë Kotorrit, në lindje deri në Prizrend, ndërsa në jug, më shumë se një herë, kufijt u shtrinë deri pranë Durrësit. Është e tepërt të shtojmë se popullsia e sajë parake (e mëparshme) ishte iliro-shqiptare. Por me 1389, një numër i madh i atyre që i kishin shpetuar mynxyrës së Kosovës kërkuan strehë në malet e paarritshme, të qujatura që atëherë “të zeza”, për shkak të kreshtave dhe ngjyrës së shkëmbinjve vullkanik”.

Në lidhje me situatën e atëhershme, duhet kujtuar edhe fakti që, pas vitit 1054, jetesa dhe qëndresa e popullsisë katolike u bë shumë e vështirë, e mundimshme dhe e rrezikuar. Në lidhje me këtë, Nikoll Loka, ka shkruar se: “Pas vitit 1054, trojet shqiptare ndahen nga ana fetare dhe pavarësisht trusnisë së pushtetit bizantin, në skajin veriperendimor të territoreve të tyre filloj të kristalizohet një enklavë katolike e përfaqësuar fillimisht nga Ipeshkvia e Tivarit dhe pastaj me radhë: e Ulqinit, Shkodres, Pultit dhe Drishtit. Prania katolike shqiptare mbështeti autoktoninë shqiptare që binte ndesh me interesat e fqinjëve. Prandaj lufta e serbëve ndaj katoliçizmit shqiptar dhe popullsisë katolike është zhvilluar në vijimësi. Pas serbëve, masakrat i vazhduan osmanët të cilët pushtimin e territoreve në Ballkan e konsideronin si mision profetik që duhej realizuar me çdo çmim e me çdo mjet”. Kjo dhe shumë fakte të tjera, përfshirë edhe të gjithë trashegiminë kulturore e gjinealogjike të Plavës, Gucisë dhe më gjërë, tregon se popullsia e Plavës, Gucisë, Malësisë së Gjakovës, Zetes, Pultit, etj, deri në shekullin e XVIII-të, janë identifikuar si katolik latinë, përpasojë janë sulmuar dhe goditur në mënyrën më të ashpër si nga bizantinët, ashtu dhe nga otomanët. Konvertimi është mjeti që është përdorur tinëzishtë dhe pabesishtë për të reduktuar popullsinë dhe territoret shqiptare në rajon. 

Në këtë mënyrë, historia provon se pjesa e Mbidrinit të ish mbretërisë ilire që në këto 2000 vite është reduktuar shumë si territor dhe si popullsi (por nuk është zhdukur), asnjëherë nuk e ka pranuar pushtimin romak as bizantin dhe as otoman. Në të gjitha kohërat, popullsia e Plaves dhe Gucisë dhe më gjërë, ka jetuar e lirë duke ruajtur dhe trasheguar elementë të rendësishëm të gjenotipit dhe fenotipit të mrekullueshëm Iliro-Dalmat, bashkë me gjuhën, kulturën dhe përvojen historike mbretërore, ku spikatin e drejta zakonore, vetëmbrojtja dhe vetëqeverisja.

Ngjarjet që rrodhen në ish Mbretërinë Ilire të Klitusit (djalit të Mbretit Bardhyl)

Për të mësuar edhe më shumë në lidhje me atë se çfarë ka mbetur e pastër dhe e papërlyer nga popullsia, kultura dhe tradita e ish mbretërisë Ilire të Klitusit (djalit të mbretit Bardhyl të Dalmacisë), na vjen në ndihmë historia dhe gjeografia e rajonit, me shkrimet dhe me faktet e shumëta të ruajtura e të trashguara deri në ditët tona. Historia, trashegimia kulturore dhe gjinealogjia e të 12 fiseve të vjetra të Shqipërisë së Mbidrinit, verteton faktin që këto fise të vjetra të gegnisë e kanë origjinën nga Dalmacia e Ilirisë. Ndërsa degëzimet e këtyre 12 fiseve, janë të shumta, të njohura e lehtësishtë të dallueshme. Studjuesi i mirënjohur Jakov Milaj, në librin e tijë me titull “Raca Shqiptare”, ka argumentuar se: “Atje kemi përfaqësonjësit më të përsosur të racës sonë. Në ballë të kombit tradita numëron 12 fise: Berisha, Gashi, Hoti, Kelmendi, Kastrati, Gruda, Shkreli, Krasniqja, Bytyçi, Thaçi, Kabashi dhe Morina. Që nga fundi i mesjetës, në Malësinë e Gjakovës, evidentohen fiset e Gashit, Krasniqës, Bytyçit, Nikajt (janë vëlla me Krasniqën) dhe Mërturit (janë fis Berishë), si dhe degë të fiseve Berishë, Kelmend dhe Hot. Këto fise kanë luajtur një rol shumë të rendësishëm në Levizjen Kombëtare Shqiptare që kulmoj me shpalljen e pavarësisë, me 28 nëntor 1912”

Në të vërtetë, pamja më e bukur e trupit të njeriut ka qënë dhe është ajo që është ruajtur e trasheguar deri në ditët e sotme tek Gegët, më saktësishtë tek malsorët Gegë të Plavës, të Gucisë, të Malësisë së Gjakovës, etj. Edhe Herodoti (viti 546 para Krishtit), ka shkruar se Gegët janë pasardhësit e drejpërdrejtë dhe Pellazgëve hyjnorë.

Në vazhdim të kësaj teze të njohur, Eduard Shnaider (2009), tek libri me titull “Pellazgët dhe pasardhësit e tyre”, ka argumentuar se: “Ndër gjigandët që kishin lindur nga bashkimi i tokës me qiellin, më i shquari ishte Gigas, me një trup kolos, i fortë, krenar, i egër, i dhunshëm dhe një nga femijët më t’egër të tokës. Shqiptarët e Veriut sikur e kemi parë, ruajnë akoma emrin Gegë, të Giga-sit të Homerit që banonin pas maleve Akrocerauni, në Veri të Epirit, duke ruajtur emrin e gjigantit. Gegët duket se kanë shenjën e shtatmadhësisë e të skeletit viganor, që i bën të dallohen ndër bashkëatdhetarët e tjerë, që në përgjithësi janë më të vegjel me trup, port ë shpejtë e të shkathët si kaproj….Shqiptari nuk ka mundur të harrojë se është Pellasg”.

Ndërsa Taloci (1834-1916), shkruan se: “Nuk ekziston asnjë popull tjetër në Ballkan, as ai i Greqisë së Re, që të mund të ndjekë historinë e racës së vet, ashtu me rend kronologjik, qysh prej kohëve më të lashta deri në ditet tona sikurse populli shqiptar”.

 Në lidhje me origjinën dhe hyjnorën e gjigandëve Gegë të Plavës, Gucisë, malësisë së Gjakovës dhe më gjerë, George Fred Williams (1914), shkruan se: “Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohun me emrin Pellasgët…. Shqipja ka qënë gjuha e vërtetë e Homerit, sepse grekët e kanë huazuar nga rapsodët Pellasgë eposin e tyne të shquem”. Ky argument plotësohet edhe më shumë nga fakti i njohur nga të gjithë, sipas të cilit, eposi i kreshnikëve (Gegëve-Gjigantëve), është ruajtur dhe është grumbulluar në krahinat me popullsi të pastër Pellasgo-Iliro-Dalmate të Plavës, të Gucisë dhe të Malësisë së Gjakovës.

Sa herë që flitet për historinë, për etnografinë apo për betejat në mbrojtje të rajonit etno-historik të Plavës dhe Gucisë, gjithnjë bëhët fjalë për një territor prej 486 km2, ndër më të bukurat vende të Alpeve. Në Plavë, Guci dhe në malësinë e Gjakovës janë vendbanimet malore të kësaj popullsie, të cilat i kanë mbrojtur dhe trasheguar përmes betejave dhe sakrificave të pashëmbullta të kësaj bote. Vendëbanimet kryesore të popullsisë autoktone të kësaj krahine të madhe etno-historike e kulturore, janë: Vuthajt (fshatrat Valbonë dhe Çerem, në Malësinë e Gjakovës), Martinajt (të aneksuar në komunën fqinjë të Andriavicës), Hoti i Vendit (përfshirë Hotin i Moçëm dhe Hotin e Kujit), Nokshiqi, Arzhanica, Doli, Dosugjani Pepajt, Hakajt, Gërnçari, Krusheva, Bogajiqi, Vishnjeva, Velika, Brezovica, Metehuja, Përnjavori, Vojosella, Gjyriqi, Murina, Mashnica, Kolina, etj.

Se sa me vendosmëri janë mbrojtur këto krahina, po ju rikujtoj fjalën e prerë të prijësit popullor të Krasniqës në takimin e zhvilluar me krajlin e Malit të Zi, në Qafën e Çakorrit. Në atë takim të vitit 1879, Ali Ibra i është drejtuar përfaqsuesit të Malit të Zi (Teodor Milanit) me fjalët: “Nuk e lëshojmë Plavën as Gucinë pa e mbushë tokën me kokat tona e kokat tuaja, ne nuk ju japim asnjë gisht tokë. Në daçi me e marrë me zor, ejani në Rrafshin e Nokshiqit e të Velikës e ti përpjekim armët dhe gjokset”.

Në këtë kontekst, mendoj se, trashegimia gjenetike, gjuhësore dhe kulturore autoktone, si dhe bukuritë më të mëdha të natyrës dhe të plazmës Iliro-Shqiptare, më mirë se askund tjetër janë ruajtur e trasheguar në Plavë, në Guci dhe në Malësinë e Gjakovës. Shkëncat shqiptare e botërore të historisë, gjeografisë, gjuhësisë, gjenetikës, etnografisë, arkeologjisë, etj, sa herë që të ndërmarrin studime në këto krahina me popullsi autoktone, mendoj se do të përballën me sodisfraksionin që të jep specifika dhe madheshtia e gjetjeve që ndriçojnë edhe më shumë origjinën, qëndresën dhe vazhdimësinë e shqiptarëve në këto territore. Në malësitë e Plavës, të Gucisë dhe të Gjakovës, erozioni gjenetik e kulturor, duket se ka qënë më i pkatë dhe më  i ngadaltë, kështuqë gjuha, historia, plazma dhe jetët njerëzore të këtyre vendeve, deshmojnë me zë të lartë se janë të parat dhe më të vjetrat e Ballkanit dhe të vetë Europës.