Ballina Kulturë ÇASTET U NGJAJNË NGANJËHERË ISHUJVE…

ÇASTET U NGJAJNË NGANJËHERË ISHUJVE…

Cikël me poezi nga  QAZIM D. SHEHU

RËNIA

Bien  hapat e jetës

Gjethe në zemër të vjeshtës.

Rreze në gji të mbrëmjes

Fitila në trup të dhembjes

Ngulfaten.

Jam mësuar të mas orën

Të mas vështrimet dhe

Dredhitë,

Të kuptoj rënien kur do bien

Qeveritë,

Dhe kundërmimet e padëshiruara,

Po hapat kurrë

Ato bien qetësisht

Thithen në largësi

Hapa të çakorduara

Të sigurtat hapa,

Ndonjë gjurmë e munguar

U vjen prapa…

PËRGJUESI I MUGËT

Ai qytet ishte një rrip ore

Pa orë.

Kohën ia kishin vjedhur

Veç na përshëndesnin me dorë

Përgjuesit e etur.

E ndeza putrën e fantazisë

Dhe e përplasa në mal

Koha me ëndrrën e rinisë.

Para meje u ndal.Çka do, më tha ajo

Unë këtu jam,

A s`më sheh mor djall,

Rripin e orës qe, ja ku e ke,

Ora e këtij qyteti është mbytur në moçal…

LOJË E LARGËSISË

Një vijë horizonti

Nuk e thotë largësinë

Ajo më e afërt mbetet

Sa dy hapa larg ku ndodhemi

Dhe si statuja rrimë.

Dhe atë thithim me sy,

Për ta tërhequr si litar

Ku veten duhet të varim…

NUK BESOJ

Nuk shpresoj që  bishti i gjarprit që u çlidh,

Të bëhet nyje e vështrimit tënd,

Pa atë lojën hidh e prit,

Ku zemra s`di të zerë vend.

Në shkoftë dhe u bëftë

Një nyje enigmash të mëdha,

Vështrimi jot mos u qorroftë

Porsi një yll që venitjen e vet pa.

Në unazë motesh në u lidhtë

Sakrifikuar prej një bese,

Do nxjerrë frymën e tij të idhtë

Frymë qielli përmes një vese…

QIEJ TË DASHURUAR

Këta qiej të dashuruar si një kurorë lavdie

Që s`gjen ballin  e atij që e meriton,

Prandaj s`na afrohen dhe sa u ka hije

Kaq larg tek i shikon.

Vazhdojnë dashurinë e tyre,

Në numrat që Dante u dha,

Dhe kanë kaq të dashur sa yje

Në gji të tij qielli mba.

Do afrohen a do luajnë me ne,

Çfarë i pezullon atje lart,

Toka rrëshqet në ngjyrë kadife

Orgazmon pa fat…

KUR DETI…

Deti puth tokën me ngjyrë jargavani,

Sa i dashur ngjet,

Dhe s`e kuptoj pse ndodh cunami

Në këtë dashuri -mbret.

Në këtë marrdhënie përdëllyese

Ku dallga vithet ia shtyn

Tokës, kësaj sojleshe gënjyese,

Freski e tij në zemër s`i hyn.

Deti ngulmon, dallgët përplas,

Toka e mirëpret me krenari,

Atëhere  deti veten zbraz,

Cunami shkrehet brenda tij…

KOHA

Herë herë më vjen e më ulet para

Një vizitore imagjinare,

Është koha që ikën me të katra

Kjo sojleshë kusare…

Dhe pa ca njerëz s`mund të jetë,

Ndryshe kohë s`do ishte,

Njerëzit morën krahë reshë

Dhe humbën sikur s`ishin…

Por shpesh retë m`i sjellin

Kur çelin  lulet një nga një,

Dita që shtyn diellin

Përpikmërisht, pa zë.

Dhe kujtesa del nga vetja

Si një rreth i pashtërnguar,

Ajri murmuron nëpër shpendra

Nga frika e një gjarpri të helmuar…

LE TË FRYJË ERA

Në mishin e kujtesë

Era ngul thonjtë,

Kujtesës i mbetën skeletët

Dhe era ngulmon.

Ç`gosti të përgjakshme kërkon

Teksa kockat na bluan,

Me mishin e kujtesës i japim jetë

Kësaj të mallkuare që vuan…

ISHULLI

Ti mbete e prirur ndaj atij çasti

Si qafe e një mjellme që në ujë

Gjeti,

Dashurinë e ruajtur.

Uji rridhte për vete dhe dashurinë

Nuk mundi ta rridhte,

Kështu çastet u ngjajnë nganjëherë

Ishujve…