Ballina Kulturë “VETËM ME ARSIM, MUND TA PËRPAROJMË ATDHEUN “

“VETËM ME ARSIM, MUND TA PËRPAROJMË ATDHEUN “

– Intervistë e mësuesit veteran Ibrahim Hajdarmataj, kryetar i Shoqatës “ Mësuesi” për Qarkun e Kukësit me prof. dr Murat Gecaj, autor i një disertacioni dhe i disa studimeve, shkrimeve, librave me temë arsimin në Kosovë –

Foto : I.Hajdarmataj e M.Gecaj

Ibrahim Hajdarmataj: Me sa jemi në dijeni, qëkur ishit student në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës, keni shfaqur interes për t’u marrë me kërkime e studime shkencore…

– Po, është e vërtetë. Sapo ishte krijuar Universiteti i Tiranës dhe pranë  Fakultetit tonë të Historisë e Filologjisë, funksiononte sektori i studimeve në fushën e gjuhësisë. Shumica punonin aty, por na jepnin mësim, figura të shquara të arsimit e të shkencës shqiptare, si: Prof. Eqrem Çabej, Prof. Aleks Buda, Prof. Androkli Kostallari, Prof. Mahir Domi, Prof. Zihni Sako, Prof. Skënder Luarasi, Prof. Shaban Demiraj, Prof. Selman Riza, Prof. Stefan Prifti, Prof. Pashko Geci e të tjerë. Me shembullin e fjalën e tyre, ata bënë që të na rrënjosnin dashurinë për kërkimin dhe studimin shkencor.

Në vitet e studimeve universitare, në mënyrë të pavarur, por dhe në ekspedita kërkimore, si në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), në krahinën e Shpiragut (Berat) etj., kam mbledhur materiale folklorike, leksikore e dialektologjike, historike etj. Ato i kam sistemuar e dorëzuar pranë instituteve përkatëse, të Akademisë së Shkencave dhe disa prej tyre, më vonë, janë botuar në vëllime përmbledhëse me bashkëpunëtorë të ndryshëm. Kështu, për shembull, mjaft këngë popullore, që kam mbledhur, janë përfshirë në botimet e këtij karakteri, si: këngë atdhetare, historike, lirike etj.

Dua të përmendi këtu se sintezë e studimeve të mia në fushën e dialektologjisë, ishte punimi i Diplomës, që mbrojta në mbarim të vitet akademik 1962-1963, me temë: “Veçoritë morfologjike të të folmes së Krasniqes (në Malësinë e Gjakovës)”, e cila u vlerësua nga Komisioni Shtetëror: “Shumë mirë”. Udhëheqës të kësaj diplome kam patur prof. Jorgji Gjinari dhe oponent Akademikun e nderuar dhe pedagogun tim të paharruar, prof. Eqrem Çabej. Ndër dhe vlerësim i veçantë për mua, ishte fakti se u ngarkova për të përshëndetur punimet e Konferencës ë Parë të Studimeve Albanologjike, në emër të studentëve të Universitetit të Tiranës.

Pa u zgjatur, shënoj se pas studimeve universitare, kryesisht, shërbeva në shtyp dhe vazhdimisht jam marrë me trajtimin e problemeve të arsimit. Por, sipas mundësive,  nuk u shkëputa as nga kërkimet e studimet shkencore, në fusha të ndryshme. Kështu, tregoj këtu se kam referuar në Kongresin e Drejtëshkrimit, kam hartuar disa zëra për arsimin e shtypin në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” etj.

-A mund të na thoni diçka për disertacionin tuaj. Kur u lindi mendimi për një punim të tillë?

– Jam nga Malësia e Gjakovës (Tropojë). Megjithëse jam larguar prej andej që në moshën 12 vjeçare dhe kam jetuar pothuajse gjithë kohën në Tiranë, përherë i kam ruajtur lidhjet e dashurinë për vendlindjen. Veçanërisht, ka ndikuar babai im (nëna më ka lënë 4 vjeç), me tregimet e këngët e shumta legjendare, historike etj. nga Malësia e Kosova.

Mbaj mend se, deri më 1948, ai na sillte simite nga Gjakova…Pastaj, kishte qenë mik i shtëpisë sonë edhe Plaku i Maleve, Bajram Curri…Ndërsa vëllai i madh Xhema kishte luftuar me brigadat partizane, për çlirimin e Kosovës…

Erdhën ngjarjet e stuhishme të vitit 1981, që tronditën Kosovën e më gjerë. Unë, si intelektual, mendova se çfarë mund të bëja që të mund t’i shërbeja sadopak çështjes së drejtë të popullit kosovar, për liri e pavarësi, gjë që është dhe çështje e mbarë Kombit Shqiptar. Kështu, nisa të shfrytëzoja arkivat, bibliotekat e të bisedoja nëpër familjet kosovare, që jetonin në Shqipëri. Ndërsa, siç dihet, komunikimi me Kosovën ishte i pamundur.

Mblodha një material të gjerë faktik e dokumentar, për disa figura të shquara të mësuesve veteranë kosovarë, që punuan e luftuan me penë e me armë dhe nuk kursyen asgjë për ta parë popullin tonë të lirë, të pavarur, të arsimuar e të kulturuar, përkrah popujve të tjerë të qytetëruar. Përgatita, kështu, vëllimin e parë të një libri, me rreth 300 faqe, kushtuar këtyre figurave.

Por shtoj se, materialet që mblodha për 2-3 libra të tillë, më shërbyen më vonë si bazë për të shkruar disertacionin me temë: “Kontribute të mësuesve patriotë kosovarë për arsimin kombëtar”. Pasi dhashë 4 provime pasuniversitare dhe 3 universitare për pedagogji e psikologji, bëra plotësimet dhe saktësimet e materialeve faktike e dokumentare dhe shkrova disertacionin me temën e mësipërme. Atë e paraqita pranë Institutit të Studimeve Pedagogjike, më 1991 dhe përfundoi procesi i mbrojtjes, në fillimin e vitit 1992. Udhëheqës të punimit kisha studiuesin e njohur në fushën e arsimit, prof.dr. Hysni Myzyrin.

Foto : I.Hajdarmataj, V.Kona, M,Gecaj, S, Harko, bashkekolege.

-Do të ishte me interes të na thoni, shkurt, diçka për përmbajtjen e disertacionit tuaj, kushtuar disa figurave të shquara të arsimit në Kosovë?

Punimi në fjalë çelet me një hyrje dhe vazhdon në tre kapituj, të ndarë në 2-3 çështje secili. Pastaj jepen: përfundime, burime të shfrytëzuara dhe botimet e autorit për temën e disertacionit. Shënoj këtu se kam botuar 6-7 studime në revista shkencore dhe mbi  50 artikuj në gazeta e revista të tjera, që lidhen me veprimtarinë e mësuesve veteranë kosovarë.

Disertacioni ka si objekt veprimtarinë atdhetare, arsimore e pedagogjike të 18 mësuesve veteranë të arsimit në Kosovë. Në fillim, ata u shkolluan në Normalen e Gjimnazin e Shkupit dhe më vonë i plotësuan studimet e tyre në Normalen e Elbasanit, në Normalen përgatitore të Beratit dhe disa prej tyre patën rastin të studionin në shkollat e larta jashtë shtetit. Një vend me rëndësi  në disertacion i kushtohet veprimtarisë së tyre me armë në dorë për shpalljen e Pavarësisë, në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, për forcimin e Shtetit Shqiptar, vendosjen e Demokracisë etj. Të tillë ishin: Sali Gjukë Dukagjini, Niman Ferizi, Ibrahim Fehmiu, Ahmet Gashi, Avni Zajmi, Isuf Puka, Ferid Imami etj.

E gjerë e mjaft frytdhënëse ishte puna këmbëngulëse e këtyre mësuesve atdhetarë për çeljen e shkollave shqipe, si në: Pejë, Gjakovë, Shkodër, Berat, Tiranë, Krujë, Tropojë e Kukës etj. Në numrin e parë të gazetës “Përlindja e Shqipnisë”, botim i Qeverisë së Vlorës, ndihmësi i ministrit të Arsimit, Luigj Gurakuqit, mësuesi atdhtar Sali Gjuka shkruante, ndër të tjera:

“Si çdo komb edhe shqiptarët, më të madhen rëndësi do t’i japin arsimit, se vetëm këtu e shohin dhe duhet ta shohin uzdajën (shpresën,-shënimi im, M.G.) e qytetërimit. Veç me përparimin e arsimit, mund të humbasë o të tretet mjegulla e errësirës verbuese…Vetëm me arsim, mund ta shpëtojmë Atdheun prej çdo shkelmi të mallkuar”.

Në mënyrë të detajuar, në këtë disertacion jepen pikëpamjet pedagogjike dhe veprimtaria e këtyre mësuesve, sidomos për organizimin e jetës së përbashkët në konvikte. Spikat këtu ndihmesa e Sali Morinës, Sadi Pejanit, Isuf Pukës, Avni Zajmit, Minush Shalës.

– Po tani, me çfarë po merreni, konkretisht?

– Me të drejtë, mbrojtja e një disertacioni vlerësohet si fillimi i mirë i një pune serioze, kërkimore e studimore. Gjatë këtyre viteve, pas mbrojtjes së këtij disertacioni, kam vazhduar përsëri kërkimet, që lidhen direkt me temën dhe, më gjerë, për arsimin në Kosovë. Herë pas here, kam botuar për disa nga këto figura të shquara në gazetën ” Mësuesi”, ku unë punoj si redaktor që më 1981, dhe në disa revista e gazeta, si: “Revista Pedagogjike”, revista “Kultura Popullore”, “Studime Filologjike”, “Perla” e “Njeriu”, në gazetat: “Illyria”(që botohet shqip-anglisht, në Nju Jork),  “Kosova”, “Bota Sot”,  “Rilindja Demokratike”, “Emigranti Shqiptar” etj.

Sipas procedurave të njohura, unë paraqita dokumentet përkatëse në Institutin e Studimeve Pedagogjike dhe më 1996 m’u dha titulli “Mjeshtër Kërkimesh”( i barazvlershëm me titullin “Profesor i asociuar “).

Kështu, kam përfunduar një mongografi për Mësuesin e Popullit Sali Gjiukë Dukagjini dhe dy botime kushtuar jetës e veprimtarisë së mjaft mësuesve të tjerë veteranë kosovarë. Po përmend ndër ta, për shëmbull, figura të tilla të njohura të arsimit tonë kombëtar, si: Shtjefën Gjeçov, Lazër Lumezi, Mati Logoreci, Qamil Bala, Zekeria Rexha, Mehmet Vokshi, Xhevdet Doda, Abdurrahim Buza, Beqir Kastrati e të tjerë. Me interes është dhe një botim përmbledhës, që kam botuar, duke e shoqeruar me mjaft foto, për disa nga shkollat e para shqipe, në Shqipëri e Kosovë. Sigurisht, këto punime do t’i shoqëroj dhe më mjaft fotografi të rralla arkivore ose që kam siguruar nga burime të tjera, si: botimet e ndryshme ose nga familjarët e mësuesve veteranë kosovarë.

Shtoj këtu se, me raste të ndryshme, jam ftuar dhe kam referuar për zhvillimin e arsimit dhe për figuara të shquara të tij, në Kosovë e Dibër, Shkup, Podgoricë, Preshevë, Prishtinë, Tiranë, etj. në veprimtari të organizuara nga Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë, Shoqata “Kosova”, Shoqata “Bashkësia Dibrane”, si dhe shoqates “Integrimi i Kultures Shqiptare”.

Vazhdoj të jem bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Studimeve Padagogjike…

  – Jemi dëshmitarë të ngjarjeve tragjike, por dhe të gëzuara për Kosovën. Çfarë do të thotë kjo për ju ose, më mirë, çfarë lehtësirash  krijon për ju ky fakt?

– Kam vizituar shtete të ndryshme të Europës, duke nisur që nga vitet e studimeve dhe kam qenë dy herë në SHBA ( Nju Jork). Por, gjithnjë kam ndier një boshllëk dhe e kam patur “plagë në zemër” që nuk kisha mundësi të shkoja në Kosovë. Kjo, siç e thashë më lart, lidhej me mbresat e fëminisë sime, por dhe me studimet e botimet e mia për këtë trevë të stërlashtë shqiptare. Bile, me të drejtë, shtrohej edhe pyetja: “Si mund ta mbroja këtë disertacion, meqenëse nuk shkoja dot në Kosovë?”. Kjo kishte një farë baze, megjithëse AQSH i RSH është i pasur në këtë fushë, Biblioteka Kombëtare ka mjaft botime të këtij sektori, në Shqipëri jetojnë mjaft familje kosovare, që i kanë të afërm këta mësues veteranë etj. Kam patur ndihmën direkte ose përmes botimeve të tyre, të disa studiuesve të njohur të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, si; Akademikëve Hamit Beqja e Bedri Dedja, prof.dr. Hysni Myzyri, prof.dr. Musa Kraja, prof.as.dr. Qazim Kashari, prof.as.dr. Ilinden Spasse, dr. Iliaz Gogaj, z. Sami Ferizi e të tjerëve, të cilët i falenderoj nga zemra. Gjithashtu, kam patur rastin që në Tiranë të takoj disa studiues kosovarë të arsimit ose  më kanë dërguar botimet e tyre. Dëshiroj t’i përshëndes për ndihmesën, që më kanë dhënë me punimet e tyre në fushën e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar: Akademikun Jashar Rexhepagiq, dr. Abdulla Vokrrin, prof. Tahir Berishën, dr. Muhamet Pirrakun, dr. Sulltane Kojçinin, dr. Abdylaziz Veselin e të tjerë.

Megjithatë, vetëm tani edhe para meje u çel një “dritare e madhe”, përmes së cilës po bej, për t’i pasuruar më tej kërkimet e studimet në fushën e arsimit të Kosovës. Zemra na gëzon të gjithëve që, më në fund, kjo trevë e stërlashtë shqiptare është e lirë dhe e pavarur. Jam i bindur e i kënaqur pa masë se po bashkëpunojmë e popërjetojmë frytet e lirisë, me kolegët, vëllezërit e miqtë e shumtë kosovarë. Ndër të tjerat, shpresoj të studiojmë e të botojmë së bashku. Kjo do të jetë një kënaqësi e madhe për mua dhe një obligim për këtë pjesë të rëndësishme të Kombit Shqiptar.

Në fund të kësaj bisede, desha të shtoja diçka: Më lart ju përmenda një thënie të Mësuesit të Popullit, Sali Gjukë Dukagjini, i cili nënvizonte në kohën e vet, pra më 1913: “Vetëm me arsim mund ta shpëtojmë Atdheun”. Ndërsa unë dëshiroj t’i bëj një “përpunim” kësaj thënieje, duke u shprehur se: “Vetëm me arsim mund ta përparojmë, lulëzojmë e begatojmë Atdheun”. Pra, kuptohet se sa rol të madh kanë arsimi dhe shkolla jonë kombëtare shqiptare dhe sa shumë na mbetet për të bërë të gjithë në këtë fushë të gjërë e kaq të rëndësishme, të jetës dhe të veprimtarisë sonë të përbashkët.

Jemi në muajin Maj 2018, a mund të na tregoni, sa libra keni botuar.

Deri sot kam botuar 19 libra, kryesisht me tematikë për arsimin.

– Ju faleminderit për bisedën dhe ju uroj suksese në kërkimet, studimet dhe botimet në fushën e arsimit, sidomos për Kosovën.