Ballina Aktualitet Kosova Vatikanit-Papa Françeskut, letër kërkesë për njohje

Kosova Vatikanit-Papa Françeskut, letër kërkesë për njohje

Gazeta “DIELLI” nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 25 MAJ 2018/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se për takimin që kishte në Vatikan me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun,  kishte përgatitur me kohë një dhuratë shumë të çmuar, një letër kërkesë për njohje, me një mbulesë të logos së jubileut të dhjetëvjetorit të pavarësisë.Pas vizitës në Selinë e Shenjtë, takimit me Papa Françeskun dhe Kardinalin Pietro Parolin, që është edhe sekretar i  Vatikanit, kryeministri Haradinaj, sot në Prishtinë ka mbajtur një konferencë shtypi, ku ka prezantuar qëllimin e vizitës e që ishte kërkesa e popullit të Kosovës për njohjen e Republikës së Kosovës nga Vatikani.

Në fjalën para mediave të pranishme, mes tyre Gazeta DIELLI, kryeministri Haradinaj tha se e ka falënderuar Papa Françeskun për kujdesin dhe respektin që ka për Kosovën dhe popullin e saj.Poashtu, kryeministri Haradinaj tha se, pas kërkesës që i dorëzoi, Papa Françesku u shpreh  se ka në zemër popullin e Kosovës.“E kam në zemër popullin e Kosovës, e ndjejë. Do të lutem për ju, do të lutem personalisht për ju dhe për vendin tuaj”, citoi kryeministri Haradinaj Atin e Shenjtë.

Papa Françesku, vijoi kryeministri, në të njëjtën kohë u shpreh se ka shumë shpresë se Kosova dhe populli i Kosovës do ta gjejnë vendin e vet në vendin e popujve të lirë dhe në paqe.Në 22 maj 2018 kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës dyditore në Vatikan, është pritur në Audiencën e Mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.Takimi me Papa Francesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila kishte për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

 FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT HARADINAJ NË KONFERENCËN PËR SHTYP:

 Për respekt tuajin dhe të qytetarëve në përgjithësi, por edhe të takimeve dhe temave të trajtuara, kam ftuar këtë konferencë për shtyp pas vizitës në Vatikan.I shoqëruar edhe me disa kolegë, kam pas takim pune me eminencën e tij, Kardinalin Pietro Parolin, që është edhe sekretar i  Vatikanit, në hierarkinë e shtetit të Vatikanit, ai është Kryeministër në Vatikan.Në këtë takim pune që ka zgjatur më shumë se një orë, kemi biseduar për tema bilaterale Kosovë – Seli e Shenjtë. Kryesisht kanë dominuar temat, ato të parat, ato të ndjenjës së mirë që ka Kosova për Selinë e Shenjtë, të vlerave që kemi ne në tolerancën ndërfetare, respektin e ndërsjellë, përkushtimin që e kemi si vend për paqen në rajon dhe për anëtarësim në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare, ashtu si, Interpoli dhe rëndësia që ka për ne njohja nga Vatikani, pesha që ka kjo njohje, njohje për shtetin tonë, duke falënderuar Vatikanin që kanë qenë të hapur gjithë kohën me ne, që nga koha e presidentit Rugova, Jahjaga, Thaçi, pra gjithkujt që ka pasur mundësinë me mbajt komunikim me Vatikanin. Shpreha gatishmërinë për një partneritet të tillë strategjik të Kosovës edhe në të ardhmen.

Njëkohësisht, me Papën, pra me Atin e Shenjtë, kam pas mundësinë për t’i treguar për Kosovën dhe e kisha përgatitur me kohë një dhuratë për të, një dhuratë shumë të çmuar, një letër kërkesë për njohje, me një mbulesë të logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë.Pata mundësinë përpos ta falënderoj për kujdesin, për respektin që bënë për Kosovën, me ja shpreh edhe këtë kërkesë të popullit të Kosovës, duke i thënë se populli i Kosovës e ka shpresën tek ju, i ka sytë kah ju dhe pret prej juve.Ai ishte vërtetë i hapur pasi që mori kërkesën u kthye dhe më tha këto fjalë ‘E kam në zemër popullin e Kosovës, e ndjejë. Do të lutem për ju, do të lutem personalisht për ju dhe për vendin tuaj’. Ai ka shumë shpresë se Kosova dhe populli i Kosovës do ta gjej vendin e vet, në vendin e popujve të lirë dhe në paqe.
Pra kryesisht biseda kishte këtë qëllim, të marrjes së njohjes apo të kërkimit të njohjes. Dua t’ju them se edhe unë kam bërë kujdesin më të madh që si Kosovë të shpjegojmë se çka fiton familja evropiane me Kosovën? Çka fiton BE-ja nëse në jepet liberalizimi i vizave? Që nuk fiton as krim, as rreziqe, as emigrant, por vetëm shkëmbime. Çka fiton bota nëse ne bëhemi anëtar të Interpolit? Fitojnë më shumë siguri, më shumë garancë për jetë të qetë, më shumë mbrojtje nga çfarëdo krimi e rreziku. Dhe, njëkohësisht  me njohjen e Kosovës fitohet një paqe e mirëfilltë dhe e qëndrueshme në Ballkan, për të gjithë.

Ju faleminderit media!