Ballina Personazh POLITIKA KA PASUR MË SHUMË NEVOJË PËR DR. BUJAR LESKAJ SE AI...

POLITIKA KA PASUR MË SHUMË NEVOJË PËR DR. BUJAR LESKAJ SE AI PËR POLITIKËN-Duke ndjekur rrugëtimin e dr. Bujar Leskajt-

Nga  Dëfrim CANI 

Ka gjithmonë një mundësi, rrethana historike dhe shoqërore për t’u bërë i dukshëm dhe i njohur në një shoqëri njerëzore. Kjo është një histori e njohur që nga kohët e hershme e deri sot. Luftërat, revolucionet, ngjarje të caktuara i kanë sjellë shoqërisë figura politike, ushtarake dhe sociale, të cilat herë i kanë qëndruar kohës e herë jo. Pa dyshim, lidhja e fortë me këto raporte dhe rrethana, kanë qenë të rëndësishme në jetën publike të këtyre individëve.

Më bëri përshtypje një ndërmendësim i kësaj natyre, për shkakun e thjeshtë, kur më duhej të shkruaja një vështrim të gjerësishëm për rrugëtimin intelektual, politik, shkencorë dhe shkrimorë të dr. Bujar Leskajt, si një figurë komplekse, e cila që në momentet e para, kur i është shfaqur publikut shqiptar, jo vetëm që i ka rezistuar kohës, por ka vijuar ngritje e besueshmëri interesante.

Dr. Leskaj nuk ka ardhur në pikën e lartë publike e politike, siç dihet ka qenë ministër i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe deputet i Parlamentit Shqiptar, si rezultat i situatës së jashtëzakonshme që mund të ketë pasur vendi, por në situatë bashkëpunuese dhe të rëndësishme, thënë ndryshe: politika nuk i bëri aq shumë nder atij sa ai i bëri nder politikës.

Mendoj se përmes këtij raporti duhet parë dhe “zbuluar” personaliteti, bashkëkohësia, dinjiteti i një njeriu të ditur dhe ruajtja e ekiulibrave të rëndësishëm, të cilët i kërkohen një njeriu publik dhe me peshë në jetën publike dhe personale familjare.

Bujar Leskaj është i shkolluar në mënyrën dhe në nivelin më të mirë të mundshëm, besueshëm dhe me tregues të shkëlqyer. Në një dekadë, gati, ai ka mbaruar tri fakultete: inxhinieri (1990), ekonomi (1998) dhe drejtësi (2002), ç’ka lë të kuptohet se, nuk mund të gjendet një njeri me kaq zell, interesa intelektuale, aftësi dhe kurajo për dije dhe shkollim. Përmes një dëshmie të tillë, kurrësesi nuk mund të mos kuptosh se si fuksionon ndërgjegja e këtij intelektuali të kohës. Në këtë pasion të çuditshëm, Bujar Leskaj kryen studime pasuniversitare në SHBA, Evropë dhe në Tiranë, për të doktoruar në ekonomi në vitin 2009, për t’u bërë lektor në fakultetin e ekonomisë, e për të pasur të drejtë të ushtrojë dhe profesionin e avokaturës.

Pavarësisht një terreni dhe mjedisi politik të ashpër në Shqipëri, qoftë në vitet “90-të, me rrëzimin e rregjimit gjakatar totalitar dhe ngjarjeve tragjike të vitit “97, Bujar Leskaj është treguar konseguent në angazhimin e tij për t’u shkolluar dhe plotësuar intelektualisht. Pra, u përpoqa të sjell një tablo elementuese të fakteve, lidhur me intelektualin në fjalë, për të kuptuar më mirë ardhjen e tij në opinionin dhe përfaqësimin politik dhe shtetar, me të cilat e ngarkoi koha.

Nuk ka asnjë dyshim se, në “dëshminë” konkrete të karakterit të Bujar Leskajt ka tregues të rëndësishëm genetik, që lidhen me aftësinë për ta kuptuar kohën, me intelektin për të ndërtuar personalitetin përmes dijes dhe punës, aftësinë dhe mundësinë për të seleksionuar mundësitë dhe angazhimet, nuhatjen e zhvillimeve politike dhe shoqërore, guximin për t’i dhënë vendin dhe për t’i shërbyer të vërtetës, pavarësisht se ajo në një vend me konfliktualitet të egër, siç ka qenë vendi për gati gjithë dekadës së viteve “90-të.

Ka një dëshmi interesante nga njerëz të njohur të politikës në Vlorë, lidhur me qëndrimin prej politikani, profesionisti të ekonomisë dhe të intelektualit, lidhur me ngjarjet e vitit 1997 në Vlorë dhe në të gjithë vendin.

Bujar Leskaj u afrua dhe u bë pjesë e integritetit politik të Partisë Demokratike, për shkakun e aftësisë për ta “raportuar” drejt të vërtetën e kohës. Është pikërisht koha kur ai pranon të bëhet anëtar i kësaj partie. Të pranoje një sfidë të tillë në këtë kohë, do të thonte të jesh trim, i guximshëm, kurajoz dhe i aftë për ta interpretuar drejt dhe bindshëm deformimin kolektiv të politikës që sulmoi shtetin dhe prishi ekuilibrin social të vendit. Këtë moment të rëndësishëm të vendit e pa si sfidë, e vlerësoi si të tillë dhe e pranoi si të tillë. Njerëzit që kanë bashkëpunuar me Bujar Leskjan në këtë kohë, flasin për një qetësi të mrekullueshme të tij, e cila kthehej në angazhim dhe bashkëpunim njerëzorë të rëndësishëm.

Në historitë e njerëzve të suksesshëm në botë, treguesit individual kanë luajtur rol të rëndësishëm, që këto njerëz të pranohen prej tyre, t’i mbështesin e t’i ndjekin nga pas. Për këtë arsye Leskaj ka ruajtur një lloj karizme, e cila nuk i është zbehur në asnjë rast.

Ai shquhet për aftësinë e tij, për të ndërtuar marrëdhëniet e individit me shoqërinë dhe me shtetin, të cilat kalojnë përmes personalitetit të formuar, dinjitetit dhe dijetarisë së qëndrueshme.

Një bashkëkohës i tij thotë se dr. Bujar Leskaj arrin t’i zhveshë dëgjesat e njerëzve nga veli i gojtarisë, për t’i kthyer në ide.

I dhënë pas njerëzve të anëve të tij, të njohurve të shumtë në Jug e Veri, në Kosovë e jashtë vendit, në personin e tij shquhet humanizmi, mirësia, rrespekti dhe mundësia e çdokohshme për t’u gjendur afër njerëzve në raste hidhërimi dhe gëzimi. Ai ka një aftësi të lindur për të zbutur shpirtërat e zhuritur nga hidhërimi dhe nga dhimbja. Janë të shumtë rastet që intelektuali i njohur është gjendur si ndihmëtarë i nevojshëm në familje, njerëz, fshatra dhe të njerëzve në nevojë, pa kursyer asgjë që ai ka pasur të mundur. Për raste të tilla shtypi shqiptar ka shkruar disa herë.

Në jetën, veprimtarinë, tiparet dhe cilësitë e dr. Bujar Leskajt ka dhe shumë të dhëna të tjera, të cilat janë pleksur mjaft mirë në personin e tij, dhe që shfaqen përditë dhe rast pas rasti. Por në një këndvështrim, në të cilin njeriu zbulon rrugën që bën, tatëpjetën që bën me këmbë dhe jo me makinë, siç ndodh me shumë të tjerë, kam kërkuar ta shoh këtë figurë intelektuale dhe njerëzore, si një botë që ecën, si një botë që “gdhendet” dhe përkryhet në vetvete, në raport me kohën dhe vetveten. Ndodh dhe kështu pra, shoqëria njerëzore është një “medium” brilant për ta ekspozuar njeriun e saj pa dilema, e pikërisht për këtë shkak kënga që të ngre populli nuk harrohet asnjëherë, mjafton ta hysh në këngën e tij.

Dr. Leskaj ka qenë gjithë jetën një person publik, ashtu siç është dhe sot në detyrën e kryetarit të Kontrollit të Shtetit.

I rritur që nga mosha 12 vjeçare pa nënën, por me dashurinë e pashterueshme për vendlindjen, Drashovicën dhe Vlorën, me lidhje të forta me personazhet historik dhe të dijes si Ismail Qemali, Ibrahim Rugova dhe Nënë Tereza (portretet e të cilëve i gjen gjithmonë në zyrën e tij), i apasionuar pas pikturës dhe librit, tregon për një personalitet me interesa të gjera intelektuale kulturore.

I angazhuar për të krijuar një bashkëpunim qytetar dhe intelektual, për të përcjellur dije, njohje, kulturë, patriotizëm për Vlorën, Shqipërinë, Kosovën dhe trojet shqiptare në përgjithësi, Bujar Leskaj themeloi Institutin Politik “Ismail Qemali”, në të cilin u promovuan vlera dhe figura të shquara patriotike shqiptare.

Dhe atë krenari të lindur, ai nuk e ndan kurrë nga origjina dhe njerëzit e anëve të tij, nga kënga e bukur labe, e cila spikat mrekullisht karakteristikat burrërore dhe shpirtin e ndjeshëm lab, kështu që angazhimi i tij për t’i respektuar njerëzit e tij të vlerave ka qenë i madh.

Dr. Bujar Leskaj ka krijuar mundësitë për të komunikuar dhe bashkëpunuar me njerëzit në disa nivele. Pedagog, deputet, ministër, anëtar i delegacionit të NATO-s, drejtor dogane dhe doganier, kryetar i Kontrollit të Shtetit, anëtar i PD (1997-2011), anëtar i Këshillit Kombëtar i PD dhe në çdo kohë një bashkëpunues dhe “derë e hapur” për të pritur dhe përcjellë njerëz në nevojë.

Një dimension tjetër i rëndësishëm, po kaq funksional, bashkëpunues dhe integrues është dhe komunikimi përmes librave të shkruar dhe të botuara gjatë kohës me autor dr. Bujar Leskajn.

Dr. Bujar Leskaj ka qenë dhe vazhdon të jetë njëri nga intelektualët më aktiv brenda dhe jashtë vendit. Në intervista, konferenca shkencore, simpoziume, evenimente, në shtypin e shkruar, ai ka profilizuar një personalitet kurajoz, bashkëkohorë dhe bashkëpunues. Përveç kësaj, ai ka një kontribut të çmuar në fushën e botimeve, të cilët dallohen për qartësinë, akribinë shkencore, bashkëkohësinë, nivelin e lartë shkencor dhe natyrën humlumtuese. Duke qenë lektor i dijeve ekonomike, në biblotekat ekonomike, dr. Leskaj ka shtuar libra me rëndësi, si “Senjorazhi dhe disa problem të tij në Shqipëri” (2009), “Paraja dhe bankat” (2011), “Leksione në financë” (2011- 2012), bashkëautor i botimeve të rëndësishme të Kontrollit të Shtetit (1925-2012), Eurosai’ (2012), dhe opinione e diskutime të shumta të kësaj natyre në nivele qeveritare, shkencore dhe universitare.

Tek dr. Leskaj shquhet një tipar kreativ bashkëpunues, pasioni për historinë dhe publicistikën, dy fusha të rëndësishme, për të cilat ka nevojë të madhe çdo intelektual i çdo fushe tjetër qoftë.

Dr. Bujar Leskaj shkruan një publicistikë elegante, me një stil depërtues dhe forcë interpretuese, ndërsa në kulturën e historisë, ai ka treguar një prirje prej vëzhguesi të imët dhe të shkruari hollë për ngjarje, fakte, personazhe, fenomene dhe raportin të lëvizjeve a rrymave mendore përmes një analitizmi të besueshëm.

Në këtë korpus botimesh, të cilët janë specifikë për natyrën e tyre, dr. Leskaj ka botuar “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë 1912-2009” (2009), “Brenda dhe jashtë parlamentit” (2009), “Muzat e qëndresës” (Nëpër libra të kryqëzuar) (2011) dhe botime të tjera.

Është nderuar “Nderi i Labërisë”.

Pra, ky është vetëm një “vizatim” për një intelektual dhe personazh politik, shtetarë, personazh publik, shoqërorë dhe shkencorë, të cilin vetëm se e kemi ndjekur në rrugëtimin e tij, pa arritur për të depërtuar në vështrimet horizontale të librave, psikologjisë, projekteve, ndjeshmërisë dhe bashkëkomunikimit.

E ndërsa i përfshirë në zhvillimet aktive-politike të vendit, në kohët më të vështira dhe problematike, mendojmë se nuk gabohet të thuhet se, politika ka pasur më shumë nevojë për dr. Leskajn se ai për politikën.

Tiranë, 2018