Ballina Personazh Kush është Nikolla Gruevski? Si fëmijë në Libi, më pas boksier, dhe...

Kush është Nikolla Gruevski? Si fëmijë në Libi, më pas boksier, dhe në fund politikan në burg

Sot, më 23 maj 2018, një Gjykatë Penale në Maqedoni e shpalli fajtor ish-kryeministrin Nikolla Gruevski për rastin Tanku. Atij iu dha dënimi prej 2 vitesh në burg. Por, kush është në të vërtetë Nikolla Gruevski?

Ai lindi në Shkup më 1970, dhe u rrit në një familje që nuk ishte as e privilegjuar por as e varfër. Babai i punonte në një kompani mobiljesh ndërsa nëna e tij punonte si infermiere. Kur prindërit e tij ishin divorcuar, ai kishte qëndruar me nënën. Pasi asaj iu desh të shkonte në Libi për të punuar, si mijëra qytetarë tjerë të Jugosllavisë, ndër të tjerë edhe shqiptarë, Nikolla kishte shkuar me të.

Pas kthimit në Jugosllavi, ai e kishte përfunduar filloren dhe të mesmen në Shkup, për t’u diplomuar më pas për ekonomi më 1994, kohë gjatë së cilës kishte marrë pjesë edhe në teatrin dhe boksin amator.

Gruevski është divorcuar me gruan e tij të parë, dhe është martuar sërish në maj të vitit 2007 me Borkica Gruevskan, me të cilën ka dy vajza.

Gjyshi i Nikollës kishte luftuar në luftën greko-italiane dhe aty e kishte humbur jetën. Emri i tij përmendet në memorialin e luftës në Achlada [më parë Krushorad], mes emrave tjerë që ishin vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mbiemri i Gruevskit kishte qenë Grouios, por pas ikjes së gjyshërve të tij në Maqedoninë Jugosllave, ata e kishin ndërruar në mënyrë që të merrnin nënshtetësi jugosllave duke u asimiluar.

Gruevski kishte qenë ministër financash nga viti 1999 e deri në vitin 2002. Ai e kishte shitur Telekomin maqedonas dhe kishte zbatuar reforma të shumta financiare.

Në vitin 2003, ai ishte bërë lider i partisë udhëheqëse nacionaliste VMRO-DPMNE. Në atë kohë, Gruevski kishte qenë lider pro-evropian, dhe ishte zgjedhur pasi që Ljubco Georgievski e kishte lënë pozitën.

Që nga viti 2006 e deri në vitin 2016, shkruan Periskopi, ai kishte shërbyer si kryeministër i Maqedonisë. VMRO-DPMNE-ja i kishte fituar zgjedhjet e korrikut të vitit 2006, dhe më 25 gusht Gruevski e kishte formuar qeverinë e re.

Koalicioni i udhëhequr prej tij, i kishte fituar të gjitha zgjedhjet e mëvonshme, përfshirë edhe të fundit në të cilat pas koalicionit pas-zgjedhor ai e kishte humbur pozitën e kryeministrit.

Në muajin maj të vitit 2015, ndodhën protesta të mëdha në Shkup kundër Gruevskit dhe qeverisë së tij. Protestat hidhnin akuza të rënda ndaj tij, zëdhënësi i të cilave kishte qenë Zoran Zaevi, lideri opozitar. Më 5 maj kishte ndodhur një protestë në të cilën kishte plasur dhuna mes aktivistëve dhe policisë, me të lënduar në të dyja palët. Shumë ministra, përfshirë ministren e brendshme Jankullovska, kishin dhënë dorëheqje gjatë kohës sa mbaheshin protestat. Por, Gruevski kishte refuzuar të dorëhiqej.

Sidoqoftë, në janar të 2016-s, kryeministri Gruevski kishte dhënë dorëheqje por e kishte emëruar në vend të tij Emil Dimitrievin, i cili kishte shërbyer deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në janar të vitit 2017, Zyra e Prokurorit special të Maqedonisë e filloi investigimin “Tanku” në të cilin dy individë po akuzoheshin për përdorjen e pozitës zyrtare dhe autoritetit mes shkurtit deri në tetor të vitit 2012 për të prokuruar një Mercedes-Benz 600 që vlente 600 mijë euro sa për t’i plotësuar “dëshirat” e Gruevskit që kishte qenë kryeministër.