Ballina Diaspora 15 VJETORI I GAZETËS “RRËNJËT”

15 VJETORI I GAZETËS “RRËNJËT”

Si sot 15 vjet më parë, botës mediatike shqiptare ju shtua një gazetë e re me emrin domethënës “Rrënjët”, me një përmbajtje të larmishme histori, kulturë e aktualitet. Në këtë përvjetor të 15-të redaksia jona ka vendosur që të paraqitet ndryshe siç veprohet në kësisojë rastesh…

Ne e festojmë këtë ditëlindje, duke u paraqitur para gjithë bashkëpunëtorve e lexuesve të shumtë me një libër mesazhesh, me idenë e qartë, që ky libër i vogël historik të kujtohet gjatë, duke zënë një vend në bibliotekën e kujtdo. Shumë ndryshe nga një banket, i cili shumë shpejt do te fshihet nga kujtesa. Ja, këtu qëndron filozofia jonë, të paraqitemi thjesht, bukur e me kuptim, me një dokument që do të flasë përherë…

Këtë inisiativë, e realizuam në sajë të kontributit të çmuar të pinjollit të familjes Muzakaj, Oltjonit që me të drejtë në një shkrim e kemi cilësuar një intelektual me aftësi të jashtëzakonshme, i cili për çështjen kombëtare sakrifikon gjithçka. Faleminderit Olti! 

Inisiativës sonë ju përgjigj i mirëkuptueshmi, drejtuesi i shtëpisë botuese “M&B” Z. Bujar Karoshi, jo vetëm në botimin e librit me cilësi, por na u gjend pranë me ndihmën e tij modeste, por tepër të domosdoshëm për ne.

E veçanta e këtij përvjetori qëndron sepse në sajë të punës së palodhur dhe përkushtimit të kryeredaktorit të gazetës “Rrënjët” Andre Llukani tashmë ne kemi sitin tonë. Kush dëshiron të lexojë gazetën mund të futet lirshëm e falas në adresën: gazetarrenjet.wordpress.com

Supriza e këtij përvjetori është bashkëpunimi i rregullt e kostant në fushën e përkthimeve me atdhetarin nga Zadrima, shërbëtorin e zellshëm të zotit Nikolin Sh. Lemezi. Për këtë gjetje falenderoj mikun tim italian Antonio Biasco. Nikolinin për përkthimet me kulturë e profesionalizëm e kam konsideruar një Fanolian të denjë, si në fushën e përkthimeve letrare, gjithashtu dhe në atë fetare.

Në këtë libër, jemi munduar të paraqesim ato pak mesazhe që kemi mundur ti konservojmë gjatë këtyre viteve…, ju kërkojmë ndjesë nëse dikush nuk ndodhet në faqet e këtij liberthi, por ju garantojmë se ata –ato përfshihen në karvanin e madh të kopshtarëve, që vazhdojnë të ujisin pa ndërprerë Rrënjet e lashta të Kombit tonë të shtrenjtë.

Pa përjashtim ju përgëzojmë që keni qenë pjesë e këtij misioni historik. Bashkërisht kemi realizuar ëndrrën shekullore të të parëve tanë, e pa u lodhur do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për ti mbrojtur e forcuar me çdo kusht Rrënjet e origjinës sonë shekullore. 

I juaji sinqerisht!

Hasan Aliaj Lapardha (Aulona)