Kosova e Shqipëria nuk do të jenë pjesë e botërorit të futbollit “Rusia 2018”, por prani shqiptare gjithsesi do të ketë gjatë ngjarjes së madhe sportive që mbahet prej 14 qershor deri më 15 korrik.
Përveç futbollistëve shqiptarë që luajnë në përfaqësuese të tjera, Kosova e Shqipëria do të jenë pjesë e pandashme e Botërorit edhe falë këngës zyrtare të Botërorit, përkatësisht himnit të tij. Ai këndohet nga Nicky Jam në bashkëpunim me Will Smith dhe këngëtaren e njohur Era Istrefi.
FIFA të premten ka bërë publik versionin “audio” të këngës. “Live It Up” quhet kënga, që sipas FIFA-s do të ndihmojë që të definohet botërori i futbollit “Rusia 2018”. Himni zyrtar është prodhuar nga DJ dhe autori i këngëve, Diplo, dhe pason “Waka Waka” të Shakiras, që ishte kënga zyrtare e botërorit të vitit 2010 dhe atë “We Are One (Ole Ola)” e Pitbull, që ishte kënga zyrtare e botërorit të kaluar.
Për 2 ditë, “Live It Up” ka marrë mbi 7 milionë klikime dhe aktualisht renditet e gjashta në videot trend në YouTube.
“Live it Up” kënga zyrtare e Kupës Botërore në Times Square #NjuJork sot. A ju pëlqeu kënga?”, ka shkruar vetë këngëtarja në profilin e saj në Instagram.
Kënga zyrtare e Botërorit do të interpretohet para finales së 15 korrikut në stadiumin “Luzhniki” për të ngrohur 80 mijë tifozët në këtë stadium në Moskë dhe rreth një miliard njerëzit që do ta përcjellin finalen përmes televizorëve. Videospoti i këngës zyrtare do të bëhet publik më 7 qershor, ka njoftuar FIFA.
Tradita e këngës zyrtare të botërorit ka nisur prej vitit 1966. Prej atëherë kënga zyrtare është bërë gjithnjë e më e rëndësishme. Zakonisht ajo shndërrohet në një hit.
“Të jem pjesë e këngës zyrtare të Botërorit të FIFA-s është një përvojë e pabesueshme dhe shumë emocionuese. Të punoj përkrah artistëve të talentuar si Diplo, Will Smith dhe Nicky Jam, për të cilët kam admirim të madh, ishte e shkëlqyeshme dhe shumë argëtuese. Unë jam fanse e madhe e futbollit po ashtu dhe mezi po pres që Kupa Botërore të nisë”, ka thënë Era Istrefi për web-sajtin e FIFA-s.
Me Erën, që po pushton skenat e muzikës gjithnjë e më shumë, Kosova ka rritur praninë në futbollin ndërkombëtar përmes artisteve, përkatësisht këngëtareve të saj. Dua Lipa do të performojë para finales së Ligës së Kampionëve të shtunën (sot), ndërsa Rita Ora i është bashkuar një iniciative të UEFA-s për të afruar sa më shumë femra në futboll, shkruan Koha ditore.