Ballina ED/OP QAMIL LUZHA, GJITHË JETËN IA KUSHTOI BASHKIMIT KOMBËTAR

QAMIL LUZHA, GJITHË JETËN IA KUSHTOI BASHKIMIT KOMBËTAR

-Në  30 vjetorin e vdekjes se tij-

Studim nga ISMET BALAJ

Luzhjanët e Gjakovës kanë histori të pasur për bashkimin kombëtar. Veçanërisht Haxhi Muderriz Murtezai e në vijim trashëgimtarët e tij janë shquar si luftëtarë të parreshtur  të mendjes e të pushkës në shërbim të çeshtjes kombëtare. Haxhi Muderriz Murtezai (1858-1920) kreu studimet e larta teologjike (1874-1884) në Stamboll. Aty njohu  figura madhore të kombit si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Hasan Tahsin, Sali Nivica, etj që drejtonin “Shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip”(1879-). Ai u bë zëdhënësi i kësaj shoqërie, prandaj,  kur  u kthye në Gjakovë, i shërbeu këtij ideali që synonte bashkimin e 4 vilajeteve shqiptare: Janinë, Manastir, Kosovë, Shkodër në një shtet shqiptar si edhe përhapjes së arsimit e të kulturës shqiptare. Në Gjakovë shërbeu edhe si imamë e drejtor i Medresësë së Vogël për tridhjetë vite. Për qëndrimin e tij atdhetar u burgos dy herë nga sulltan Abdyl Hamiti, (1900 dhe më 1908 në Kostamani e në Konja të Anadollit). Gjatë Luftës Ballkanike (1912-1913) u burgos e u internua bashkë me  1000 kryefamiljarë nga Gjakova dhe Rrafshi i Dukagjinit. Të gjithë u mbajtën si pengje nga ushtritë serbomalazeze disa në Pejë e të tjerët  në Nikshiq të Malit të Zi.  Ishte bashkohës dhe shok e mik i Bajram Currit.  Pikërisht për këto qëndrime  e vranë  më 1920 njerëz të paguar prej Serbisë.

 

   Edhe i biri në rrugën e të atit

   Edhe i biri i tij Qamili (1892-1988) vazhdoi rrugën e të atit në kushte të reja historike. U bë idealist i përjetëshëm i bashkimit kombëtar. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, medresenë në Shkup. U bë veprimtar aktiv i Xhimjetit të Shkupit 1919,( Shoqëria Bashkimi )-organizatë me parime fetare, por me program  për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptareve nën Jugosllavi . Kjo organizatë kishte lidhje të ngushta me Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (1918-1924).

  Për veprimtarinë patriotike Qamil Luzha u përndoq dhe u detyrua të shpërngulet prej andej e të vendoset në Prizren. Edhe këtu hyri në shoqatën për një shoqëri pa shtypje e pa shfrytëzim që kishte si qëllim ndër të tjera të mbroheshin edhe të drejtat e shqiptarëve  që shkelëshin nga pushtuesit serbë.

  Edhe nga Prizreni u detyrua të largohet për shkak të bindjeve të tij kombëtare e demokratike që u manifestuan në veprimtaritë e kësaj shoqate. Për këtë arsye qeveria serbe i përndoqi anëtarët e saj. I rrezikuar për burgosje e dënime të ndryshme, Qamil Luzha kaloi kufirin politik më 1920 dhe u vendos në Krumë të Hasit. U emrua mësues në shkollën fillore “Kosova” të Krumës. Në Krumë jetoi e punoi deri më 1925. Si idhtarë i Bajram Currit (shok e mik i të atit), Qamili hyri në shoqërinë demokratike “Bashkimi” (1922-1924) të Avni Rrustemit. Me përvojën e tij disa vjeçare në lëvizjet demokratike në Shkup e Prizren, edhe në Krumë u bë nga aktivistët më të aftë për të njohur e bindur njerëzit për masat demokratike që kishte kjo shoqëri dhe për programin e saj reformues në disa fusha që u shërbenin shtresave të ndryshme, sidomos të varfërve. Duke synuar për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë e për shqiptarët, mori pjesë në revolucionin demokratik-borgjez të vitit 1924.

   Një gjak e një gjuhë kemi e bashkë të gjithë duhet të jemi.

   Me kthimin e Zogut në pushtet në dhjetor 1924, u pushua nga puna nga aparati administrativ që ishte në shërbim të qeverisë së pararevolucionit. U largua nga Kruma dhe takohet në Tiranë me Jashar Erebarën, ish deputet i prefekturës së Dibrës shumë vite. Ai e ndihmoi Qamil Luzhën, sikur ta kishte djalin e vet, gjatë gjithë viteve që jetoi e punoi në Shqipëri. E dërgoi në Dibër për punësim. Punoi si mësues, kudo mbolli farën e bashkimit, farën e dashurisë me njëri-tjetrin, ku dha mësim, ku fjeti e ku jetoi.  Por edhe si kryetar komune e kryetar i katundarisë (këshilli i komunës) në Muhurr, Herbel, Sohodoll, Grevë, Fari, Peshkopi kishte të njëjtin shpirt e gjuhë me të gjithë gjindjen fëmijë, të rinj e të vjetër. Bashkë me ta debatonte për varfërinë, vuajtjet popullit të asaj zone që ishte  në pikë të hallit. Interesohet për hapjen e shkollës në katundin e Ri (Luzni) dhe në qëndër dhe arrin ta realizojë; në Muhurr për meremtime e ndërtime rrugësh e urash, për përmirësimin e gjendjes së banorëve të komunitetit, për pajtim gjaqesh e zgjidhje konfliktesh etj u përpoq dhe realizoi aqsa mundi në ato rrethana të vështira që kishte në ato komuna e fshatra. Kudo shpalosi tipare të larta morale e patriotike duke dhënë shëmbull të mirë si gjakovar. Ja çfarë shkruan Jashar Erebara: “Zoti Qamil Luzha gjakovar-kosovar ka qenë edhe disa vjet mësues dhe tani kryetar komunash. Njeri i ndërshëm dhe shumë aktiv e korrekt në punë, ku ka qenë si nëpunës. Njerëz të tillë duhet t`i përkrahni. (Gjakovasit: burra e gra në kohën e Turqisë, pa asnjë fanatizëm, sheshazi, me shpirt e sakrifica materjale ishin lidhur me idenë nacionale)”. AQSH, Fondi Jashar Erebara, Dosja 12/4, viti 1938. Por edhe AQSH Fondi 228, Dosja 103, viti 1930.

   Simbas dokumentave arkivore Qamil Luzha ka punuar në Prefekturën e Korçës, si kryetar komune në Shën Mitër-Kolonjë; Në Korçë është njohur me Ali Kelmendin që ishte Kosovar prej të cilit ka mësuar se shoqëria jonë mund të ndërtojë një jetë të re pa shtypje e pa shfrytëzim, se kështu bashkimi i Kosovës me Shqipëri është i sigurt. Në Skarapar (Potom) kryetar komune, veç detyrave të tij në shërbim të komunitetit, është njohur dhe është miqësuar me familje të mëdha fisnike, bujare e  të mirënjohura si me fisin e Yllajve, me Bejkollarët etj. Pati miqësi sidomos me Sinanin, të atin e Kahrreman Yllit, me Veiz e Iljaz Bejko Sevranin, që ishte disa herë deputet në Parlamentin Shqiptar. Kështu u njoh nga afër  me veprimtarinë e tyre përparimtare. Detyrat e kryetarit të komunës i kreu edhe në  Peqin-Elbasan; Bushat, Dukagjinë-Shkodër. Në komunën Vrap-Tiranë tregon interes të posaçem për hapjen e një shkolle. Për këtë i dergon edhe shkresë Ministrisë së Arsimit, të cilës i arsyeton domosdoshmërinë dhe mundësinë e hapjes së saj duke e përgatitur vet fshatarët lokalin, por kërkohej një mësues. Shkon po ashtu edhe vet e takon Ministrin e Arsimit Nikolla Ivanaj, i cili e priti me dashamirësi dhe brenda pak javëve shkolla u bë gati dhe mësuesin e emroi Ministria, ndaj mësimi filloi. Për kryerjen mirë të detyrave si kryetar komune kryepleqësia e komunës së Vrapit i shkruan një letër prefekturës së Dibrës dhe Ministrisë së Brëndshme, ku vlerësojnë lart punën e Qamil luzhës si kryetar komune. Në të theksohet se “…gjatë 12 muajve që zotëri Qamil Luzha shërbeu në misionin e tij si kryetar komune me sjelljet e tij të bamuna, mujti me fitue simpathinë e gjithë popullit të rajonit të këtushëm. Pra ullëmbare (udhëmbarë) i qoftë me zemër në detyrën e re. Me shumë nderime Kryepleqësia e Rajonit  të komunës Vrapit”. (1.7.1930). Nënshkruajnë tetë kryepleq. Në 40 letra që Qamil Luzha  i dërgon z. Erebara ndjehet edhe nevoja për të gjetur e lëxuar libra. Vazhdimisht i lutet që nëpërmjet ndonjërit t`i dërgonte ndonjë libër a ndonjë revistë që mund të kuptojë se çka bëhej në Shqipni e jashtë saj. Po kështu gjenë në këto letra edhe kujdesin e Erebarës për t`ia plotësuar kërkesat për gazeta, libra e revista.

  Shkodra me rrethinë ishte një universitet për Qamil Luzhën

  Në vitin 1938-1942 ishte kryetar i komunës në Bushat- Shkodër. Përveç punës si kryetar komune është njohur me personalitete të shquara  të kombit si Gjergj Fishta, Patër Anton Harapi, Ernest Koliqi, me të cilët ka pasur takime miqësore. Për herë të parë ka lëxuar disa nga poezitë e Lahutës së Malësisë, ku i kanë lënë  përshtypje të pashlyeshme  pasqyrimi në to i figurave të mëdha të kombit që kishin shkri pasuri e dhenë jetën për Shqipëri si Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, Isa Boletini, Sulejman Vokshi, Idriz Seferi, Omer Prizreni, Al Iber Neza; pasqyrimi i luftërave të shqiptarëve për mbrotjen e atdheut prej pushtuesve malazezë, ishte e gjallë, dhe, thoshte ai, aty e kuptova konkretisht heroizmin e malesorëve në luftë për mbrojtjen e tokave shqiptare. Fishten e krahasonte me pejgamber (profet) për kombin shqiptar dhe krijimtarinë e tij flamur betejash për atdheun e të parëve. Nga Mark Ndoja, ish profesor  i gjimnazit“28 nëntori”, mori një vëllim me tregime dhe poezi për jetën në malësi. Me këtë rast ata mbetën shokë për disa vite gjatë luftës. Përshtypje të madhe i ka bërë qëndrimi në gjyq  i Qemal Stafës, që nuk iu trëmb syri para kërcnimit të jetës. Po ashtu edhe i të tjerëve, që u burgosën dhe u dënuan me 1938 nga rregjimi i Zogut, duke lënë mbresa të thella në jetën e tij. Që atëherë, thoshte me vete:”Kështu, si Qemal Stafa, duhet qëndruar kur mund të ndodhësh në të tilla situate…” . Në Shkodër njëkohësisht u ritakua me bashkëqytetarin gjakovar, Fadil Hoxhën që ishte gjimnazist dhe ndër antifashistët aktiv e komunistët e parë në grupin e Shkodrës. Në Bushat të Shkodrës,- theksonte ai më vonë,- kam pasur fatin e madh që nuk kam ndejtë asnjë ditë pa lëxuar diçka: libër, revistën “Leka”,”Hylli i Dritës”, “Drita Islame”.  Puna dhe jeta në Bushat ishte për të një shkollë e madhe që ia forcoi bindjet atdhetare dhe ia shtoi guximin për të vepruar në çdo rrethanë për bashkimin kombëtar. Kudo, ku ka  jetuar e punuar, ka hedhur “farën” dhe ka kultivuar dashurinë për atdheun duke e theksuar se atdheu ishte e duhet të jetë gjithë territori i katër vilajeteve të Shqipërisë, që ishin në shekullin  XIX e fillim i shekullit XX. Se mendja e zemra e çdo shqiptari duhet të punojë për bashkimin e popullit shqiptar dhe të këtyre territorëve në një Shqipëri të vetme. Se djelmëria duhet të rritet me dashurinë e pakufishme për atdheun, se ata do ta gëzojnë Shqipërinë të bashkuar, nëse do të mendojnë e luftojnë parreshtur për të. Gjithnjë ka luftuar me zgjuarësi për shlyerjen e mendësisë që kishte lëshuar rrënjë tek disa e që çonte në ndarje e përçarje midis shqiptarëve e krahinave si gegë, si toskë, si kosovarë apo si çam, me cilësi a vese të ndryshme nga njëri-tjetri, duke i zmadhuar veset e duke i zvogëluar e shmangur virtytet që ato i bashkonin e duhet të ishin në mendje, në zemër e në veprimin e çdo njeriu. Shkodra me rrethinë u bë një shkollë e madhe, një universitet mësimi, formimi, urtie e trimërie.

 

    Mbi gjithëçka lirinë dhe bashkimin kombëtar

 

   Si çdo shqiptar i ndershëm edhe Qamil Luzha e quajti pushtimin fashist si fatkeqësi të madhe për kombin shqiptar. Ai, megjithse nuk mori pjesë në demostratat antifashite që u organizuan në Shkodër, ishte me zemër e me shpirt bashkë me çdo antifashist. Sadoqë Italia e çliroi Kosovën nga pushtuesi i egër e mizor serb, prej të cilit çdo shqiptar i ndershëm kishte vuajtur  gjithë të zezat, përsëri gjykonte se çdo pushtues vjen për qëllimet e veta, e jo të çlirojë një tjetër popull e vend, pa pasur intersa të forta për vete. Pra edhe ky ishte një lloj pushtimi i ri. Pra nuk ishte çlirim…-Po pse Kosovën e kanë pushtuar tri shtete?-pyeste vetën e bashkëbisedonte me të tjerë shokë e miq Qamil Luzha. Italia ka shumicën e saj, Gjermania ka Veriun se është miniera e Trepçës e i duhen mineralet e saj; po edhe Bullgaria ka pushtuar anën lindore të Kosovës, si Gjilanin, Janjevën, Bujanovcin, Preshevën e Medvegjen. Pse gjithë ky interes për Kosovën?

   Sipas fletorës zyrtare të datës 8 janar 1942 (AQSH), Qamil Luzha  u shkarkua si kryetar i

komunës Bushat dhe u emrua  nënprefekt i Istogut (Kosovë). Në këtë funksion  u përpoq të kryejë sa më mirë detyrat në shërbim të komunitetit. Por me dekret mëkëmbësuar mbretnuer, u pushua si nënprefkt, u arrestua si antifashist dhe e burgosën në Prizren. Shkaku i shkarkimit është krejt i qartë. Qamil Luzha, si patriot, pavarësisht nga funksioni që kryente, nuk e shiti shpirtin, nuk e shiti nderin me para si nënprefekt. Ai u lidh me bashkëpunoi me forcat antifashiste që kishin filluar aktivitetin edhe në Kosovë. Agjentët në shërbim të Italisë pushtuese, e përgjuan natë e ditë dhe i plotësuan të dhënat prandaj edhe e pushuan e mbas pak ditësh e burgosën në burgun e Prizrenit. Vëllai i tij, Mulla Asim Murteza Luzha (ish deputet i Drenicës në Parlamentin e Mbretërisë Jugosllave (1938-), një personalitet i njohur në gjithë Kosovën,  shkoi në Prizren dhe e takoi kryetarin e komunës Shaq Currin me të cilin ishin rritur bashkë, sepse të parët e të dy familjeve ishin miq, qysh nga ardhja e gjyshërve të tyre në Gjakovë. Por të ndodhur në raporte të kundërta, u përballën me njëri-tjetrin. Mullah Asim Luzha, nxori revolën, ia vuri mbi  tavolinë dhe i tha:”- Shaq Curri! o më vrit mua, o po të vras unë ty, o të dy po vrasim njëri-tjetrin, rrugë tjetër nuk ka, sepse prej kësaj zyre nuk dal i gjallë, pa vëlla Qamilin, të liruar…”. Këtë ballafaqim nuk e priste kryetari, por e mbajti vetën dhe iu përgjigj: “Jo bre, Asim, nuk vritën miqtë ndërveti. Curri e Luzha kanë qenë miq që kur janë ngulë në Gjakovë, por edhe do të jenë, pra edhe, unë e ti bashkë… Po dije se Qamil Luzha është përzie me nacionalçlirimtarën, e cila ka filluar aktivitetet antifashiste në Kosovë…”. Kryetari i komunës së Prizrenit në bashkëveprim me komandën e xhandarmërisë, u detyruan që ta lirojnë nga burgu Qamil Luzhën….”. Prej kësaj kohe e deri në çlirim punoi në terren kryesisht në Gjakovën me rrethin për mobilizimin e popullit kundër pushtuesve fashistonazistë. Në bashkëbisedim për luftën antifashiste, ai theksonte:”Faljani Kosovës një djalë!”. Këtë thirrje shpirti ia kishte dhene njëri që i i kishte afruar luftës dy djem nga katër që kishte.  Ishte një ndër përfaqësuesit e Kosovës në Konferencn e Bujanit 31 dhjetor-1943-1 e 2 janar 1944 e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, në të cilën u miratua një Rezolutë e përbashkët e forcave të tri nacionaliteteve që ndodhëshin pjesëmarrës në atë mbledhje: Shqiptarë, Serbë dhe Malazezë. Nënshkrues i kësaj Rezolute ishte edhe Qamil Luzha. Në kujtimet e tij për këtë konferëncë, thekson: “…Bash tri ditë kemi debatuar me delegatët serbë e malazezë për te gjetë mënyrën e formulimit sa më të drejtë në ato kushte. Më në fund Rezoluta u miratuar njëzëri dhe u nënshkrua nga 49 delegatët që ishin në mbledhje. Ndër të tjera në Rezolutë thuhej:“… Rruga e vetme, pra, që populli shqiptarë i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet  me Shqipërinë, është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjakatar e rrogëtarëve të tij, sepse  kjo është e vetmja  rrugë për ta fituar lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të ketë  mundësi të vetëvendosin mbi fatin e vet me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje…”. (Marrë nga “Kosova nga Bujani në Kaçanik”, faqe 160,  botim Prishtinë më 1990 nga Dr Hakif Bajrami.

  Në vitin 1944 situata në Kosovë u ndërlikua shumë. Jeta e banorëve rrezikohej dita-ditës. Lëvizja partizane ishte shtuar. Ishin krijuar batalione e brigada partizane kosovare, si brigada e 7 me gjakovarë që në fillim ishin 4000 partizanë e pak më vonë u bënë 7000 e nga shtatori I vitit 1944 arriti në 17mijë forca nën komandën e dy Shabanave: Shaban Haxhi Pacit dhe Shaban Polluzhës. Ato po i godisnin herëpashere repartet ushtarake naziste, duke u pësuar humbje dhe panik. Si kundërpërgjigje nazistët, së bashku me kolaboracionistët vendas, kryenin shpesh operacione ndëshkimore ndaj banorëve të pa armatosur e të pafajshëm nëpër qytete e fshatra. Në këto kushte jeta e Qamil Luzhës dhe e familjes u rrezikuan shumë. Megjithse familjen e  kishte çuar për siguri te një mik në Botushë, një fshat në veri të Gjakovës, përsëri, më ndërlikimin e gjendjes politike dhe ushtarake, nuk kishte asnjë siguri. Agjenturat bënin zbulime dhe spuinon pa rreshtur antifashistë e familjet e tyre.  Prandaj ai mendoi që t`i largojë gruan shtatzënë dhe dy fëmjët të vegjel: Shpresën 10 vjeç dhe Blerimin 7 vjeç. Në një ditë me shi e të ftohtë tetori u nis për në Tropojë, ku kishte mbesën, vajzën e hallës) të martuar me Selim Efendi Gashin, një nga klerikët  më në zë në Malësinë e Gjakovës. Moren me qira një kalë me karrocë. Mbi të hypi gruan dhe fëmijët. Rruga ishte 3-4 orë larg deri në Tropojë. Ajo ishte gjithë gropa, e shtruar me gurë e dhe. Tronditjet e forta gjatë gjithë rrugës, i krijuan shtatzanës lodhje e dhimbje, pra edhe rrezik dështimi. Në Tropojë arritën natën, vonë. Gjatë natës e zunë dhimbje të forta të lindjes. Në agim të ditës së re, në kushtë krejt të papërshtatshme, lindi një banore e re, një vajzë. Por, nuk kaluan veç pak orë dhe mbyllën sytë për të mos i hapur më kurrë: nënë e bijë. Dhimbja ishte e madhe. Qamil Luzha, sapo kishte kaluar 50 vite jetë. Kishte dy fëmijë të vegjël. I la te mbesa dhe vet u nis për në Gjakovë të bashkëluftëtarët e tij gjakovarë. Detyrat e atdheut e thirren dhe ai iu përgjigj, se atdheu dhe liria për të ishte mbi gjithëçka.

 

   Çlirim po, por edhe ripushtim edhe më i egër e më barabarë…

 

   Kosova u çlirua nga fashistonazitët dhe u ripushtua nga Sërbia. Mijëra djem kosovarë ishin në brigadat partizane që po luftonin gjermanët në territoret e Bosnje-Herzegovinës. Ndërkohë tri Divizione ushtarake maqedonase, serbe e malazeze, vërshuan në Kosovë si hordhi të egra U realizua një pushtim i egër e barbarë që u kushtoi shqiptarëve të Kosovës dhjetra mijëra të vrarë, të burgosur e të internuar.

  Mbas çlirimit të Kosovës nga fashistonazistët Qamil Luzhën KANÇ-i  zgjodh kryetar të  komunës së Gjakovës. Në këtë detyrë qëndroi disa muaj, sepse e transferuan dhe e emruan Drejtor të Entit të Kosovës për Pasurinë Shoqërore në Prizren, që ishte kryqëndra e Kosovës. Më 9 prill 1945 një delegacion i KANÇ-it i Kosovës i bëri një vizitë Josip Broz Titos që atëherë kishte përqëndruar në duartë e tij gjithë pushtetin ushtarak dhe politik. Ai i priti në rezidencën qeveritare në Beograd. Kryetari i delegacionit ishte Mehmet Hoxha, Kryetari KANÇ-it për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, i zgjedhur në Konferencën Historike të Kosovës në Bujan të rrethit Tropojë në janar 1944.  Kryetari i delegacionit në fjalën e tij duhej të argumentonte arsyet pse kishin kërkuar takim me marshallin Tito. Por ndodhi e pa pritura. Mehmet Hoxha bëri një autokritikë, sepse Kosova nuk kishte dhënë ndonjë kontribut në luftën antifashiste për çlirimin nga okupatorët fashistonazistë. Kjo, arsyetonte kryetari i delegacionit, ka ndodhur se shumë kosovarë iu bashkuan okupatorit dhe e ndihmuan atë. Ai nuk tregoi shkakun e vërtetë pse kishte ndodhur kështu, as nuk shtroi kërkesat e domosdoshme për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Bile as nuk u ankua për asgjë. Në këto rrethana të reja, Qamil Luzha e kërkoi fjalën dhe ndër të tjera theksoi:

   …I nderuar shoku marshall Tito! Është e vërtetë se në Kosovë ka pasur reaksion të fortë kundër luftës antifashiste. Ka pasur edhe njerëz që i kanë shërbyer pushtuesit e janë bashkuar me të. Po kjo ka arsyet e veta të forta. Rregjimi i mëparshëm i karagjergjoviçëve ka qenë shumë i egër, që nuk ka lënë të zeza pa bërë mbi popullin e Kosovës; e ka trajtuar në mënyrë çnjerëzore, si kafshë. Kjo i ka bërë shumë kosovarë që ta shikojnë pushtuesin italjanë e sidomos gjerman si çlirues e të bashkohen me të. Edhe ne, udhëheqja e luftës, nuk kemi punuar sa duhet për ta bindur popullin për t`u ngritur në luftën tonë çlirimtare. Por edhe ju e dini se në vitin e fundit të luftës, Kosovarët u bashkuan në brigade dhe mijëra partizanë në të gjithë Kosovën luftuan me heroizëm. Janë rreshtuar  dhe kanë marrë pjesë 53 mijë partizënë kosovarë në vjeshtën e vitit 1944. Ata kanë çliruar Kosovën dhe kanë luftuar edhe në Mal të Zi, në Bosnje e Herzegovinë e deri në frontin më të vështirë atë të Sremit kundër gjermanëve.

 Ne që kemi ardhur, në emër të popullit të Kosovës, kemi besim të madh te Ju si kryetar i shtetit federative që po formoni, keni shpirtin dhe forcën për të ndihmuar popullin tone të shumëvuajtur. Ne  kemi disa kërkesa jetike. Në Kosovë shqiptarët kërkojnë që t`u lejohen shkollat në gjuhën shqipe; të kenë mësues shqiptarë dhe këta t`ia kërkojnë Shqipërisë derisa të përgatisim kuadrat tanë në shkollat tona, por edhe në Shqipëri; Kosova sa më shpejt të zhdukë analfabetizmin që është 96% e popullatës analfabetë, pra më mbrapa se çdo vend tjetër në Jugosllavinë e re dhe të përgatitë inteligjencën e vet. Aministrata të drejtohet nga nëpunës shqiptarë dhe të flitet gjuha shqipe. Shqiptarët të kenë të drejtën e flamurit të kombit të vet. Ushtria ka mobilizuar ushtarë edhe djem që nuk kanë asnjë krah pune në shtëpi, prandaj duhet të kthehen se nuk ka kush u siguron bukën e gojës familjeve të tyre…(Kjo kërkesë është realizuar brënda  një jave).

 

   Ku është vllaznim bashkimi…?

 

…Pa këto ndryshime të mënjëhershme, nuk do të këtë dallime nga robëria që sundonte pamëshirshëm Kosovën në mbretërinë e Jugosllavisë së vjetër, të cilën e varrosi populli me luftë. Populli i Kosovës ka luftuar për liri e drejtësi shoqërore edhe kundër robërisë osmane, por edhe kundër robërisë së mbretërisë jugosllave, me qëllim që edhe shqiptarët të jenë të barabartë në të gjitha fushat me kombet e kombësitë e tjera në Jugosllavi. Ne duam paqe e mirëkuptim midis kombësive në Jugosllavinë e re. Jugosllavia e vjetër nuk ka lënë gjë të zezë pa provuar mbi ne, prandaj fjalën “Jugosllavi” shqiptarët nuk e kanë në zemër. Kot do të jetë çdo fjalë  e theksuar: vëllaznim+bashkim, pa u përputhë në vepër drejtësia”.

   Qamil Luzha theksoi veçanërisht terrorin që po ushtrohej në gjithë Kosovën nga rregjimi ushtarak e policor që është vendosur nga Ju, shoku marshall, në fillim të vitit 1945…. Tregoi shëmbuj konkret të vrasjeve të shqiptarëve në sy të familjeve, pa pasur faj. Dha shëmbuj të tillë nga Gjilani, ku ushtria maqedonase kishte hyrë nëpër shtëpi e kishte vrarë ditën e bajramit shumë njerëz. Në Drenicë, -theksoi ai, -forcat ushtarak serbe më kanë vrarë vëllane, Asimin, vetem sepse ishte patriot, antifashist, sepse e donte Shqipërinë dhe ishte duke kryer detyra partizane për zgjidhjen e një konflikt midis banorëve dhe ushtrisë serbe që kryente atje operacione ndeshkimore. Pas ekzekutimit të vëllait tim, ushtria ekzekutoi pa gjyq disa mijëra drenicarë gjatë muajve shkurt e mars të këtij viti. Drenica u mbula me gjak e varre. Mbetën mbi dhe të gjallë fëmijë e gra. Këto janë të pafalshme. Kërkojmë urgjentisht të ndalet dhuna e të ndëshkohen fajtorët….Ne kemi ardhur te ju, sepse kemi besim se kështu do të ndërtohet Jugosllavia e re, se do të ndërtojmë një shoqëri të vllaznim-bashkimit të vërtetë e jo mashtruese…”.

   Ishte shumë e vështirë dhe guxim i rrallë, në tragjedinë që kalonte çdo vatër e Kosovës, të ngreje zërin para marshallit Tito, që kishte marrë nam të pa parë në Ballkan e në Europë. Megjithëkëtë, delegacioni guxoi e foli. Tito i dëgjoj me durim e kujdes kërkesat dhe, në sy të delegacionit, i vlerësoi si të drejta ato. U kërkoi me forcë përgjegjësve, që të bëhehshin ndryshime rrënjësore për zhvillim e përparim të qytetarëve të Kosovës. Dha porosi për sqarime të mëtejshme se çka ndodhte në Kosovë, por edhe urdhëroi për ndjekje ligjore ndaj gjithë atyre që kishin bërë teprime në situatën e gjendjes ushtarake në Kosovë. Aty bëri sikur ai nuk dinte gjë…  Përdorimin e flamurit të kombit shqiptar në Kosovë e refuzoi, duke thënë se në kemi shumë kombësi e na bëhen shumë flamuj…

   Delegacioni u porosit që të shkonte në Parlamentin e Sërbisë, për t`u bashkuar Kosova me Serbinë. Pati kundërshti të forta. Qëndroi vetëm Mehmet Hoxha dhe Dushan Mugosha.  Atëherë Qamil Luzha dhe Halim Spahia shkuan në ambasadën shqiptare në Beograd. Aty u pritën nga Ambasadori Hysni Kapo, Sekretari i  parë Vasil Konomi dhe Atasheu ushtarak Ramadan Çitaku. Në ambasadë parashtruan gjendjen e tmerrshme në Kosovë dhe kërkuan mbrojtje. Por përgjigja ishte e vaktë dhe u larguan pa  shpresë se do të përmirësohej gjendja. (Në korrik të atij viti gjykata e Prizrenit e dënoi me pushkatim Halim Spahinë dhe 5 shqiptarë të tjerë si armiq të Jugosllavisë së re).

    Ndërsa Qamil Luzhës me disa nga anëtarët e delegacionit, u vunë spiunë të regjur për t`u gjurmuar e thurë intriga nga më të ligat. Ai u kthye në Prizren dhe vazhdoi të punonte për kryerjen e detyrave për ruajtjen e mirëadministrimin e pasurisë shoqërore, duke u përpjekur që të ndihmojë veçanërisht shtresat në nëvojë. Në dhjetor të vitit 1947 Qamil Luzha bashkë me Zeqirja Rexhën arrijnë në Tiranë për të kërkuar ndihmë nga shteti shqiptar sidomos për të marrë një sasi libra dhe mundësisht edhe mësues për shkollat që po hapeshin në gjuhën shqipe. Zeqirja Rexha ishte njohur me Enver Hoxhën kur të dy  ishin  për studime në Francë, prandaj kërkoi takim me të dhe ai e priti. Qamil Luzha takoi Koçi Xoxën, të cilin e kishte njohur kur kishte qenë kryetar komune në Shen Mertiri të  Kolonjes, kryetar komune. Koçit iu ankua për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe kërkoi ndihmë për ndryshimin e situatës. Mbasi mori disa ndihma libra e materiale të tjera shkollore, me 30 dhjetor 1947, u kthye në Prizren. Me datën 31 dhjetor e arrestuan dhe e futin në burgun e Prizrenit. Duket se takimi me Koçi Xoxën në Tiranë, kishte afruar arrestimin e tij. E hetuan në burgun e Prizrenit, të Prishtinës, të Nishit, Idrivorit, të Zemunit në Beograd. Gjithsej kaloi në 17 burgje të Serbisë në atë kohë. Mbas 18 muaj I hetuar nga mëse 30 hetues të ndryshëm, me një dosje afro njëmijë faqe të mushur, kur nuk siguruan anjë akuzë të qëndrueshme, e nxoren nga biruca, e nisen internime në Oseçinë të Valevës në Serbi.Po sjellim një shëmbull nga jeta nëpër  nëpër birucat e burgjeve. Kur e arrestuan Qamil Luzhën, ai ishte mbi 100 kg peshë. Ishte i gjatë  1.84 m; ishte me trup të shendetshëm, të mbushur mirë, muskuloz, por kur më në fund,  u vendos në internim në Oseçin-Valevë të Serbisë, peshonte më pak se 60kg. Një ditë bashkë me një kosovarë po këndonte një këngë në oborrin e burgut, policët iu gërmuan: Mbylleni gojen se jeni në buzë varri… Atëherë Qamili iu përgjigj: “ Na ose me u tranue (me u çmendë) ose me këndue, dy rrugë kemi këtu, prandaj ia morëm këngës. Një herë kemi lerë e një herë do të vdesim. Të vdesim si burrat me këngë në gojë….!”Gajtë kësaj kohe familja e tij nuk ka ditur asgjë se ku ishte . Në Valevë kaloi 6 vite si  internim si armik i vëllaznim-bashkimit, si seperatist, irredentist, si nacionalist, armik i Jugosllavisë së re, si agjent i të huajve…”. Marrë nga biseda e Fadil Hoxhës me Qamil Luzhën. (Ndodhet në dosjen familjare të kujtimeve).

 

   Bashkimin kombëtar e bëjmë ne, shqiptarët, në radhë të parë…

 

   Mbasi u kthye nga internimi, u mor me punë private për shkak të rrethanave të krijuara si shqiptar i rrezikshëm për sistemin, sepse ai e mbronte hapur Rezoluten e Konferencës së Bujanit dhe kërkonte zbatimin e saj me qëllim bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Gjatë gjithë viteve u mbajtë nën vezhgim nga UDB-ja. Ishte përsëri në burg, por në një burg special, që vetëm emrin e kishte kioskë, ku shiste gazeta e  duhan, por ishte nën përgjimin e rreptë të agjentëve UDB-ash që ishin të nacionaliteteve, rracave e shtresave të ndryshme. Edhe në kushte të tilla kurrë nuk pushoi së foluri bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë që ta duan atdheun e tyre Kosovën. Ishin vitet pesëdhjetë, kur midis Qeverisë Jugosllave dhe Qeverisë Turke ish nënshkruar një marrëveshje për dërgimin në Turqi të  mijëra shqiptarëve myslimanë duke i quqjtur turq, pavarësisht se ata ishin shqiptarë dhe nuk i lidhte as gjuha, as gjaku, vetëm të qënit myslimanë. Qëllimi ishte që të boshatisej Kosova nga  shqiptarët dhe të ripopullohej me banorë të kombësive të tjera të jugosllavisë. Atëherë ajo kioskë e vogël në mes të Mitrovicës, ku punonte Qamil Luzha,  u bë zëdhënësja që jepte kushtrimin:  ”Kosova është djepi, ku u përkunda, është varri i të parëve të mi; Kosova do të jetë edhe varri im. Unë nuk e la Kosovën edhe sikur dikush të ma mbushi këtë kaftorr (sobë druri për ngorhje)me dukat (flori)”. Dhe porosiste të rinjtë që ta duan Kosovën: “Kosova është Shqipëri. Do të vijë dita e bashkimit. Ju të rinjtë do ta sillni bashkimin e do ta jetoni dhe vetëm atëherë do t`i kuptoni edhe ma mirë këto fjalë të miat… kryefjala e jetes së çdo shqiptari gjatë 24 orëve duhet të jetë bashkim, bashkim Kosovë me Shqipni. Jo largim nga Kosova, jo kurrë, kurrë. Bashkë do të jemi më të fortë…,”-theksonte Qamil Luzha.

   U shua më 1988, duke lënë pas një emër të mirë dhe një trashëgimi të denj për ta çuar përpara idealin e tij që është edhe ideali i gjithë shqiptarëve.

 

   Bashkëkohësit si Akademik, Profesor Dr. Mark Krasniqi,  Akademik, Akademik Profesor Dr.Pajazit Nushi, Akademik Profesor Dr. Minir (Beg) Dushi, Dr.Gjon Buça Kryetar i Shoqërisë Panshqiptare “Vatra” të Njujorkut dhe shumë të tjerë, burra të moshuar, ish- kuadra të përkushtuar për mëkëmbjen e përparimin e Kosovës, shpalljen e Kosovës republikë dhe bashkimin me Shqipërinë, kanë dëshmuar me shumë fakte se Qamil Luzha ishte një atdhetar që gjithë jetën ia kushtoi çeshtjes madhore të kombit shqiptar, bashkimit të trojeve dhe të popullit shqiptare në një shtet të vetëm  në trojet e veta të lashta në Ballkanin Përëndimor.


Për këtë shkrim u shfrytëzuan:

1.AQSH. Fondi Jashar Erebara,Fondi 28, Dosjet 12, 12/1, 12/4

2.AQSH.Fondi 228, Prefektura e Dibres, Dosjet 56,209, 210,  viti 1928, Dosja 72, viti 1929, Dosja 85, viti 1930, Dosja 97, viti 1930, Dosja 81, viti 1935. Prefektura e Tiranës, Fondi 379, Dosja 52, viti 1930. Prefektura Elbasan, Fondi 271, Dosja 273;  Prefektura Korçë, nënprefektura Kolonjë, Dosja 338 (Shën Mërtiri) e tj.

3.Komunat e Kosovës  Gjakova dhe Peja  Dr Jusuf Osmani

4.Luzha dhe luzhjanët, botim 2009, Tiranë, vellezërit Balaj,fq.448-472.

5.Emra që nuk harrohen, Tahir Berisha, Prishtinë.

6.Kosova në dimrin e viti 1945, botim Prishtinë,Muhamet Mjeku

7.Kosova nga Bujani në Kaçanik, botim 1990 Prishtinë, Prof.dr.Hakif Bajrami

7. Prof.dr.Ana Lalaj, Konferenca e Bujanit…(internet)

8.Nga Kosova për Kosovën, nga Profesor dr. Akademik Marenglen Verli

9.Akademi Përkujtimore për patriotin Qamil Luzha, Gjakovë, 24 maj 2014.

10. Dokumentari kushtuar Bajram Currit më 1981 nga RTSH, ku ka folë edhe Qamil Luzha. Ndodhet në Youtube.

11.Kujtime nga Akademikët, Prof.Dr Mark Krasniqi, Pajazit Nushi, Minir Dushi,  Dr Gjon Buçaj Kryetar i Shoqërisë Panshqiptare “Vatra” Njujork SHBA; Profesor Dr. Hakif Bajrami e shumë

ish kuadra të përkushtuar për mëkëmbjen e përparimin e Kosovës, shpalljen e Kosovës republikë dhe bashkimin me Shqipërinë, kanë dëshmuar me shumë fakte që ndodhën në dosjen e familjes Luzha në Prishtinë..